Intervistë me Dr. Emilija Hristovska: Çdo i katërti punëtor preket nga pasojat e stresit në vendin e punës

Stresi i lidhur me punën është gjendje e reagimeve emocionale, të sjelljes (ndryshime të sjelljes) dhe reagmeve fiziologjike ndaj aspekteve jo të favorshme të detyrave të punës, organizimit të punës dhe mjedisit të punës. Pothuajse gjysma e popullsisë që punon në Evropë konsideron se stresi është dukuri e zakonshme në vendin e tyre të punës.

Shkruan: Aleksandra Stojanovska/saska@panacea.mk

Stresi është dukuri e zakonshme në vendin e punës, përveç faktit që na bën të tensionuar, na çon në joproduktivitet, mungesë në punë… Me Emilia Hristovska, specialiste e mjekësisë së punës, diskutuam se si ta njohim stresin, si ta parandalojmë atë ose kur tashmë po përballemi me të, si të ia dalim me situatat stresuese. Ajo thotë se stresi i lidhur me punën është gjendje e reagimeve emocionale, të sjelljes (ndryshime të sjelljes) dhe reagmeve fiziologjike ndaj aspekteve jo të favorshme të detyrave të punës, organizimit të punës dhe mjedisit të punës. Pothuajse gjysma e popullsisë që punon në Evropë konsideron se stresi është dukuri e zakonshme në vendin e tyre të punës. Pothuajse çdo i katërti punëtor preket nga pasojat e stresit në vendin e punës. Stresi përbën 50-60% të mungesës totale në punë.

Kur shfaqet stresi në vendin e punës?

Dr. Hristovska: Stresi shfaqet kur kërkesat në vendin e punës nuk janë në përputhje me aftësitë, burimet dhe nevojat e punonjësve, ose kur lind një çekuilibër midis kërkesave dhe burimeve të cilat janë vënë në dispozicion. Sipas një sondazhi të opinionit evropian të realizuar nga Agjencia Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë (EU-OSHA), gjysma e popullatës që punon deklaroi se stresi në vendin e punës është një dukuri e zakonshme.

Shkaqet më të zakonshme të stresit të tillë janë: riorganizimi i punës, pasiguria në punë, rritja e ngarkesës së punës dhe ngacmimi ose dhuna në punë.

Kushtet e rëndësishme të punës që mund të çojnë në shfaqjen e stresit janë: ngarkesa e madhe në punë, orari i gjatë i punës, pjesëmarrja e pamjaftueshme në vendimmarrje, marrëdhëniet ndërnjerëzore të dëmtuara, mungesa e mbështetjes dhe ndihmës nga bashkëpunëtorët dhe menaxhimi, shumë përgjegjësi, pasiguri në punë, mungesa e mundësive për avancim, kushtet e papërshtatshme në vendin e punës. Veçanërisht të rëndësishme janë kushtet në mjedisin e punës në të cilat punëtorët do të motivohen për të kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme, domethënë mjedisi i mirë psikosocial që përmirëson efektivitetin e punës, suksesin personal, ndërsa me këtë edhe shëndetin mendor dhe fizik.

Për të shmangur ose për zvogëluar efektet anësore të stresit në vendin e punës, është e nevojshme të merren masa të përshtatshme parandaluese nga vetë punëtorët.

Cilat janë simptomat e stresit në vendin e punës?

Dr. Hristovska: Simptomat e stresit mund të ndikojnë në organizimin e punës dhe mund të manifestohen me: rritje të mungesës në vendin e punës, rritje të luhatjes së punëtorëve, ulje të produktivitetit, rritje të numrit të gabimeve, rritje të lëndimeve në punë.

Pasojat e stresit në vendin e punës në nivelin individual manifestohen nga: reagimet emocionale (acarimi, ankthi, problemet me gjumin, depresioni, tjetërsimi), reagimet konjitive (vështirësi në përqendrim, memorie, vështirësi në marrjen e vendimeve), ndryshime në sjellje (varësi nga alkooli, duhani, sjellja destruktive), reagimet fiziologjike (çrregullimet muskulo-skeletore, imuniteti i dobët, probleme me sistemin kardiovaskular dhe hipertensionin, ulçerën e stomakut dhe çrregullime të tjera psikosomatike), si dhe sindroma e djegies (burnout syndrome).

Sipas një sondazhi të opinionit evropian të realizuar nga Agjencia Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë (EU-OSHA), gjysma e popullatës që punon deklaroi se stresi në vendin e punës është një dukuri e zakonshme.

Si ta njohim sindromën e djegies?

Dr. Hristovska: Sindroma e djegies është përgjigje e zgjatur ndaj stresit kronik emocional dhe ndërpersonal në vendin e punës dhe përshkruhet si proces në të cilin punonjësit përjetojnë një ndjenjë të përkeqësimit progresiv të lodhjes dhe humbjes së energjisë. Në fotografinë klinike të sindromës së djegies dallohen tre komponent. Komponenti “rraskapitje” i referohet ndjenjës së zbrazjes së forcave emocionale dhe fizike të individit. Komponenti “cinizëm” ose depersonalizimi paraqet dimension të marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe i referohet qëndrimit negativ, të pandjeshëm dhe jashtëzakonisht indiferentë ndaj aspekteve të ndryshme të punës. Komponenti “efikasiteti i zvogëluar” ose zvogëlim i suksesit personal i referohet ndjenjës së jokompetencës dhe mungesës së produktivitetit dhe suksesit në vendin e punës.

Si të parandaloni stresin në vendin e punës?

Dr. Hristovska: Për të shmangur ose për të zvogëluar efektet anësore të stresit në vendin e punës, është e nevojshme të merren masa të duhura parandaluese nga vetë punëtorët. Kjo nënkupton që punëtorët të kërkojnë përgjegjësi më të madhe në planifikimin e punës së tyre, të kërkojnë që të përfshihen në vendimmarrje në fushën e tyre të punës, të bisedojnë me eprorët nëse përgjegjësitë e tyre të punës nuk janë përcaktuar qartë, dhe të tregojnë nëse ata përballen me ngacmim ose dhunë në vendin e punës. Programi i parandalimit të stresit ka të bëjë me marrjen e masave për të identifikuar problemin përfshirë mbikëqyrësit dhe menaxhmentin në ofrimin e një zgjidhjeje dhe mbështetjeje të përshtatshme përmes mbajtjes së diskutimeve në grup me punonjësit, rishikimin e vërejtjeve të punonjësve për kushtet e punës, stresin, shëndetin dhe kënaqësinë e punës.

Është mirë të krijohet një ekuilibër midis punës dhe jetës private, domethënë koha e lirë të kalohet me aktivitete që ju bëjnë të lumtur dhe të kënaqur, me familjen ose miqtë.

Si të përballemi me stresin në vendin e punës?

Dr. Hristovska: Nëse përballeni me stres në vendin e punës, të folurit është antidota më e mirë për të. Biseda me një person që do t’ju dëgjojë dhe  do t’ju kuptojë është një nga mënyrat më të shpejta për të lehtësuar stresin. Rekomandohet që të keni komunikim të mirë me kolegët dhe bashkëpuntorët tuaj për të krijuar marrëdhënie të mira ndërnjerëzore në vendin e punës. Gjithashtu duhet t’i jepni vlerë asaj që bëni, dmth., të përqendroheni në ato aspekte të punës që ju bëjnë të lumtur të ndërtoni qëndrim pozitiv ndaj punës. Është mirë të krijohet një ekuilibër midis punës dhe jetës private, domethënë koha e lirë të kalohet me aktivitete që ju bëjnë të lumtur dhe të kënaqur, me familjen ose miqtë. Masë e rëndësishme parandaluese për administrimin e stresit është mënyra e shëndetshme e të ushqyerit, përmes së cilës rekomandohet reduktimi i karbohidrateve dhe yndyrnave në ushqim, rritja e marrjes së acideve yndyrore omega-3, aktiviteti fizik edhe atë të paktën 30 minuta në ditë, të shmanget pirja e alkoolit dhe duhanit. Parandalimi i stresit në vendin e punës çon në efektivitet dhe produktivitet më të madh, sukses më të madh personal dhe shëndet psikologjik dhe fizik të punëtorëve.