OBSH PARALAJMËRON: Tuberkulozi është në rritje

OBSH vlerëson se konfliktet në mbarë botën, kriza globale energjetike dhe rreziqet e lidhura me sigurinë ushqimore ka të ngjarë të përkeqësojnë më tej situatën. 

Pas shumë viteve të rasteve në rënie, tuberkulozi është në rritje, duke vrarë rreth 1.6 milionë njerëz në vitin 2021, një rritje prej 14 për qind në dy vjet, treguan të dhënat e reja nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Tuberkulozi mori rreth 1.5 milion jetë në 2020 dhe 1.4 milion në 2019.

OBSH ka fajësuar pandeminë e koronavirusit për rishfaqjen e numrit të rasteve të sëmundjes, pasi kriza që pasoi sëmundjen COVID-19 pati një ndikim të madh dhe të qëndrueshëm në aksesin e diagnostikimit dhe trajtimit.

“Globalisht, numri i përllogaritur vjetor i vdekjeve nga tuberkulozi ra midis vitit 2005 dhe 2019, por vlerësimet për 2020 dhe 2021 sugjerojnë se kjo prirje ka ndryshuar”, tha agjencia shëndetësore e OKB-së në raportin e saj vjetor.

Shumica e rritjes së vdekjeve nga tuberkulozi ndodh në katër vende: Indi, Indonezi, Mianmar dhe Filipine.

Në raport theksohet se është e mundur që tuberkulozi “do të jetë edhe një herë shkaku kryesor në botë i vdekjeve nga agjent infektiv, duke zëvendësuar COVID-19”.

Mel Spiegelman, president i shoqatës për tuberkulozin, thotë se kjo tashmë ka ndodhur, duke krahasuar shkallën vjetore të vdekjeve nga tuberkulozi me numrat e fundit të COVID-19.

Rreth 10.6 milionë njerëz u infektuan me tuberkuloz në vitin 2021, një rritje prej 4.5 për qind krahasuar me vitin 2020, raporton OBSH.

“Kjo është hera e parë në shumë vite që raportohet një rritje e numrit të rasteve të tuberkulozit dhe tuberkulozit rezistent ndaj ilaçeve,” thonë nga OBSH.

Shkalla e incidencës, raste të reja për 100 000 individ në vit, është rritur me 3.6 për qind midis 2020 dhe 2021, pasi ka rënë me rreth dy për qind në vit për pjesën më të madhe të 20 viteve të fundit.

“Përfundimi kryesor i këtij raporti është se pandemia e Covid-it vazhdon të ketë ndikim të dëmshëm në aksesin e diagnostikimit dhe trajtimit të tuberkulozit dhe barrën e kësaj sëmundjeje. Progresi i arritur deri në vitin 2019 është ngadalësuar, ndalur ose përmbysur ndërsa arritja e synimeve globale në luftën kundër tuberkulozit nuk është më e arritshme. Përpjekjet e shtuara të mbështetura nga rritja e fondeve nevojiten urgjentisht për të zbutur dhe rikthyer efektet negative të pandemisë së tuberkulozit.”

Tuberkulozi shkaktohet nga një bakter që zakonisht prek mushkëritë. Ashtu si Covidi, ai përhapet përmes ajrit nga njerëzit e infektuar, për shembull nga kollitja. Mund të parandalohet dhe kurohet.

OBSH vlerëson se konfliktet në mbarë botën, kriza globale energjetike dhe rreziqet e lidhura me sigurinë ushqimore ka të ngjarë të përkeqësojnë më tej situatën.