Obeziteti dhe COVID-19 janë kombinim vrasës: Rreziku i vdekjes rritet në mënyrë dramatike me rritjen e indeksit të masës trupore

Të qenit mbipeshë ose obeziteti e rrisin rrezikun e COVID-19, por edhe shumë sëmundjeve të tjera serioze

Njerëzit me mbipeshë kanë rrezik të lartë të vdekjes ose formë të rëndë të COVID-19, sipas një raporti nga Zyra e Shëndetit Publik në Britaninë e Madhe, ndërsa ekspertët kanë gjetur disa lidhje midis dy pandemive.

Agjensia javën e kaluar publikoi të dhëna që tregojnë se tek njerëzit me indeks të masës trupore (BMI – body mass index) nga 30 në 35, rreziku i vdekjes nga COVID-19 rritet me 40 përqind, ndërsa deri në 90 përqind te ata që indeksi i të cilëve është më i madh se 40, krahasuar me njerëzit me peshë të shëndetshme.

“Provat e deritanishme janë të qarta dhe tregojnë se të qenit mbipeshë ose i trashë ju vë në rrezik për zhvillimin e një forme serioze ose vdekjes nga COVID-19, por edhe më shumë të ekspozuar ndaj shumë sëmundjeve të tjera serioze”, thekson Alison Tedston, shef nutricionist në Institutin Britanik për shëndetin publik.

Studime të tjera në të gjithë botën tregojnë se njerëzit me mbipeshë kanë një rrezik më të lartë të komplikimeve nga infeksioni me koronavirusin e ri.

Njerëzit me indeks më të lartë se 30 konsiderohen obezë

Shkencëtarët ende po përpiqen të përcaktojnë saktësisht se cili mekanizëm mund të sqarojë lidhjen midis mbipeshës dhe COVID-19, ndërsa deri më tani ata kanë identifikuar disa faktorë.

Obeziteti çon në akumulimin e yndyrës në organet vitale, si dhe rezistencën ndaj insulinës dhe presionit të lartë të gjakut. Kjo do të thotë që mbipesha shpesh shkon paralelisht me sëmundjet e tjera shëndetësore si diabeti, zemra e dobët dhe funksioni i dobët i mëlçisë dhe veshkave.

Akumulimi i tepërt i yndyrës mund të ndikojë gjithashtu në sistemin e frymëmarrjes. Për shkak të mbipeshes, njerëzit kanë gulçim dhe kanë mungesë oksigjeni në gjak dhe inde.

“Obeziteti i bën presion pothuajse çdo organi ose sistemi në trup,” tha Sisan Jeeb, profesor nutricionist dhe i shëndetit publik në Universitetin e Oksfordit. Ajo shton se nuk është për t’u habitur që rrit rrezikun e komplikimeve për shkak të COVID-19.

Indet dhjamore gjithashtu kanë nivele më të larta të enzimës konvertuese të angiotenzinës 2 (ACE2), të cilën koronavirusi i ri e përdor për të hyrë në qelizat. Njerëzit me nivele më të larta të ACE2 në gjak dhe indet mund të infektohen më lehtë me COVID-19, thonë ekspertët.

Francesco Rubino, specialist i mbipeshës dhe kirurg metabolik në King’s College London, e quan lidhjen midis COVID-19 dhe obezitetit “përplasje të dy pandemive”.