Dr. Zoran Krstanoski: Heqja e gurëve në veshka pa prerje

Ndryshe nga ndërhyrja klasike, kur bëhen prerje prej mbi 30 centimetra, Nefrolitotomia Perkutane, PCNL, ku intervenohet nëpërmjet hapjes prej një centimetri, pacienti që në ditën e parë është në këmbë dhe pa dhimbje, dhe në ditën e tretë mund të shkojë në shtëpi, ndërsa pas shtatë ditësh mund të punojë siç ka bërë para ndërhyrjes.

Shkruan: Dr. Zoran Krstanoski, urolog


Ndërhyrja kirurgjike klasike e heqjes së gurëve në veshka me prerje mbi 30 centimetra dhe qëndrimi në spital për rreth një muaj, tashmë ka ngelur në të kaluarën edhe atë falë metodës së re PCNL (Nefrolitotomi Perkutane). Kjo është një metodë minimale invazive për heqjen e gurëve të mëdhenj nga veshka plotësisht, pa prerje të mëdha dhe dhimbje, pas së cilës pacienti ktheht në shtëpi pas tre ditësh.

NJË CENTIMETËR VRIMË PËR 10 CENTIMETRA GURË

Gjatë kësaj ndërhyrje, nuk bëhen prerje si në ndërhyrjet klasike, por për të arritur në gurin në veshka përdoret një tub prej vetëm 10 mm i gjerë, një kamerë miniaturë, nefroskop, rrezet X dhe litotriptorin ultrasonik, nëpërmjet të cilit thyhet guri.

Nën kontrollin me rreze X, veshka shënohet me kontrast dhe futur në mënyrë të saktë në sistemin pyelocaliceal. Varësisht nga pozicioni i gurit në veshka, përmes dilatimit vendoset një instrument (nefroskopi). Përmes hapjes së vogël kalohet përmes lëkurës, muskujve dhe veshkave dhe arrihet deri në vendin ku është guri, i cili mund të jetë i një madhësie prej dy deri në dhjetë centimetra. Kur të arrihet guri, nën kontrollin e kamerës, guri thyhet dhe pjesët e thyera nxirren jashtë. Unë për thyerjen e gurëve përdor lithotripterin me ultratinguj, ndërsa pjesët, disa në madhësi edhe prej një centimetër, hiqen me kujdes, në mënyrë që asnjë prej tyre të kalojë në kanalet urinare, të cilat paraprakisht janë të mbrojtura nga tubi.

Operacioni, në varësi të madhësisë dhe fortësis së gurit, mund të zgjasë nga 40 minuta deri në më shumë se dy orë, ndërsa guri mund të ketë përmasa edhe deri në 10 centimetra (dmth e plotëson tërë veshkën).

Avantazhi i kësaj metode është se, ndryshe nga metoda e vjetër klasike, nuk ka prerje prej 30 deri në 50 centimetra, e as prerje të veshkës për të hequr gurin.

PACIENTI LARGOHET NË SHTËPI PA DHIMBJE, PËR TRI DITË

Efikasiteti i metodës është shumë i lartë dhe në shumicën e rasteve guri thyhet dhe veshkat pastrohen plotësisht. Ditën e tretë të ndërhyrjes, pacienti është tashmë në këmbë, pa dhimbje dhe largohet në shtëpi, ndryshe nga metoda klasike, ku pacienti qëndron në spital për shtatë ditë, me tuba të vendosur, i cili edhe kur të largohet në shtëpi duhet të kalojë një muaj në pushim mjekësor. Me PCNL në ditën e parë, pacienti çohet nga shtrati, lëviz dhe nuk ka dhimbje klasike. Pacienti ka ndjesinë sikur të mos jetë operuar, përveç dhimbjes së lehta, sikur të ishte i goditur në zonën ku është kryer ndërhyrja, gjë që është normale, pasiqë ekziston vrima përmes së cilës është bërë ndërhyrja. Pacienti vetëm pas shtatë ditësh pas operacionit, mund të punoj ashtu siç ka bërë para operacionit.

PRIORITETI, RREZIQET DHE MBROJTJA NGA KOMPLIKIMET

Si çdo operacion që mbart rrezik, ashtu mbart rrezik edhe ky lloj operacioni. Në këtë rast, ekziston rreziku i hemoragjisë ose infeksionit. Prandaj, futja e tubit bëhet përmes monitorimit me rrezet X, duke i shmangur kështu enët e mëdha të gjakut, ndërsa për të parandaluar infeksionin, jepen antibiotikë.

Kjo metodë nuk është një alternativë, por është zgjedhje e parë për mbrojtjen e veshkave.

Parandalimi dhe mundësitë për rikrijimin e gurëve

Mbrojtja më e mirë kundër krijimit të gurëve në veshka është që të pini sa më shumë ujë, thënë më thjeshtë që ta kuptojnë pacientët, urina të jetë e me ngjyrë të hapur, dhe jo e verdhë e errët.

Tek pacienti që njëherë ka pasur gur në veshka, mundësia për të pasur përsëri atë është 25% gjatë 10 viteve të ardhshme. Mirëpo, nëse tek i njejti pacient gurët janë krijuar dy herë, atëherë mundësia për t’i pasur ato është 75%.

Unë do të pyesja nëse është reale që këta pacientë të operohen me metodën klasike (disa herë) ose përmes një vrime prej 10 mm (flasim për gurë më të mëdhenj se 2 centimetra). Me këtë metodë, kur hyn me kamerë, arrihet çdo segment i veshkës dhe pastrohet çdo pjesë e gurit të thyer, ndërsa me metodën klasike gurët e tillë të mëdhenj rrallë mund të pastrohen deri në fund, vetëm nëse nuk pritet e gjithë veshka në gjysmë.