Gripi-armiku i vjetër i ri-vaksinat dhe mbrojtja

Vaksina kundër gripit rekomandohet për njerëzit me rrezik nga sëmundjet e renda siç janë personat e moshuar, personat me sëmundje shoqëruese siç janë, imunosupresioni, diabeti, sëmundjet kronike respiratore, të zemrës etj

Kur flasim për gripin, i cili është karakteristike në muajt e dimrit, parashtrohen disa pyetje? Si e lufton vaksina standarde gripin? Si vendoset përbërja e vaksinës? Jemi dëshmitarë të radhëve të gjata të të moshuarve që presin çdo ditë para ambulancave për të marrë dozën sivjetshme. Nga çfarë varet përbërja e tyre? Si monitorohet gripi nga organizatat ndërkombëtare shëndetësore dhe OBSH në mbarë botën? Dr. Silvi Brajand do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.

Në të vërtetë, po shohim një rritje të konsiderueshme të viruseve respiratore, të gjitha llojeve të viruseve, COVID-19, gripit. Kjo nuk është çudi. Ne gjithmonë shohim një rritje të sëmundjeve respiratore në dimër për hemisferën veriore. Pse është kështu, do të përpiqemi t’ua shpjegojmë?!

Së pari sepse shumica e 175 llojeve të viruseve respiratore qarkulluese preferojnë motin e ftohtë dhe të lagësht. Shumica e tyre shkaktojnë sëmundje të lehta, por disa prej tyre si COVID-19 ose gripi mund të shkaktojnë sëmundje të rënda që çojnë në shtrimin në spital apo edhe vdekje.

Së dyti, kur moti është i ftohtë ose i lagësht, njerëzit priren të grumbullohen në ambiente të mbyllura në hapësira më pak të ajrosura dhe kështu janë më të ekspozuar ndaj infeksionit.

Megjithatë, sivjet është paksa i veçantë. Ne po shohim më shumë sëmundje respiratore se zakonisht. Ne besojmë se kjo rritje i atribuohet të paktën dy faktorëve:

Në tre vitet e fundit, njerëzit kanë zbatuar masat personale mbrojtëse si maska, larja e duarve,  dhe më pak tubime. Por sivjet, në shumë vende, shumica e këtyre masave parandaluese nuk zbatohen më.

Përveç kësaj, njerëzit me siguri kanë humbur njëfarë imuniteti ndaj viruseve respiratore në përgjithësi, duke pasur parasysh qarkullimin e ulët të viruseve respiratore në vitet e fundit falë masave mbrojtëse.

Prandaj, tani qarkullojnë shumë viruse të llojit të gripit. Ne njohim të paktën tre familje kryesore: viruset AH1N1, AH3N2 dhe B. Ajo që është e rëndësishme të dini është se këto viruse po evoluojnë vazhdimisht. Ndërsa shumohen në qelizat njerëzore, viruset ndryshojnë. Kjo është si të kesh një “virus prindëror” që bën shumë fëmijë dhe më pas ka shumë nipër e mbesa dhe shumë stërnipër.

Vaksina kundër gripit, është si një imazh i virusit: një imazh i armikut që projektohet mbi mbrojtjen tonë të brendshme, antitrupat. Kur antitrupat shohin imazhin e virusit. Ata mund ta njohin atë dhe të luftojnë kundër tij, kështu që kur virusi hyn në trup, antitrupat mund ta shtyjnë atë jashtë. Kështu funksionon vaksina e gripit. Megjithatë, për shkak të evolucionit të vazhdueshëm të virusit, duhet të përditësojmë rregullisht përbërjen e vaksinës së gripit, në mënyrë që imazhi i armikut që shfaqet në antitrupa të mos jetë imazhi i virusit amë që qarkulloi vitin e kaluar, por imazhi i viruseve të stërnipërve që po qarkullojnë sivjet.

OBSH ka një rrjet laboratorësh anembanë botës të quajtur GISRS, “Sistemi Global i Mbikëqyrjes dhe Reagimit ndaj Influencës”. Ky rrjet përbëhet nga më shumë se 150 laboratorë në 137 vende. Ata laboratorë mbledhin dhe monitorojnë viruset e gripit gjatë gjithë vitit. Viruset e mbledhura në nivel kombëtar më pas dërgohen rregullisht në qendrat bashkëpunuese të OBSH-së për vlerësim global.

Ekspertët takohen rregullisht për të monitoruar viruset që qarkullojnë, vlerësojnë se cilët prej tyre janë dominues dhe më pas përcaktojnë se çka duhet të merret parasysh për një vaksinë, në mënyrë që imazhi i armikut të jetë imazhi më i mirë i mundshëm për trajnimin e antitrupave tanë për të luftuar virusin. Kjo paraqet një sasi të madhe të punës. Por shumë vende në botë po marrin pjesë në këtë përpjekje, sepse gripi është një çështje e rëndësishme e shëndetit publik dhe vret 200 deri në 600 mijë njerëz çdo vit, që është pothuajse 8000 vdekje në javë mesatarisht. Kështu, vaksina e gripit është e sigurt dhe shumë efektive në mbrojtjen kundër sëmundjeve të rënda, shtrimit në spital dhe vdekjes.

Vaksina kundër gripit rekomandohet për njerëzit me rrezik nga sëmundjet e renda siç janë personat e moshuar, personat me sëmundje shoqëruese siç janë, imunosupresioni, diabeti, sëmundjet kronike respiratore, të zemrës etj.

Vaksina e gripit rekomandohet edhe për gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël. Ne gjithashtu inkurajojmë punonjësit e kujdesit shëndetësor që të vaksinohen sepse ata janë më të ekspozuar ndaj virusit në praktikën e tyre profesionale dhe kanë më pak gjasa të infektojnë pacientët e tyre kur vaksinohen.

Burimi:https://www.who.int/emergencies/diseases/novel-coronavirus-2019/media-resources/science-in-5/episode–90–influenca

Përktheu dhe përshtati S.N