Shumë kush është përpjekur që të shkruaj mbi temën, se si të përmirësohet sistemi shëndetësor në një vend, prandaj edhe unë do të përpiqem të sjell një pikëpamje personale. Përgjigja e pyetjes së mëparshme është shumë e thjeshtë: duke ndryshuar. Por, ajo që duhet të ndryshohet është thelbi i shumë përpjekjeve të suksesshme dhe jo të suksesshme për të përmirësuar sistemin shëndetësor.
Promovimi i jetës së shëndetshme dhe zakonet e shëndetshme të jetës
Autoritetet shëndetësore duhet të ndryshojnë imazhin e sistemit shëndetësor, nga shërbimi për trajtimin e sëmundjeve, në sistem që kujdeset për promovimin e shëndetit dhe mënyrën e shëndetshme të jetesës. Shumica e sëmundjeve kronike shfaqen si pasojë e sjelljeve njerëzore, pirja e duhanit është shkak i drejtpërdrejtë i sëmundjeve të shumta të mushkërive, obeziteti për sëmundjet e shumta kardiovaskulare dhe metabolike, pasiviteti fizik lidhet drejtpërdrejt me sëmundjet kardiovaskulare dhe të ngjashme. Promovimi i zakoneve të shëndetshme të jetesës, fushata për zvogëlimin e pirjes së duhanit, ushqimi i shëndetshëm, sportet rekreative, shëtitjet dhe të ngjashme, do të zvogëlojë indirekt proporcionin e sëmundjeve kronike. Fushata për dëmtimet që shkaktohen nga pirja e duhanit, futja e normave tatimore shtesë për sheqerin ose alkoolin, ulja e taksave për klubet sportive dhe federatat janë vetëm disa shembuj, të cilat mund të ndikojnë te njerëzit që të bëjnë zgjedhjen e duhur të zakoneve të shëndetshme të jetesës.
Inovacione
Autoritetet shëndetësore duhet të nxisin risitë. Digitalizimi tashmë e ndryshoi plotësisht mënyrën e jetës sonë, e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe në sistemin shëndetësor. Sistemi shëndetësor duhet të transformohet nga një sistem arkaik plot me të dhëna arkivore dhe grumbuj të dhënash e grumbuj letrashn, në një sistem dixhital të ri modern, ku të gjitha informatat softuerike do të përpunohen dhe ruhen dhe do të jenë në dispozicion me shpejtësin e vetëm një klikimi.
Inovacionet duhet të futen përmes aparaturave të reja dhe moderne, me çka do të zëvendësohet aparatura nga nga kohët e kaluara, e cila është harxhuar dhe e ka bërë të vetën. Zgjidhjet e reja softuerike ofrojnë aplikacione që janë të lira, por mbi të gjitha, aplikacione që u përshtaten nevojave të pacientëve.
Të dhënat
Në këtë shekull, të dhënat janë baza e çdo sistemi funksional. Çdo gjë që mund të matet dhe kuantifikohet, mund të ndryshohet dhe përmirësohet. Që të mund ndryshohet dhe të përmirësohet gjendja, baza është njohja e të dhënave. Lidhja e tre niveleve të kujdesit shëndetësor (kujdesi shëndetësor primar, sekondar dhe terciar) është vendimtare në vënien e shpejtë dhe në kohë të vendimeve mjekësore, me qëllimin përfundimtar – shëndeti i pacientit mbi të gjitha. Pengesa më e madhe për avancimin e këtij segmenti është frika e pacientëve që të mos ju kuptohen informatat sekrete mbi shëndetin e tyre. Prandaj, sistemi shëndetësor duhet të përmirësohet dhe të rindërtohet në segmentin e sigurisë së të dhënave, njëkohësisht duke forcuar besimin e pacientëve në sistem, i cili nuk do t’i zhgënjej pritjet e tyre.
Investim
Shumë njerëz mendojnë se investimet në kujdesin shëndetësor janë të pafund. Por shumë vende në botë e kanë kuptuar këtë, kështu që edhe ne duhet që ta kemi të qartë se investimi më i mirë është investimi në shëndetësi. Një komb i shëndetshëm është komb produktiv, i cili mund të kontribuojë në rritjen ekonomike. Për çdo denarë i investuar në mënyrë korrekte në shëndetin e pacientit, kthimi i investimit është të paktën dyfish.