12 Maj – Dita Ndërkombëtare e Infermiereve: Shëndeti është e drejtë njerëzore

Dita Ndërkombëtare e Infermiereve festohet çdo vit në përkujtim të ditëlindjes së Florence Nightingale.

Çdo vit më datë 12 maj, organizuar nga Këshilli Ndërkombëtar i Infermiereve (International Council of Nurses) shënohet Dita Ndërkombëtare e Infermiereve, për kontributin e tyre në shoqëritë anembanë botës. Kjo datë ka kuptim mjaft të rëndësishëm, sepse është ditëlindja e infermieres më të famshme në botë, Florence Nightingale.

Florence Nightingale

Nightingale ka lindur në Firence, Itali, më 12 maj 1820. Ajo e kaloi gjithë jetën duke luftuar për avancimin e profesionit të saj dhe të drejtat e grave. Pasi mbaroi shkollimin e saj, ajo aplikoi për t’u larguar në Turqi, ku së bashku me 38 infermiere të tjera u kujdesën për ushtarët e plagosur. Ata ishin grupi i parë i femrave të cilat shkuan si punëtorë mjekësorë në front. 

Florence Nightingale konsiderohet si pioniere e infermierisë moderne në botë. Ka iniciuar trajnimin profesional për infermieret dhe prezantoi metoda për kujdesin ndaj  pacientit dhe organizimin e spitaleve, të cilat janë pranuar në shumë vende.

 

Dita Ndërkombëtare e Infermiereve festohet në të gjithë botën me qëllim që të nderohet puna e tyre e jashtëzakonshme.

Në luftën e Krimesë, në mesin e shekullit të 19-të, Florence i organizoi spitale në korpusin britanik dhe në mënyrë të konsiderueshme e reformoi shërbimin mjekësor dhe kujdesin ndaj të lënduarve dhe të sëmurëve. Falë kësaj, vdekshmëria në spitalet e terrenit britanik është zvogëluar nga 40 në 2 përqind. Ajo hapi shkollën e parë të infermiereve, ndërsa nxënëset e saj pastaj hapën shkolla  të njëjtat në mbarë botën.

Në prag të ditës së infermjereve, infermieret maqedonase gjithashtu raportuan me mesazhin e tyre, të cilat alarmojnë se Maqedonia po përballet me mungesë të këtij stafi dhe apelojnë që të pengohet largimi i infermiereve nga vendi. Mesazh ky që u dha mbrëmë në Akademinë solemne në Shkup.

“Apeli ynë në Akademinë e sotme solemne është që të ndalojmë largimin e infermiereve. Numrat në Maqedoni nuk përputhen me standardet evropiane, sepse ka 350 infermiere për 100 mijë banorë, ndërsa në Evropë normat janë mbi 600 infermiere për 100 mijë banorë. Për këtë arsye themi se Maqedonia ballafaqohet me mungesën e infermiereve”, tha Gordana Beshilovska, koordinatore e Unionit të Shoqatave të Infermiereve, të cilat janë angazhuar për përmirësimin e kushteve të punës së infermiereve, si dhe rritjen e pagave.