SHKENCTARËT SQAROJNË: Sistemi imunitar “mban mend” koronavirusin për të paktën gjashtë muaj

Njerëzit mund të mbrojnë veten kundër një infeksioni të dytë, ri-infeksionit me koronavirusin të paktën gjashtë muaj pasi të kapërcejnë të parin, falë qelizave që "mbajnë mend" virusin, kanë njoftuar shkencëtarët amerikanë dhe zviceranë.

Ekspertët nga Shtetet e Bashkuara studiuan qelizat e dhjetëra njerëzve që ishin infektuar me koronavirus dhe zbuluan se, edhe pse antitrupat e tyre u ulën me kalimin e kohës, nivelet e tyre të qelizave B (B-limfocitet) mbetën të njëjtat.

B-limfocitet janë pjesë e rëndësishme e sistemit imunitar, pasi ato janë qeliza që “mbajnë mend” patogjenët dhe, në rast të ri-infektimit, stimulojnë sistemin imunitar për të ri-prodhuar antitrupa për të luftuar virusin.

“Një përgjigje e tillë e qelizave B është përgjegjëse për mbrojtjen nga ri-infektimi dhe është jetike për vaksinë efektive”, thuhet në studimin e botuar në revistën Nature.

“Hulumtimi ynë ka treguar se “mbajtja mend” e qelizave B nuk zhduket pas gjashtë muajsh, por krejt e kundërta – ajo vazhdon të zhvillohet. Kjo sugjeron që individët të cilët janë infektuar me koronavirus mund të reagojnë shpejt dhe me efikasitet ndaj ri-ekspozimit ndaj virusit”, thuhet në studim.

Studimi përfshiu 87 persona me diagnozë të konfirmuar të COVID-19, të hulumtuar për një periudhë prej një deri në gjashtë muaj pas infektimit.

Aktiviteti i antitrupave të tyre u zvogëlua me kalimin e kohës, por numri i qelizave B nuk ndryshoi. Ky proces duhet të shkaktojë prodhimin e antitrupave të fuqishëm në rast të një infeksioni të dytë.

Sa zgjat imuniteti pas infektimit me koronavirusin e ri është pyetje me të cilën shkencëtarët janë marrë për disa kohë, sepse është çelësi për të parashikuar dinamikën e pandemisë.

Një studim i botuar në revistën Science këtë muaj, zbuloi se pothuajse të gjitha pjesët e rëndësishme të sistemit imunitar që mund të njohin dhe mbajnë mend patogjenin e ri vazhdojnë t’i përgjigjen virusit për të paktën tetë muaj të tjerë.