21 QERSHORI DITA BOTËRORE E MUZIKËS – Terapia me muzikë largon depresionin

"Muzika shpreh atë që nuk mund të thuhet dhe ndaj së cilës është e pamundur të heshtës" - Victor Hugo

Sipas organizatës amerikane të muzikës-terapeutike, deri më tani janë bërë mbi dhjetra studime, të cilat mbështesin përfitimet e terapisë muzikore tek njerëzit me depresion dhe ankth.

Rezultatet e dokumentuara të terapisë muzikore janë:

Zvogëlon tensionin e muskujve;

Rrit vetëbesimin;

Ul ankthin;

Rrit motivimin;

Çlirim emocional i suksesshëm dhe i sigurt.

Në studimin e vitit të 2011 publikuar në “The British Journal of Psychiatry”, hulumtuesit finlandezë vlerësuan 79 individ të moshës 18 deri 50 vjeçare me depresion. Nga këto, 46 pjesëmarrës morën kujdes standard, i cili sipas Qendrës së kujdesit shëndetësor të Finlandës (ku edhe u zhvillua studimi) përfshin pesë deri në gjashtë sesione të psikoterapisë, antidepresantë dhe këshilla psikiatrike. Pjesa e mbetur prej 33 pjesëmarrësve morën trajtimin e njëjtë standard, por njëkohësisht morën edhe 20 seanca javore të terapisë muzikore, secila në një kohëzgjatje prej 60 minutash.

Formula muzikore e seancave u bazua në përzgjedhjen e instrumenteve muzikore, duke përfshirë instrumentet me tela, instrumentet me të goditur dhe daulle akustike. Terapisti dhe klienti kishin instrumente identike, ndërsa të gjitha improvizimet u regjistruan për përpunim dhe diskutim të mëtejshëm. Rezultatet e depresionit u matën në fillim, tre muaj pas ndërhyrjes dhe pas gjashtë muajsh. Pas tre muajsh, pjesëmarrësit që morën terapinë muzikore por edhe kujdesin standard, treguan përmirësim të dukshëm të simptomave depresive, për dallim nga ata që morën vetëm kujdesin standard.

Si funksionon terapia muzikore?

Në terapinë muzikore, terapisti përdor muzikën për t’iu përgjigjur nevojave fizike, emocionale dhe sociale të pacientit. Dëgjimi dhe krijimi i muzikës në kontekstin terapeutik,  ju mundëson pacientëve që të shprehen në mënyrë jo-verbale. Ndikimi i melodisë, harmonisë dhe ritmit, stimulojnë shqisat e individit, si dhe nxisin qetësinë duke ngadalësuar frymëmarrjen, rrahjet e zemrës dhe funksionet tjera trupore. Angazhimi muzikor, sidomos kur kombinohet me terapinë me bisedë e rrit nivelin e hormonit dopamin, i cili luan rol në sjelljet shpërblim-motivuese. Lloji i muzikës që përdoret zakonisht i përshtatet nevojave të pacientit. Shpesh përdoren disa kombinime të muzikës.

Psikiatri Michael Crawford në kolonën e tij në revistën britanike të psikiatrisë, dallon tre arsyet bindëse se përse terapia muzikore funksionon: Së pari, siguron ndjenjë e të kuptuarit dhe kënaqësinë; Së dyti, kjo terapi përfshin trupin dhe i bën njerëzit që të lëvizin – aktiviteti fizik e parandalon depresionin; Së fundmi, muzika na ndihmon të angazhohemi, të komunikojmë me veten dhe me të tjerët.

Terapia muzikore aktive dhe pasive

Terapia muzikore zakonisht është aktive ose pasive. Në terapinë aktive, terapisti dhe pacienti kompozojnë muzikë duke përdorur një instrument ose zëri. Pacienti inkurajohet që të ndajë mendimet dhe ndjenjat të cilat dalin nga kompozimi. Në mënyrë ideale, gjatë tërë procesit, pacienti do të krijoj një pasqyrë për problemet e tij. Në terapinë pasive, pacienti dëgjon muzikë derisa mediton, vizaton ose bën ndonjë aktiviteti tjetër reflektues. Pastaj terapisti dhe pacienti flasin për ndjenjat ose kujtimet e shkaktuara nga muzika.