Dr. Liljana Tevdovska: Cilat janë shenjat e para të kancerit të mëlçisë?

Në fazat e hershme, praktikisht, kanceri i mëlçisë nuk jep ndonjë simptomë të veçantë, prandaj edhe shpesh thuhet se është tumor i heshtur.

Shkruan: Dr. Liljana Tevdovska

Interniste


Mëlçia është një nga shtyllat e trupit të njeriut, në të cilën kryhen shumë funksione jetësore. Sipas statistikave, sëmundja e mëlçisë gjenden në vendin e dhjetë si shkak i vdekjes, ndërsa ajo është një nga organet e brendshme që më së shpeshti i ekspozohet sulmeve të shumë sëmundjeve të shkaktuara nga faktorë të jashtëm, mënyrës jo të duhur të i jetesës ose kushteve patologjike në vetë trupin. Është një nga organet më të mëdha në trup dhe nëpër të kalon rreth një e treta e lëngut të përgjithshëm qarkullues (1.500 mililitra në minutë). Është e ndërtuar nga dy lobe, i majti dhe i djathti, dhe ndodhet në pjesën e sipërme në anën e djathtë të zgavrës së barkut, nën brinjët e anës së djathtë. Mëlçia prodhon lëngun biliar, i cili është i nevojshëm për dekompozimin e ushqimit, është përgjegjës për shndërrimin e lëndëve ushqyese në energji, për proceset e detoksifikimit dhe për prodhimin e proteinave të gjakut, por është edhe vend ku ruhet glikogjeni. Në të vazhdimisht zhvillohen procese për rigjenerimin e hepatociteve të vjetra, dmth qelizat e mëlçisë që ndërtojnë mëlçinë dhe prodhojnë lëngun biliar, dhe i zëvendësojnë ato me të reja.

Ndonjëherë, për arsye të panjohura, fillon rritja e pakontrolluar e qelizave të ndryshuara të mëlçisë me karakteristika të tumorit dhe kështu fillon rritja e tumorit të mëlçisë.

Në fazat e hershme, praktikisht, kanceri i mëlçisë nuk jep ndonjë simptomë të veçantë, kështu që shpesh thuhet se është tumor i heshtur. Përderisa përparon, mund të shfaqen simptomat e mëposhtme:

  • Ndjenja e ngarkesës dhe dhimbjes në pjesën e sipërme të barkut në anën e djathtë, e cila mund të përhapet në shpatullën e djathtë
  • Ndjenja e mpirjes dhe ënjtjes nën harkun e brinjës në anën e djathtë
  • Ndjenja e ënjtjes së tërë barkut
  • Zverdhja e lëkurës dhe syve
  • Humbja e oreksit dhe humbja e peshës
  • Të përziera, neveri dhe të vjella
  • Lodhje dhe dobësi e përgjithshme

Tumoret që shfaqen në këtë organ mund të jenë beninje ose malinje.

  • Tumoret beninje mund të kenë rritje lokale, të rriten, por nuk përhapen në organe të tjera dhe nuk përsëriten pas operacionit.
  • Tumoret malinje, nga ana tjetër, mund të përhapen në nivel lokal, por edhe në mjedis, përmes gjakut dhe limfës.

Kanceri që buron nga qelizat e mëlçisë njihet si tumori primar i mëlçisë, karcinoma hepatocelulare ose hepatoma. Tumoret e mëlçisë shpesh gjenden në organe të tjera, siç janë zorra e trashë, stomaku, pankreasi, mushkëritë ose gjinjtë. Atëherë flasim për tumoret sekondare ose metastatike të mëlçisë.

Në fazat e hershme, praktikisht, kanceri i mëlçisë nuk jep ndonjë simptomë të veçantë.

RREZIKU

Kanceri i mëlçisë ka më shumë të ngjarë të shfaqet nëse paraprakisht ka ekzistuar ndonjë sëmundje kronike në këtë organ. Mendohet se paraqitja e karcinomës hepatocelulare është deri në 100 herë më e zakonshme tek pacientët me infeksion kronik të hepatitit B ose C. Cirroza e mëlçisë është sëmundje kronike në të cilën indet e mëlçisë dështojnë dhe zëvendësohen me indin lidhës, gjë që në fund e dobëson funksionin e organit. Tek pesë përqind e këtyre pacientëve zhvillohet tumori primar i mëlçisë.

Faktorët e rrezikut përfshijnë aflatoksinat, të cilat janë substanca toksike të prodhuara nga kërpudhat Aspergillus flavus, ndërsa merren përmes ushqimit.

Karcinoma hepatocelulare është katër herë më e zakonshme tek burrat sesa tek gratë, ndërsa është vërejtur edhe prirja familjare për këtë sëmundje. Pirja e duhanit dhe veçanërisht pirja e tepërt e alkoolit, në kombinim me faktorët tjerë të rrezikut të listuar më lartë, gjithashtu mund të ndikojnë në shfaqjen e tumori primar të mëlçisë.

ZBULIMI I HERSHËM

Nga hepatoma e diagnostikuar në fillim, rreth 40 përqind nuk paraqesin ndonjë simptomë në kohën e diagnostikimit. Ekzaminimi i hershëm fizik zakonisht nuk tregon për hepatoma. Në fazat e avancuara të ekzaminimit fizik, mund të ndjehet masa e zgjeruar dhe e dhimbshme e mëlçisë ose palpable (e prekshme) e tumorit nën brinjën e anës së djathtë, ënjtja abdominale, zverdhja e lëkurës dhe syve.

Prognoza e shëndetit të pacientit është e dobët nëse tumori zbulohet në një fazë të përparuar. Por nëse tumori zbulohet mjaft herët, atëherë 50-70% e pacientëve mund të jetojnë edhe për pesë vjet.

Metodat më të zakonshme për monitorimin e pacientëve janë ekzaminimet e rregullta me ultratinguj dhe monitorimi i vlerave të markerëve AFP. Këto janë dy teknika jo-invazive, të pranueshme për pacientët dhe që mund të përsëriten, e megjithatë nuk janë shumë të kushtueshme. Rekomandohet që këtyre pacientëve t’u bëhet skanim me ultratinguj në interval gjashtëmujore, ndërsa pacientët me dëmtime të dyshimta të mëlçisë në madhësi deri në dy centimetra, duhet të ekzaminohen çdo 2-3 muaj.

DIAGNOZA DHE TRAJTIMI

Përveç ekzaminimit me ultratinguj, përdoret edhe një teknikë tjetër, siç është skaner CT ose rezonancë magnetike nukleare, për të konfirmuar diagnozën. Këto teknika vlerësojnë fazën e saktë të sëmundjes, dmth., përcaktojnë se sa është përhapur sëmundja, si në mëlçi ashtu edhe në organet tjera, në enët e mëdha të gjakut ose kanalet biliare. Për diagnozë përfundimtare nevojitet gjithashtu edhe biopsia e ndryshimeve të organit të konfirmuar dhe konfirmim patohistologjik i sëmundjes. Metoda më e zakonshme e përdorimit të biopsisë është biopsia me gjilpërë të hollë e udhëhequr me ultratinguj.

Se si do të trajtohet pacienti varet nga faza e sëmundjes, madhësia e tumorit, sa dhe në cila pjesë e mëlçisë është e prekur nga tumori, nëse është përhapur në pjesë të tjera të trupit, gjendja e përgjithshme e pacientit, gjendja funksionale e mëlçisë, si dhe nëse ka cirrozë të avancuar të mëlçisë.