SHKENCËTARËT KINEZ PRETENDOJNË: Kundër koronavirusit të ri, nuk mund të zhvillohet aspak imuniteti afatgjatë!?

Hulumtimi i botuar në revistën shkencore Nature Medicine në 18 qershor, tregon për rreziqet e përdorimit të “pasaportave të imunitetit” për COVID-19 dhe mbështet vazhdimin e masave të shëndetit publik siç është distancimi social dhe izolimi i grupeve me rrezik të lartë, thonë shkencëtarët.

Autoritetet shëndetësore të disa vendeve, të tilla si Gjermania, po diskutojnë mbi etikën dhe mekanizmat e miratimit që personat me antitrupa të lëvizin më lirshëm sesa ata që nuk i kanë.

Studimi, i cili përfshinte 37 pacientë me simptoma të COVID-19 dhe 37 pacientë asimptomatikë, zbuloi se ata që zhvilluan antitrupa IgG, një nga llojet kryesore të antitrupave pas infeksionit, në më shumë se 90 përqind të rasteve, kishin një rënie të mprehtë me kalimin e kohës, në një periudhë prej dy deri në tre muaj.

U zbulua se përqendrimi i antitrupave IgG në fazën akute të sëmundjes dhe fazën e hershme të rimëkëmbjes te pacientët asimptomatikë ishte dukshëm më i ulët, se në ato me simptoma.

Antitrupat shënuan rënie nën pragun e zbulimit në 40% të asimptomatikëve dhe 13% të pacientëve simptomatikë.

Studimi u krye nga studiues në Fakultetin e Mjekësisë Chongqing, degë e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Kinë.

Yin Dong-Jan, profesor i virologjisë në Universitetin Hong Kong i cili nuk ishte pjesë e studimit, tha se studimi nuk përjashton mundësinë që pjesët e tjera të sistemit imunitar të mund të sigurojnë mbrojtje.

Disa qeliza e dinë se si të merren me virusin pasi ato së pari të infektohen, dhe mund të sigurojnë mbrojtje efektive nëse ndodh një valë e re e infeksionit. Shkencëtarët akoma po hetojnë nëse mekanizmi funksionon në koronavirusin e ri.

Edhe nivelet e ulta të qelizave mbrojtëse të fuqishme T dhe B mund të ofrojnë mbrojtje, thonë ekspertët, kështu që përfundimi i këtij studimi nuk do të thotë që këta njerëz do të infektohen për herë të dytë.

“Përfundimi i këtij studimi nuk do të thotë se qielli është shembur”, tha Prof. Yin, duke theksuar se numri i pacientëve të përfshirë në studim ishte shumë i vogël.

Hulumtimi në rastin e SARS dhe MERS ka treguar se antitrupat ndaj këtyre koronavirusëve zgjasin deri në një vit.

Ky është studimi i parë që tregon se antitrupat ndaj koronavirusit të ri që shkakton COVID-19 gjithashtu zhvillohen te pacientët asimptomatikë.