KORONAVIRUSI: FDA aprovoi testin e ri të pështymës

Agjencioni amerikan për ushqim dhe barna (FDA) me procedurë urgjente më datë 13 Prill të këtij viti miratoi testin e parë të pështymës për diagnostikimin e COVID-19.

Testi për zbulimin e pranisë së COVID-19 tek një pacient, të cilin e zhvilluan shkencëtarët e Universitetit Rutgers në Shtetet e Bashkuara ofron një mënyrë tjetër të testimit dhe zvogëlon rrezikun që punonjësit e kujdesit shëndetësor të ekspozohen ndaj infeksionit me koronavirusin e ri. Testi bazohet në zbulimin e pranisë së molekulave RNA të koronavirusit dhe fillimisht do të jetë në dispozicion në spitalet dhe klinikat që janë të lidhura me universitetet.

Për testet e disponueshme momentalisht për skrining të COVID-19, punonjësit e kujdesit shëndetësor duhet të marrin bris nga hunda ose fyti i pacientit. Kjo metodë kërkon që punëtorët të veshin doreza mbrojtëse dhe paisje të tjera mbrojtëse, e cila aktualisht mungon në disa pjesë të botës. Gjithashtu, në disa vende ka mungesë testesh, kështu që çdo zgjidhje e re është e mirëseardhur.

Ky lloj testimi ofron rrezik më të ulët të infeksionit të mundshëm te punonjësit e kujdesit shëndetësor

Në rastin e testit të ri të aprovuar, pacienti duhet të pështyjë në një epruvetë plastike dhe thjesht të ja jap atë punonjësit të kujdesit shëndetësor, i cili do ta përcjellë atë për testime laboratorike.

Procesi është më pak invaziv se zakonisht, sepse bazohet vetëm në marrjen e mostrave të pështymës, ndërsa punonjësi i kujdesit shëndetësor mban më pak pajisje mbrojtëse, sesa kur merr dhe analizon testin aktual.

Sipas udhëzimeve të FDA, testimi do të kryhet në ambientet shëndetësore nën mbikëqyrjen e personelit të kualifikuar.