PYETJET MË TË SHPESHTA PËR IMUNIZIMIN E COVID-19: Cila mbrojtje zgjat më shumë, ajo nga vaksina apo nga imuniteti i fituar?

Nëse sëmuremi nga COVID-19 ose nëse vaksinohemi kundër COVID-19, ne zhvillojmë imunitet. Kohëzgjatja e saktë e imunitetit pas shërimit nga sëmundja ose pas vaksinimit akoma nuk është përcaktuar.

Megjithëse për momentin në vend vaksinimi do të kryhet vetëm mbi punonjësit shëndetësorë në qendrat kovid, ekziston interes i madh në publik për imunizimin kundër COVID-19. Këto janë përgjigjet e ekspertëve për pyetjet më të zakonshme në lidhje me vaksinimin kundër COVID-19.

  • A duhet të vaksinohem kundër SARS-CoV-2?

Vaksinimi kundër koronavirusit të ri është në baza vullnetare.

  • Nëse jam vaksinuar kundër virusit SARS-CoV-2, a duhet të mbaj akoma maskë, të mbaj distancën dhe t’u përmbahem masave të tjera paraprake?

Duke pasur parasysh informacionin aktualisht të kufizuar për shkallën në të cilën vaksina ndikon në përhapjen e vetë virusit dhe sa zgjat mbrojtja e krijuar pas vaksinimit, personat e vaksinuar duhet t’i përmbahen të gjitha rekomandimeve aktuale për të mbrojtur veten dhe të tjerët, duke përfshirë:

  1. Mbajtja e maskës
  2. Ruajtja e distancës fizike
  3. Shmangia e tubimeve të mëdha
  4. Larja e shpeshtë e duarve
  5. Vetë-izolimi pas kontaktit të ngushtë me një person të infektuar me koronavirus
  • A mundet që vaksina kundër COVID-19 të shkaktojë vetë sëmundjen, kundër të cilës po vaksinohemi?

Asnjë nga vaksinat e miratuara kundër COVID-19 nuk përmban virus të gjallë që mund të shkaktojë COVID-19. Kjo do të thotë që vaksina kundër COVID-19 nuk mund të shkaktojë infeksion me virusin SARS-CoV-2. Një person mund të ekspozohet ndaj koronavirusit menjëherë pas vaksinimit (para zhvillimit të imunitetit) dhe të zhvillojë simptoma të sëmundjes.

  • A mundet ndonjë vaksinë nga ndonjë prodhues i koronavirusit të ndryshojë kodin tonë gjenetik?

Nuk mundet: asnjë vaksinë në përgjithësi dhe as vaksina e koronavirusit nuk ndikon në ADN-në e personit që vaksinohet. Të gjitha vaksinat janë testuar në prova paraklinike dhe klinike dhe mund të mos aprovohen derisa të përcaktohet siguria dhe efikasiteti i tyre.

  • Disa kanë marrë vaksinën, por përkundër këtij fakti janë infektuar me koronavirus. Si është e mundur?

Kjo mund të ndodhë, por jo për shkak të vaksinës, por sepse vaksina nuk e ka zhvilluar ende efektin e saj. Niveli i caktuar i imunitetit mund të pritet dy javë pas dozës së parë, por ai imunitet nuk do të zhvillohet plotësisht dhe nuk do të parandalojë zhvillimin e sëmundjes. Efikasiteti i plotë i vaksinës arrihet 10 deri në 14 ditë pas marrjes së dozës së dytë. Mbrojtja e vaksinave nuk është 100%, por nëse një person infektohet pas vaksinimit, pamja klinike duhet të jetë më e butë ose nuk duhet të ketë simptoma.

  • Çfarë saktësisht duhet t’i theksohet mjekut ose infermierit para se të marrim vaksinën?

Para vaksinimit, mjeku do t’ju kërkojë informacionin e nevojshëm – e rëndësishme është të tregoni një reaksion të mëparshëm të rëndë alergjik ose sëmundje të rëndë akute / infeksion me temperaturë të lartë trupore. Mjeku do të vendosë nëse duhet të vaksinoheni apo jo bazuar në informacionin tuaj.

  • A zgjat më shumë vaksina apo imuniteti i fituar?

Nëse sëmuremi nga COVID-19 ose nëse vaksinohemi kundër COVID-19, ne zhvillojmë imunitet. Kohëzgjatja e saktë e imunitetit pas shërimit nga sëmundja ose pas vaksinimit akoma nuk është përcaktuar. Sëmundja u shfaq një vit më parë dhe për momentin nuk është e mundur të dihet kohëzgjatja e saktë e imunitetit.