KENI KALUAR COVID-19 DHE E KENI TË VËSHIRË TË MBANI MEND, NUK JU KUJTOHET ÇFARË DONI TË THONI? Rezulton se problemet e kujtesës janë më të zakonshme sesa mendohej më herët

Si të mbani mend diçka, të gjeni fjalën e duhur ose të përpunoni informacione të reja janë disa nga vështirësitë kognitive afatgjata me të cilat përballen njerëzit që kanë pasur COVID-19 dhe janë më të zakonshme sesa mendohej më parë, tregon një studim i ri.

Një studim i botuar në revistën shkencore JAMA tregon se këto vështirësi janë shumë herë më të zakonshme tek ish-pacientët që ishin shtruar në spital për COVID-19, sesa tek ata që kishin një formë më të lehtë të sëmundjes dhe trajtoheshin në shtëpi.

Ka një ndryshim të madh kur bëhet fjalë për gjetjen e fjalës së duhur: 13 për qind e pacientëve ambulatorë, krahasuar me 35 për qind të të shtruarve në spital janë përballur me këtë problem.

Përsa i përket vëmendjes, gjegjësisht përqendrimit, shifrat janë 5 dhe 15 për qind për të hospitalizuarit, ndërsa 12 për qind e personave që kanë vuajtur një formë më të lehtë krahasuar me 39 për qind të pacientëve që janë shtruar, kanë pasur vështirësi me kujtesën.

Studimi bazohet në të dhënat e 740 pacientëve me COVID-19 të regjistruar në një spital amerikan.

Gratë ishin 63 për qind e pjesëmarrësve në studim. Pacientët kishin më së shumti vështirësi për të kujtuar disa gjëra – çdo i katërti person në studim kishte këtë problem. Më pas vjen problemi i gjetjes së fjalës së duhur, si dhe përpunimi më i ngadalshëm i informacioneve të reja.

Efektet kognitive afatgjata të COVID-19 janë pjesë e një sërë problemesh shëndetësore me të cilat duhet të përballen personat që kanë pasur COVID-19.

Më shumë se 200 simptoma lidhen me COVID-19 afatgjatë dhe ka shumë fenomene të tjera që janë të vështira për t’u njohur – si depresioni dhe çrregullimet psikosomatike.