ÇFARË TREGOJNË STUDIMET SHKENCORE: Sa efektive është nëse merrni vetëm një dozë të vaksinës kundër SARS-CoV-2, dmth. sa mbrojtje ofron?

Në botë, numri i njerëzve të vaksinuar po rritet dita ditës. Disa kanë marrë vetëm një dozë, disa kanë marrë të dyja dozat, ndërsa disa të tjerë akoma presin për dozat e tyre.

Aktualisht, kundër COVID-19 në botë vaksinimi kryhet me disa vaksina të ndryshme, ndërsa në vendin tonë imunizimi kryhet me katër vaksina të ndryshme.

Përderisa në Maqedoni imunizimi i vërtetë masiv ende nuk ka filluar, në Izrael pothuajse e gjithë popullata e rritur tashmë ka marrë të dyja dozat e vaksinës. Por, varësisht me cilën vaksinë vaksinohen herën e parë, qytetarët për dozën e dytë duhet të presin për një periudhë prej tre deri në 12 javë. Prandaj, shtrohet pyetja, cili është efekti i vetëm një dozë të vaksinës, dmth., sa mbrojtje siguron?

Studimi, i botuar në prill dhe që akoma pret rishikimin, bazohet në të dhënat e mbledhura nga 375,000 njerëz të vaksinuar në Britani. Duke analizuar të dhënat, studiuesit zbuluan se një dozë e vetme e vaksinës Pfizer ose AstraZeneka uli rrezikun e zhvillimit të COVID-19 me simptoma për 72 përqind, ndërsa mbrojtja duhet të zgjasë deri në 10 javë.

Autorët e studimit theksojnë se doza e dytë nuk duhet të vonohet për më shumë se 10 javë, sepse të dhënat tregojnë se pas asaj periudhe, niveli i antitrupave ulet. Pas dozës së dytë të vaksinës Pfizer, niveli i mbrojtjes rritet në 90 përqind. Të dhënat për nivelin e mbrojtjes pas dozës së dytë të vaksinës AstraZeneka nuk janë ende në dispozicion.

Një studim tjetër, i botuar në revistën Lancet, zbuloi se një dozë e vetme e vaksinës Pfizer parandaloi shtrimin në spital në 91% të rasteve brenda 28 deri në 34 ditë të vaksinimit. Një dozë e vetme e vaksinës AstraZeneka, në të njëjtat kushte, është efektive në 88 përqind të rasteve.

Kësaj duhet t’i shtohet edhe një studim i tretë, i cili zbuloi se një dozë e vaksinës Pfizer ose AstraZeneka është e mjaftueshme për të përgjysmuar përhapjen e COVID-19 simptomatike.

Pra, sa mbrojnë vaksinat saktësisht pas vetëm një doze?

Këto të dhëna ndryshojnë nga vaksina në vaksinë, varësisht nga kur matet efikasiteti dhe në çfarë kushtesh. Sidoqoftë, nëse mbështetemi në të dhëna nga provat klinike që kompanitë u kanë dorëzuar rregullatorëve të ndryshëm shëndetësorë kur kërkojnë miratim për përdorimin e vaksinave, mund të arrihet shkalla e mëposhtme.

Një dozë e vetme e vaksinës Pfizer siguron të paktën 80 përqind mbrojtje kundër zhvillimit simptomatik të COVID-19 edhe atë 21 ditë pas vaksinimit, si dhe 100 përqind mbrojtje kundër shtrimit në spital dhe vdekjes.

Vaksina Moderna në të njëjtat kushte siguron të paktën 80 për qind mbrojtje ndaj zhvillimit simptomatik të  COVID-19, por nuk është e qartë se sa mbron nga shtrimi në spital dhe vdekja, sepse ka shumë pak të dhëna.

Një dozë e vetme e vaksinës AstraZeneka ofron mbrojtje mbi 70 përqind të COVID-19 simptomatike, ndërsa mbrojtja nga trajtimi spitalor është 100 përqind. Kjo mbrojtje e lartë zgjat deri në 90 ditë pas një doze, për shkak të së cilës duhet të merret doza e dytë gjatë asaj periudhe për të vazhduar mbrojtjen.