Meshkujt i humbin më shpejt antitrupat e koronavirusit

Nivelet e antitrupave COVID-19 po ulen më shpejt tek meshkujt sesa tek femrat, ka zbuluar një studim i ri, rezultatet e të cilit mund të kenë implikime për zhvillimin e vaksinës së re të koronavirusit.

Studimi përfshiu 308 persona të stafit spitalor në kuadër të Universitetit të Strasburgut të cilët u konfirmuan se kishin virusin, kryesisht me simptoma të lehta të sëmundjes.

Niveli i antitrupave të ndryshëm u mat duke përdorur tre teste të ndryshme dy herë, për një periudhë prej 172 orësh.

Matja e parë tregoi se meshkujt mbi 50 vjeç dhe ata me indeks të masës trupore më të madh se 25, kishin nivelet më të larta të antitrupave.

Matja e dytë zbuloi se nivelet e antitrupave ranë më shumë tek meshkujt sesa tek gratë, pavarësisht nga mosha ose indeksi i masës trupore, u tha në studim.

“Hulumtimi ynë ka treguar se meshkujt tregojnë përgjigje më të fortë në fazën akute, e shprehur nga nivele më të larta të antitrupave, por me kalimin e kohës niveli bie shumë më shpejt sesa tek gratë, ku antitrupat shfaqen në nivel shumë më të qëndrueshëm”, tha Dr. Samira Fafi-Kremer.

Oliver Schwartz, një nga autorët e studimit, thotë se rënia varet nga niveli fillestar i antitrupave. “Nëse niveli i antitrupave është më i lartë, rënia do të jetë më e shpejtë, por nuk dihet ende saktësisht pse po ndodh kjo,” shtoi ai.

Sabra Klein nga Universiteti Johns Hopkins thotë se shkencëtarët që punojnë në zhvillimin e vaksinave duhet të analizojnë dhe krahasojnë përgjigjen e meshkujve dhe grave ndaj virusit me kalimin e kohës, pasi burrat mund të humbin antitrupat edhe pas vaksinimit.

“Meshkujt ndoshta do të duhet të marrin një vaksinë të dytë, vaksinë ndihmëse për të ruajtur imunitetin ndaj virusit,” tha Klein.

Shkencëtarët ende nuk dinë gjithçka në lidhje me imunitetin e koronavirusit të ri. Ata paralajmërojnë që antitrupat, që krijohen nga qelizat B dhe luajnë rol kryesor në mbrojtjen e trupit, nuk janë armët e vetme të sistemit imunitar të njeriut. Po aq të rëndësishme janë qelizat T, detyra e të cilave është të stimulojnë prodhimin e qelizave B dhe të shkatërrojnë qelizat e frymëmarrjes në të cilat jeton virusi.