“Ky është një fenomen natyror”, tha Isabella Catadori, profesoreshë e asociuar e biologjisë në Universitetin e Pensilvanisë. Kjo nuk do të thotë që infeksioni nuk duhet shmangur.
Kur shkencëtarët britanikë zbuluan rastet e para të infeksionit të njëkohshëm me gripin dhe virusin kovid pothuajse dy vjet më parë, ata llogaritën se këta pacientë kishin dy herë më shumë gjasa të vdisnin sesa, ata që ishin infektuar vetëm me koronavirus.
Deri më tani në pandemi, infeksionet shoqëruese kanë qenë të rralla – veçanërisht dimrin e kaluar kur numri i rasteve të infeksioneve të gripit ishte çuditërisht i ulët (ekspertët ia atribuan këtë prirje distancës fizike).
RASTET ME GRIP PO RRITEN
Rastet me grip janë ende në rritje këtë dimër, ndaj ekspertët këshillojnë që të bëhet gjithçka për të shmangur “bashkinfektimin”. Të dy viruset përhapen përmes ajrit, kështu që shmangia e vendeve të paajrosura dhe të mbushura me njerëz duke mbajtur maskë është mënyra më e mirë për të shmangur infektimin me këto viruse. Ka vaksina efektive për të dyja gjendjet.
Normalisht, vaksinat e gripit të këtij viti nuk janë perfekte për variantet e gripit që qarkullojnë, por kjo nuk është arsye për të mos u vaksinuar, thotë Thomas Feket, profesor në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Tempe.
Çdo mbrojtje kundër virusit ndihmon individët, si dhe të tjerët që mund të jenë në një kategori të cenueshme.
Megjithëse infeksionet me shumë viruse janë të zakonshme në të njëjtën kohë, detajet se si reagon sistemi imunitar janë të ndërlikuara dhe varen nga faktorë të tillë si koha e infektimit dhe lloji i virusit.
NGA VJEN SHPREHJA FLURONA?
Është e vështirë të thuhet. Emri është një bashkim fjalësh në gjuhën angleze për gripin (flu) dhe korona.
Termi nuk fitoi popullaritet deri në këtë muaj, ndoshta në përgjigje të titujve për një rast të tillë në Izrael.
Disa ekspertë besojnë se kjo shprehje mund t’i çojë njerëzit në përfundimin e gabuar se po përballemi me një virus të ri hibrid.
E rëndësishme është të theksohet se ato nuk janë i njëjti lloj virusi dhe as nuk mund të bashkohen në një lloj supervirusi. Çdo virus përmban udhëzime gjenetike që e lejojnë atë të kopjojë vetveten.
SI ËSHTË E MUNDUR TË INFEKTOHESH ME TË DY VIRUSET NË TË NJËJTËN KOHË?
Në të njëjtën mënyrë që mund të infektoheni me vetëm një virus: nga ekspozimi.
Nëse një person ndodhet në një vend ku qarkullojnë viruset – domethënë në një vend ku ka njerëz të tjerë – ai mund të ekspozohet ndaj infeksionit me të dy viruset. Ose edhe më shumë.
Është ideale për ata që ndihen të sëmurë të qëndrojnë në shtëpi dhe të zvogëlojnë mundësinë e infektimit me një virus tjetër.
Është problematike që viruset kanë periudhë inkubacioni që mund të zgjasë deri në pesë ditë, kohë gjatë së cilës qelizat e virusit në trup shumohen para shfaqjes së ndonjë simptome të sëmundjes. Mund të ndodhë lehtësisht që dikush të infektohet me më shumë viruse para se të ndjejë ndonjë simptomë dhe të izolohet në dhomën e tij, thonë mjekët.
COVID-19 është një nga viruset që ka një periudhë të gjatë parasimptomatike që mund të zgjasë deri në katër ditë, megjithëse është treguar se te varianti omikron simptomat shfaqen disi më shpejt.
Nëse gjendeni shpesh në grupe të mëdha njerëzish, bashkëinfektimi me gripin dhe koronavirusin nuk është i pamundur.
“Nëse shpesh nuk mbani maskë, ka të ngjarë që të merrni të dy viruset”, shtuan mjekët.
Këto viruse të frymëmarrjes zakonisht hyjnë në trup përmes vrimave të hundës. Ndonjëherë ata arrijnë të “kapin” qelizat në rrugët e frymëmarrjes, pas së cilës depërtojnë në membranën qelizore, ia heqin makinerinë dhe fillojnë të shumohen – që është vetë përkufizimi i infeksionit.
Viruset e gripit kapin acidin sialik, substancë që gjendet në sipërfaqen e qelizave. Koronavirusi i bashkohet sërish receptorit ACE-2. Edhe pse të dy viruset infektojnë qelizat në të njëjtën pjesë të trupit, nuk është e mundur që njëri të kapërcejë tjetrin, thonë mjekët. Për më tepër, ka hapësirë të mjaftueshme për të gjithë në qelizë.
A DO TË JETË MË E FORTË SËMUNDJA ME INFEKTIMIN E NJËKOHSHËM?
Kjo varet nga koha. Nëse personi i infektuar është me fat, përgjigja imune e “pushtuesit” të parë do të ndihmojë në mbrojtjen e trupit nga tjetri, thonë ekspertët.
Kjo për shkak se niveli i parë i mbrojtjes së sistemit imunitar, i njohur gjithashtu si imuniteti i lindur, është jospecifik – nuk është i përshtatur për një lloj virusi specifik.
Qelizat e infektuara e luftojnë virusin në një sërë mënyrash, njëra prej të cilave është prodhimi i proteinës interferon, e cila pas luftimit të njërit virus duhet të ndihmojë trupin të luftojë tjetrin.
Kjo nuk do të thotë se është zgjuarsi të infektohesh qëllimisht me infeksion të dytë. Megjithëse simptomat e një infeksioni të dytë me virus mund të mos përkeqësohen fare, sigurisht që nuk do të ndihmojë.
Është e rëndësishme të theksohet se në shumë raste, një infeksion i dytë mund të përkeqësojë ndjeshëm gjendjen, thotë Artjan Veltuis, biolog molekular.
MUNDËSIA QË VIRUSET TË INFEKTOJNË PJESË TË NDRYSHME TË TRUPIT
Ekziston një probabilitet i lartë që kjo të ndodhë kur viruset infektojnë pjesë të ndryshme të trupit. Gripi prek më së shpeshti traktin e sipërm respirator, ndërsa disa variante të koronavirusit mund të prekin traktin e poshtëm të frymëmarrjes dhe sistemin tretës.
“Infeksioni i kombinuar mund të shkaktojë reaksione imune në shumë vende të trupit, kështu që ndjenja e përgjithshme e dobësisë mund të jetë më e fortë”, tha Dr Veltuis.
ÇFARË TË BËNI NËSE INFEKTOHENI ME FLURONA?
Është e mundur që shumë njerëz të mos e kuptojnë se kanë COVID-19 dhe grip në të njëjtën kohë, sepse testimi për gripin jashtë spitalit nuk është i zakonshëm.
Pavarësisht nëse jeni të infektuar me një ose një virus tjetër, ose të dyja, këshillat e zakonshme zbatohen ende:
Shmangni njerëzit e tjerë. Pini shumë ujë. Kontaktoni mjekun tuaj dhe telefononi një ambulancë nëse keni vështirësi në frymëmarrje.
Trajtimi është i disponueshëm për të dy llojet e infeksioneve. Mbi të gjitha është e rëndësishme të mos panikoni, veçanërisht nëse jeni vaksinuar kundër njërit ose të dy viruseve. Megjithëse vaksina nuk mund të parandalojë infeksionin, ka shumë mundësi që të mos keni simptoma më të rënda.