MJEKËT PARALAJMËROJNË: Dy shenja mund të parashikojnë fillimin e hershëm të glaukomës

Glaukoma duhet të trajtohet, por nuk është e mundur të rikthehet asnjë dëm që i ka ndodhur tashmë syrit.

Glaukoma është sëmundje kronike dhe progresive e nervit optik që rezulton në përkeqësim të shikimit dhe humbje të funksionit të shikimit. Konsiderohet shkaku kryesor i verbërisë nëse nuk trajtohet, ndërsa sipas të dhënave, rreth dy deri në pesë për qind e popullsisë ka glaukomë. Zakonisht nuk shfaq asnjë simptomë dhe ndonëse glaukoma mund të shfaqet tek kushdo, faktorë rreziku për shfaqjen e saj janë trashëgimia pozitive familjare, mosha mbi 40 vjeç, miopia e lartë, diabeti dhe presioni i lartë i gjakut (hipertensioni). Këto dy sëmundje, sipas një studimi të ri konsiderohen si parashikues të fazës së hershme të glaukomës.

Gjegjësisht, hulumtimi i ri, i publikuar në revistën Clinical Ophthalmology në UT Southwestern Medical Center, zbuloi se zhvillimi i hershëm i diabetit të tipit 2 ose presionit të lartë të gjakut mund të tregojë fillimin e hershëm të glaukomës, sepse, ndër të tjera, këto gjendje ndikojnë në enët e gjakut të nervit optik dhe retinës.

Megjithëse nevojiten më shumë kërkime përpara se të bëhet ndonjë lidhje shkakësore midis diabetit, hipertensionit dhe glaukomës, njerëzit me diabet dhe hipertension këshillohen të matin presionin e gjakut dhe të kontrollojnë për dëmtim të retinës (vetëm vlera e presionit të syrit nuk është e mjaftueshme për të caktuar diagnozë).

Glaukoma ka tendencë të zhvillohet ngadalë me kalimin e viteve, ndërsa fillimisht prek skajet e shikimit (shikimi periferik). Kjo është arsyeja pse shumë njerëz nuk e kuptojnë se kanë glaukomë derisa të ndërgjegjësohen për të. Nëse vëreni ndonjë simptomë, si shikim të turbullt ose rrathë me ngjyrat e ylberit të dritave të ndritura, është më mirë që të shkoni menjëherë te okulisti.

SIMPTOMAT E GLAUKOMËS

Edhe pse glaukoma në fazat e hershme zakonisht nuk shfaq simptoma, me zhvillimin e sëmundjes ajo shoqërohet me këto simptoma:

– dhimbje të forta në sy

– të përziera

– të vjella

– skuqja e syve

– dhimbje koke

– ndjeshmëria e syve

– unazat rreth dritës

– shikim i turbullt

 

 

A MUND TË SHËROHET GLAUKOMA?

Glaukoma duhet të trajtohet, por nuk është e mundur të rikthehet asnjë dëm që i ka ndodhur tashmë syrit. Sa më vonë të diagnostikohet sëmundja, aq më pak mund të ruhet ajo që ka mbetur nga shikimi.

Ekzistojnë tre lloje të trajtimit: pika për sytë, trajtimi me lazer dhe kirurgjia. Pikat e syve ndihmojnë në uljen e presionit të syve dhe u japin atyre më shumë pushim, ndërsa trajtimi me lazer mund të ndihmojë në hapjen e tubave të bllokuar të drenazhit ose në uljen e prodhimit të lëngjeve në sy të shkaktuar nga glaukoma.

Kirurgjia këshillohet për të përmirësuar drenazhin e lëngjeve për të zvogëluar presionin në sy dhe për të reduktuar përhapjen e glaukomës.