12 Tetori – Dita Botërore Kundër Artritit: Sëmundja që nuk i lë anash fëmijët

Artriti karakterizohet nga dhimbja, shtangimi dhe ënjtja e nyjeve, si dhe lëvizshmëria e zvogëluar e tyre.

Artriti është një gjendje që shkakton inflamacion të nyjeve dhe mund të prekë çdokënd, nga fëmijët e vegjël deri tek të moshuarit. Zakonisht karakterizohet me dhimbjen dhe ngurtësimin e nyjeve, gjë që e bën lëvizjen të vështirë dhe me dhimbje. Edhe pse për trajtimin e kësaj sëmundje ekzistojnë shumë mundësi të reja, megjithatë, trajtimi kryesisht konsiston në trajtimin e simptomave.

12 tetori është Dita Botërore e Luftës Kundër Artritit, ndërsa sipas disa statistikave mjekësore, kjo sëmundje vetëm në Evropë është e pranishme në mbi 300 milionë njerëz.

Motoja e sivjetme e Lidhjes Evropiane për luftën kundër reumatizmit “Mos e shtyj për më vonë, lidhu sot”, ka për qëllim ngritjen e njohurisë dhe aftësive të punonjësve të kujdesit shëndetësor, sidomos mjekëve të përgjithshëm për njohjen e simptomave dhe caktimin e diagnozës së hershme. Në të njëjtën kohë, kjo do të thotë trajtim në kohë për pacientët dhe sigurimin e jetës cilësore me këtë gjendje.

Simptomat

Artriti karakterizohet nga dhimbja, shtangimi dhe ënjtja e nyjeve, si dhe lëvizshmëria e zvogëluar e tyre. Mirëpo, artriti shfaqet në forma të ndryshme, ndërsa shkaktarë varijojnë sipas llojit. Përveç kësaj, inflamacioni i artritit mund të rezultojë nga gjendje të ndryshme, siç është cerma, llupusi dhe fibromialgjia.

Artriti mund të ndahet në tre kategori kryesore. Këto janë disa nga llojet më të zakonshme:

Osteoartriti

Quhet sëmundje degjeneruese e nyjeve dhe është forma më e zakonshme e diagnostifikuar e artritit. Osteoartriti ndodh kur kërci i nyjeve shpërbëhet. Kjo formë e artritit zakonisht ndikon tek gjunjët, ijet, shpina, qafa dhe duart, ndërsa më së shpeshti shfaqet pas moshës 40 vjeçare.

Artriti reumatoid

Ky lloj i artritit ndodh kur veshja brenda nyjeve inflamohet dhe irritohet, gjë që shkakton dëmtimin e nyjeve dhe dhimbje. Zakonisht shfaqet tek nyjet e vogla, zakonisht në nyjet e gishtave dhe krahëve.

Artriti juvenil 

Kjo gjendje përfshin çdo lloj artriti dhe i prek fëmijët e moshës nën 18 vjeçare. Ajo se çka e shkakton zhvillimin e artritit në një periudhë kaq të hershme është e panjohur, por më së shpeshti shfaqet tek vajzat.

Zakonisht i sulmon kyçet e këmbëve, gjunjët dhe nyjet, dhe mund të ndikojë edhe tek ijet, qafa, nofulla dhe shpatullat. Ekzisotjnë shumë forma, por më i zakonshëm është artriti kronik juvenil (tek fëmijët).

Konsiderohet se artriti kronik juvenil është një sëmundje autoimune. Sistemi imunitar e sulmon indin e vet sinovial në nyje, gjatë së cilës si reaksion krijohet lëngu sinovial i tepërt në nyje, rezulton me ënjtje, dhimbje dhe ngurtësim tek nyjet e prekura. Arsyeja për këtë sjellje të sistemit imunitar, nuk është plotësisht e qartë. Konsiderohet se faktorët e trashëguar dhe çrregullimet e sistemit imunitar, si dhe disa agjentë infektivë (viruse, baktere), mund të luajnë rol të rëndësishëm në shfaqjen dhe zhvillimin e sëmundjes.

Ekzistojnë tre lloje kryesore sa i përket mënyrës se si fillon sëmundja:

  • Oligoartriti (30%). Në këtë lloj përfshihen katër ose më pak nyje, zakonisht ndikon  tek gjunjët. Përveç këtyre simptomave, tek oligoartriti shpesh shkaktohet inflamacion në sy, dmth iridocikliti. Iridocikliti mund të bëhet kronik pasiqë është asimptomatik dhe duhet të kalojë në javë ose muaj derisa të diagnostikohet. Prandaj, tek fëmijët e diagnostikuar me artritin juvenil, duhet të kryhen ekzaminime të rregullta oftalmologjike për të zbuluar ndonjë problem me sytë në kohën e duhur.
  • Poliartriti (25%). Quhet poliartriti, sepse përfshinë pesë ose më shumë nyje, ndërsa karakterizohet me fillimin gradual të simptomave. Zakonisht preken nyjet e mëdha si, gjunjët, nyjet e shpatullave, bërrylat, por gjithashtu mund të përhapet edhe tek nyjet e vogla të shuplakave dhe shputave. Sëmundja mund të ndikojë edhe tek ijet dhe tek pjesa cervikale e shtyllës kurrizore.
  • Sëmundje sistemike (5%). Zakonisht gjatë fillimit të kësaj forme vjen deri te shfaqja e temperaturës së rritur trupore, skuqje të lëkurës dhe artralgji të përkohshme ose poliartiti. Fëmijët janë të mërzitur, qanjë, me oreks të zvogëluar, duke dhënë kështu përshtypjen e fëmijëve më të sëmurë të cilët zakonisht qëndrojnë të shtrirë në shtrat, ndërsa nyjet e prekura janë në një pozitë gjysmë të lakuar për të lehtësuar dhimbjen.

Arthritis është sëmundje kronike, trajtimi i së cilës është afatgjatë. Qëllimi i trajtimit është që simptomat e sëmundjes të vihen nën kontroll, në mënyrë që pacientit t’i mundësohet të funksionojë normalisht në kryerjen e aktiviteteve të përditshme.