Këtë vit, Dita Botërore kundër Obezitetit – 11 Tetori, ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi prevalencën, seriozitetin dhe diversitetin e stigmës së kilogramëve (peshës trupore). Sipas Federatës Botërore për luftën kundër obezitetit, stigma ndodh në një gamë të gjerë parimesh, gjë që e identifikon median si një nga shkaktarët kryesor. Shfaqja aktuale e mediave mbi obezitetini i përforcon stereotipet negative dhe të pasakta në lidhje me peshën trupore që mund të çojë në stigmën e kilogramëve. Duke vepruar kështu, Federata u bëri thirrje të gjitha mediave në botë që të ndalojnë përdorimin e gjuhës dhe imazheve stigmatizuese, ndërsa në vend të kësaj ta paraqesin obezitetin në një mënyrë të drejtë, të saktë dhe informuese.
Motoja e shënimit të ditës është “Fundi i Stigmës së Peshës”.
Çfarë është stigma e kilogramëve?
Stigma e peshës trupore i referohet sjelljeve dhe qëndrimeve negative, të cilat u drejtohen individëve vetëm për shkak të peshës së tyre. Nga Federata theksojnë se, nëse duam t’i japim fund stigmës së kilogramëve, e rëndësishme është që të përshtatet fjalori dhe qëndrimet, të rritet ndërgjegjësimi dhe të përmirësohet njohuria e përgjithshme për ndikimin e saj të madh. Duke u fokusuar në stigmën e kësaj Dite Botërore kundër obezitetit, ekspertët thonë se njerëzit duhet të ndihmohen në mënyrë që të kapërcejnë barrierat që dalin si rezultat i stigmës, gjë që në fakt i pengon ata të kërkojnë dhe marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Obeziteti në Klasifikimin Ndërkombëtar të Sëmundjeve përkufizohet si sëmundje gjatë së cilës vjen deri te grumbullimi i tepërt i yndyrës në trup, e cila është pasojë e asaj që me ushqimin merret më shumë energji, sesa që mundet ta harxhojë organizmi.
Në Evropë, më tepër se gjysma e atyre që janë të moshës mbi 18 vjeçare, kanë peshë të tepërt trupore (57.4%). Meshkujt për dallim nga femrat, kanë problem më të madh me kilogramët e tepërt. Por, ajo që është shqetësuese është fakti se, obeziteti nuk është më problem vetëm për të rriturit, por ai shfaqet gjithnjë e më herët gjatë jetës dhe ka pasoja serioze afatgjatë mbi shëndetin e fëmijëve. Stili i të ndejturit ulur i jetesës, aktiviteti i zvogëluar i trupit, ushqimi i pasur me energji, pijet e ëmbla, të gjithë këto janë faktorët që çojnë në zhvillimin e masës së tepërt të trupit dhe të obezitetit, si tek të rriturit ashtu edhe tek fëmijët.