NË KOMBINIM ME KARANTINËN: Mbajtja e maskave, madje edhe e bërë në shtëpi, mund të parandalojë valën e dytë të COVID-19

Mbajtja e maskave mrojtëse në popullatën e përgjithshme mund të zvogëlojë përhapjen e koronavirusit në një nivel që mund të kontrollohet brenda luftës kombëtare kundër epidemisë, dhe në kombinim me karantinën, mund të parandalojë valë të reja të sëmundjes pandemike, tregon studimi britanik.

Hulumtimi i shkencëtarëve nga universitetet britanike të Kembrixhit dhe Greenwich, botuar së fundmi, tregon se karantina vetëm nuk do të parandalojë përhapjen e koronavirusit të ri SARS-CoV-2, por edhe që maskat mbrojtëse të bëra në shtëpi mund të zvogëlojnë ndjeshëm shkallën e transmetimit të sëmundjes nëse një numër i mjaftueshëm i njerëzve i bartin ato në publik.

“Analiza jonë shkon në favor të akceptimit aktual dhe të përgjithshëm të mbajtjes së maskave”, tha Richard Stutt, një nga autorët e studimit në Kembrixh.

Rezultatet e studimit tregojnë se mbajtja masive e maskave të kombinuara me distancën sociale dhe disa masa karantine mund të jenë një “mënyrë e pranueshme për t’u marrë me pandeminë” shumë kohë përpara se të zhvillohej dhe të vihej në dispozicion një vaksinë e suksesshme kundër COVID-19, sëmundjes respiratore të shkaktuar prej koronavirusit.

Organizata Botërore e Shëndetit javën e kaluar nxori udhëzime që këshillojnë qeveritë të rekomandojnë të mbajnë maska ​​për të gjithë qytetarët në mënyrë që të zvogëlohet përhapja e sëmundjes.

Studiuesit vlerësuan efektin e shkallës riprodhuese të sëmundjes, pra vlerën R, në skenarë të ndryshëm të mbajtjes së maskave në kombinim me periudhat e karantinës. Vlera R tregon numrin mesatar të njerëzve tek të cilët një pacient i infektuar do të transmetojë sëmundjen, ndërsa vlera R mbi 1 mund të çojë në rritje eksponenciale në numrin e të infektuarve.

Rezultatet e studimit janë botuar në revistën shkencore Proceedings of the Royal Society A

Studimi zbuloi se mbajtja e vazhdueshme e maskës në publik është dy herë më e suksesshme në uljen e vlerës së R, sesa nëse maskat mbahen kur shfaqen simptoma.

Në të gjitha skenarët e studimit, mbajtja e rregullt e maskave në 50 përqind dhe më shumë të popullsisë zvogëlon përhapjen e koronavirusit në R më pak se 1, i cili rregullon përhapjen e infeksionit dhe siguron masa më të buta karantine.

“Ne nuk kemi asgjë për të humbur me pranimin masiv të mbajtjes së maskave, ndërsa përfitimet mund të jenë shumë domethënëse”, tha Renata Retkut, bashkëautore e studimit.