Intervistë me Dr. Mirjana Sazdovska: Vizita e rregullt te oftalmologu parandalon shfaqjen e strabizmit dhe ambliopisë

Strabizmi në fëmijëri mund të jetë pasojë e shumë sëmundjeve të syrit, siç janë katarakta kongjenitale, glaukoma kongjenitale, mjegullimi i kornesë, sëmundjet e retinës që bëjn pjesë në grupin e çrregullimeve të rënda të syrit që kërkojnë trajtim të përshtatshëm.

Shkruan: Sanja Naumovska/sanja@panacea.mk

Strabizmi ose siç njihet te populli si sytë e devijuar është gjendje në të cilën pozita e syve e bën të pamundur që shikimi me të dy sytë të fokusohet në të njëjtin objekt njëkohësisht. Ekzistojnë një numër arsyesh për këtë gjendje që prek katër nga tetë përqind të popullsisë.

Për shkaktarët që ndikojnë në shfaqjen e strabizmit te fëmijët dhe te të rriturit, si dhe për mënyrat e trajtimit të kësaj gjendje ne biseduam me Dr. Mirjana Sazdovska, specialist oftalmolog.

Çfarë është strabizmi?

Dr. Sazdovska: Strabizmi ose devijimi paraqet anomali të pozicionit të syve, kur nuk ekziston mundësia që sytë të fokusohen në të njëjtin objekt njëkohësisht. Në popullsi, hasen rreth 4-8%.

Strabizmi është anomali motorike dhe shqisore. Anomalia motorike nënkupton se secili sy sheh veçmas, ndërsa anomalia shqisore se nuk ekziston binokularia, dmth., mundësia që të dy sytë të krijojnë një imazh të vetëm në tru.

Ndarja e strabizmit varet nga pozicioni në të cilin gjenden sytë. Prandaj, ekziston:

– konvergjent (esotropia) – kur syri është në drejtim për nga hunda;

– divergjent (exotropia) – kur syri është në drejtim për nga jashtë;

– hipertropia dhe hipotropia – kur ka devijim të syrit në drejtim lart ose poshtë.

Strabizmi në fëmijëri mund të jetë pasojë e shumë sëmundjeve të syrit, siç janë katarakta kongjenitale, glaukoma kongjenitale, mjegullimi i kornesë, sëmundjet e retinës që bëjn pjesë në grupin e çrregullimeve të rënda të syrit që kërkojnë trajtim të përshtatshëm.

Mundet që edhe vetëm njëri sy të shtrembërohet (strabizmi monokular) ose të preken që të sytë (strabizmi i alternuar).

Çfarë e shkakton strabizmin?

Dr. Sazdovska: Strabizmi në fëmijëri mund të jetë pasojë e shumë sëmundjeve të syrit, siç janë katarakta kongjenitale, glaukoma kongjenitale, mjegullimi i kornesë, sëmundjet e retinës që bëjn pjesë në grupin e çrregullimeve të rënda të syrit që kërkojnë trajtim të përshtatshëm.

Por, kur është fjala për strabizmin, kryesisht mendohet për strabizmin që është pasojë e një anomalie refraktive e syve (accomodative) ose kur ka dioptri të ndryshëm ndërmjet dy syve (anisometropia). Ky lloj strabizmi ndosh për shkak të nevojës së syrit për të mprehur imazhin e objekteve, veçanërisht gjatë shikimit në afërsi.

Në çfarë moshe duhet të fillohet trajtimi?

Dr. Sazdovska: Nëse ka strabizëm, me trajtimin duhet të fillohet menjëherë pas kontrollit të parë, që do të thotë në muajt e parë të jetës. Duhet të merren të dhënat anamnezë nëse prindërit janë trajtuar për strabizmin ose nëse kanë mbajtur syze në fëmijëri. Ekzaminimi gjithmonë bëhet në bebëzën e gjërë (sciascopia) për të parë thellësin e syrit. Detyrimisht përcaktohet nëse ka fiksim qendror, sepse në gjendje fiksimi ekscentrik (jo në pikën e shikimit të qartë) trajtimi është shumë më i vështirë. Më pas, përshkruhen syzet në bazë të gjetjes së fituar, nga ku fëmija duhet t’i mbajë vazhdimisht.

Në rreth 50 për qind të rasteve të strabizmit ekziston shikimi i dobët (amblyopia). Amblyopia (sy që ka kapacitet më të vogël të shikimit) paraqet paaftësinë për të fituar shikimin e qartë pavarësisht korrigjimit maksimal të dhënë. Kjo është si pasojë e imazhit të paqartë që syri me strabizëm e dërgon në tru. Nëse nuk trajtohet me kohë, syri do të mbetet përgjithmonë i dobët në shikim. Periudha më e mirë për trajtimin e ambliopisë është deri në moshën gjashtë vjeçare. Për këtë qëllim, rekomandohet mbyllja e syrit të shëndetshëm (dominues) në mënyrë që të aktivizohet syri më i dobët.

Periudha më e mirë për trajtimin e ambliopisë është deri në moshën gjashtë vjeçare.

Më tej rekomandohen edhe ushtrimet ortoptike që e përmirësojnë shikimin binokular. Trajtimi i tillë kryhet për vite me rradhë dhe është i mundimshëm, por nëse ka bashkëpunim të mirë, nga njëra anë, mjeku – strabologu dhe ortoptiku, ndërsa nga ana tjetër, fëmija dhe prindërit, arrihen rezultate të shkëlqyera.

Në rastet kur ka një kënd të madh të devijimit, kur gjendja nuk mund të përmirësohet përmes mbajtjes së syzeve apo syzeve prismatike, rekomandohet ndërhyrje nën anestezion të përgjithshëm.

Si trajtohet strabizmi tek të rriturit?

Dr. Sazdovska: Strabizmi mund të shfaqet edhe tek të rriturit. Kjo mund të jetë si pasojë e strabizmit të patrajtuar në fëmijëri ose pasojë e sëmundjeve të tjera të syve që zgjasin për një kohë të gjatë.

Për shembull:

– shkurtpamësia e lartë;

– mjegullimi i kornesë;

– mjegullimi i thjerrëzës;

– ablacioni i retinës ose atrofia e nervit optik;

– paraliza e muskujve të syrit.

Tek të rriturit, më i zakonshëm është strabizmi divergjent. Pasuar nga marramendja, dhimbjet e kokës, por ndonjëherë edhe me imazhe të dyfishta. Për shkak të mungesës së shikimit binokular, këto pacientë kanë aftësi të kufizuar të punës.

Trajtimi varet nga shkaku i shfaqjes, dhe zakonisht është operativ. Kryhet nën anestezi të përgjithshme ose lokale, si ndërhyrje njëditor ose si korrigjim estetik kur nuk pritet përmirësimi i funksionit të shikimit, pa kufizuar moshën e personit.

Parandalimi i strabizmit dhe shfaqja e ambliopisë mund të arrihet përmes:

– ekzaminimeve të rregullta mjekësore;

– ekzaminimi i bebëzës së gjerë në fëmijërinë e hershme;

– përcaktimi i syzeve të përshtatshme;

– detyrimisht mbyllja e syrit dominues;

– ndërhyrja e hershme kirurgjikale;

– (te të rriturit) përjashtimi i shkaktarëve të strabizmit ose korrigjimit estetik, kur nuk pritet përmirësimi në funksionin vizual.