SHKENCËTARËT KROATË ZBULOJNË ÇELËSIN E MBROJTJES AFATGJATE TË COVID-19: Matja e niveleve të antitrupave nuk mund të parashikojë forcën dhe qëndrueshmërinë e imunitetit qelizor

Nga analiza rezultoi se individët që kishin kaluar COVID-19 dhe që nuk janë vaksinuar, nuk kanë zhvilluar imunitet qelizor, ndryshe nga individët e grupeve të mbetura.

Një studim i shkencëtarëve kroatë ka treguar se imuniteti qelizor është çelësi i mbrojtjes afatgjatë kundër COVID-19, ndërsa rezultatet e studimit janë publikuar në revistën shkencore Vaccines, të Shoqatës Amerikane të Virologëve.

Një nga autorët e hulumtimit, Prof. Dr. Dragan Primorac thekson se me këtë hulumtim “është bërë e qartë se përcaktimi i imunitetit qelizor bëhet jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për individët, por edhe për objektivizimin e gjendjes së popullatës së ekspozuar ndaj virusit SARS-CoV-2, me qëllim për të kontrolluar pandeminë aktuale.”

Nga ana tjetër, konfirmon profesori, hulumtimi konfirmon se matja e nivelit të antitrupave nuk mund të parashikojë forcën dhe qëndrueshmërinë e imunitetit qelizor, gjë që është vërejtur nga shkencëtarë të tjerë.

Studiuesit analizuan jetëgjatësinë dhe efektivitetin e imunitetit qelizor tek 200 të anketuar të ndarë në katër grupe. Grupi i parë ishin të anketuarit që e kishin kaluar COVID-19, grupi i dytë ishte i vaksinuar, grupi i tretë ishte vaksinuar dhe që e kanë kaluar kovidin, ndërsa grupi i katërt nuk ishte vaksinuar dhe nuk e kishte kaluar koronavirusin.

Nga analizat rezultoi se individët që nuk e kanë kaluar COVID-19 dhe që nuk janë vaksinuar, nuk kanë zhvilluar imunitet qelizor, ndryshe nga grupet e mbetura.

Imuniteti i ndërmjetësuar nga qeliza, i matur me interferon-gama IFNγ, është treguar gjithashtu se ofron mbrojtje afatgjate kundër COVID-19 deri në 20 muaj pas infeksionit dhe/ose vaksinimit dhe nuk bie me kalimin e kohës.

Imuniteti qelizor në mesin e individëve që e kaluan COVID-19 nuk ndryshonte ndjeshëm nga imuniteti i fituar përmes vaksinimit, ndërsa ata që ishin vaksinuar dhe që e kaluan kovidin kishin një nivel më të lartë statistikisht domethënës të imunitetit qelizor.

Hulumtimet kanë treguar se nuk ka dallim në nivelet e imunitetit qelizor tek meshkujt dhe femrat.

Niveli i imunitetit qelizor nuk kushtëzohej nga koha e kaluar që nga infektimi, ndërsa nivelet e antitrupave në subjektet që kishin qenë të ekspozuar ndaj virusit SARS-CoV-2 për më shumë se 6 muaj ishin statistikisht dukshëm më të ulëta se në grupin e subjekteve që kishin pësuar më pak se 6 muaj.

Autorët theksojnë se këto të dhëna janë mbledhur pak para shfaqjes së variantit omikron të koronavirusit.