ANALIZË BRITANIKE: Rreziku për të përfunduar në spital nëse infektohet me variantin omicron është tre herë më i ulët se delta

Susan Hopkins, këshilltarja kryesore shëndetësore e agjencisë, tha se analiza ishte në përputhje me shenjat e tjera inkurajuese që lidhen me variantin omicron, por theksoi se sistemi shëndetësor mund të jetë ende në telashe me një shkallë kaq të lartë të infeksionit.

Rreziku i shtrimit në spital me variantin e koronavirusit – omicron – është vetëm një e treta e rrezikut të variantit delta, sipas një analize britanike të më shumë se një milion rasteve të të dyjave varianteve në javët e fundit.

Britania e Madhe po përballet me një rritje të numrit të rasteve me COVID-19 për shkak të variantit tejet infektiv omicron. Megjithëse pranimet në spitale kanë filluar të rriten, zyrtarët thonë se ata besojnë se varianti i ri është shumë më i butë se delta.

Numri i pacientëve që u nevojitej një aparat respirator ishte përgjithësisht i qëndrueshëm gjatë gjithë dhjetorit, në kontrast me majat e mëparshme të pandemisë.

Analiza u publikua nga Agjencia britanike e sigurimit shëndetësor në bashkëpunim me Departamentin e biostatistikës në Universitetin e Kembrixhit. Janë analizuar 528.176 raste të omicron dhe 573.012 të variantit delta.

Përveç kësaj, u zbulua se vaksina kundër COVID-19 funksionon mirë kundër variantit omicron.

“Në këtë analizë, rreziku i shtrimit në spital është 82 për qind më i ulët pas dozës së tretë, sesa në rastet e pavaksinuara të infeksioneve omicron”, thanë nga agjencia.

Susan Hopkins, këshilltarja kryesore shëndetësore e agjencisë, tha se analiza ishte në përputhje me shenjat e tjera inkurajuese që lidhen me variantin omicron, por theksoi se sistemi shëndetësor mund të jetë ende në telashe me një shkallë kaq të lartë të infeksionit.

“Është shumë herët për konkludime përfundimtare rreth ashpërsisë”, shtoi ajo, duke theksuar se ka gjasa të ketë presion të konsiderueshëm në sistemin shëndetësor në javët në vijim.