Metoda të thjeshta kundër lodhjes dhe më shumë energji

As në vendin e punës nuk funksiononi siç duhet, vetëm prisni që të përfundoj dita e punës, por në shtëpi ju presin edhe shumë obligime tjera rreth familjes, punët e shtëpisë, fëmijët, faturat...

Lodhja si gjendje mund të ndodhë në çdo perudhë të vitit, por më e zakonshme është gjatë ndryshimit të stinëve – nga dimri në pranverë dhe nga vera deri në vjeshtë. Përderisa disa njerëz mund t’i sigurojnë vetes disa ditë me më pak obligime, shumica e njerëzve pjesën më të madhe të ditës e kalojnë duke përmbushur obligime të ndryshme dhe të plotësojnë të gjitha detyrimet e biznesit. Për fat të mirë, ka disa mënyra të cilat janë relativisht të lehta, pë ta të rritur nivelin e energjisë përsëri.

Ushqimi energjetik 

Nuk ka të bëjë me çokollata dhe shufra energjie, por me ushqime të pasura me proteina dhe karbohidrate komplekse. Këto përbërës gjenden në drithëra, në djathrat me pak yndyrë ose në bukën me drithëra me kokërra të plotë, si dhe në gjalpin e kikirikave. Ky lloj ushqimi do të rrisë energjinë për një kohë të gjatë dhe është shumë më i shëndetshëm se çokollatat.

Mos e shmangni mëngjesin, pasiqë është shumë i rëndësishëm në ruajtjen e energjisë gjatë gjithë ditës. Hani ushqime të pasura me karbohidrate dhe fibra.

Merrni pushime të shkurtra

Kur të ndieni lodhje, rënie të energjisë dhe përqendrimit, ndaloni së punuari për disa minuta. Ngrihuni, lëvizni, dilni në ajër të freskët, pini ujë. Pikërisht këto pushime të shkurtra do t’ju ndihmojnë të tejkaloni lodhjen, si dhe të ruani energjinë. Gjatë këtyre pushimeve të shkurtra, nëse ndiheni lodhje dhe uri, duhet të hani diçka, mundësisht diçka të shëndetshme: fruta ose fruta të thata.

Studimet kanë treguar se personat që punojnë me kompjuter duhet të pushojnë në çdo orë nga pesë minuta, ndërsa pas tre orëve punë me kompjuter nevojitet pushim prej 15 minutash, i cili do të rezultojë me nivel më të lartë të energjisë gjatë gjithë ditës.

Meditoni për 5 minuta

Studime të shumta kanë treguar se meditimet e shkurtra prej pesë minutash, mund të bëjnë mrekulli në përmirësimin e energjisë. Për këtë lloj meditimi nuk keni nevojë për ndonjë teknikë ose aftësi. Gjeni një vend të qetë, uluni, mbyllni sytë dhe mendimet tuaja përqendroni në frymëmarrjen dhe frymënxjerjen. Mundohuni që të mos mendoni për ndonjë gjë. Relaksohuni në maksimum. Këtë ushtrim bëjeni disa herë në ditë, trupi juaj do të ketë më shumë energji, ndërsa ju do të jeni më të qetë dhe të relaksuar.

Shmangni njerëzit negativë 

Rrethojen veten me njerëz pozitivë dhe entuziastë, pranë të cilëve edhe ju do të jeni optimist dhe energjik. Megjithëse ndonjëherë është e pamundur të shmangësh personat negativë, përpiquni që sa më pak të jeni në rrethin e tyre. Disa njerëz transmetojnë energji negative dhe njerëzit rreth tyre i shtypin gjë që çon në stres dhe të ngjajshme. Ka edhe njerëz të tillë të cilët e tërheqin energjinë nga ju, ju ngarkojnë, ju kthejnë në njerëz negativë. Shmangni sa më shumë që të jetë e mundur, sepse emocionet janë ngjitëse.