Shkruan: Aleksandra Stojanovska/saska@panacea.mk
Shumica e prindërve shpesh herë nuk janë të sigurt se kur duhet të vizitojnë për herë të parë defektologun ose logopedin. Zakonisht problemet e të folurit vihen re në midis moshës tre dhe katër vjeçare, edhe pse sipas defektologes Agnesa Besimi nga OJQ për punë me fëmijët me nevoja të veçanta AURA, këto probleme fillojnë shumë më herët, atëherë kur fëmija është vetëm 18 muaj. Ajo sqaron se ekzistojnë mjaft arsye që ndikojnë në shfaqjen e problemeve tek të folurit e fëmijëve, por thekson se përdorimi i tepruar i teknologjisë moderne bën që fëmijët të mbyllen në botën e tyre virtuale nën ndikimin e gjuhës anhleze, gjë që çon në vështirësi në komunikimin e fëmijëve.
Kur duhet të kërkojë fëmija ndihmë nga defektologu, kur bëhet fjalë për të folurit?
Besimi: Kur bëhet fjalë për të folurit, prindërit zakonisht vërejnë ndonjë mangësi ose paaftësi atëherë kur fëmija duhet të flasë rrjedhshëm, domethënë rreth moshës tre deri në katër vjet. Në atë moshë, prindërit do të vërejenë se diçka nuk është në rregull me fëmijën e tyre, nuk mund të thotë ndonjë fjalë siç duhet, nuk mund të shqiptojë ndonjë shkronjë, nuk shprehet sa duhet, i përsërit fjalitë që i dëgjon ose nuk flet aspak. Në fakt, këto probleme mund të jenë edhe nga mosha më e hershme e fëmijës, pasiqë zhvillimi tipik normal i të folurit tek fëmijët fillon nga mosha 18 muajshe, kur fëmija fillon të shqiptojë një fjali me dy fjalë për të kërkuar diçka… Kështu që, paaftësia tek të folurit mund të vërehet që në atë moshë.
Fakti është se gjithnjë e më shumë rritet numri i fëmijëve që kanë probleme me të folurit. Cilat janë shkaqet?
Besimi: Shkaktar për shfaqjen e problemeve ose paaftësisë për të folur janë shumë, duke filluar nga faktori gjenetik, problemet gjatë shtatëzanisë. Faktor gjithashtu mund të jetë edhe lindja e parakohshme, fëmija i lindur me peshë të vogël trupore, sëmundjet kronike tek fëmija, sëmundje që prekin sistemin e të folurit. Shkaqet tjera të mundshme janë edhe infeksionet virale dhe infeksionet tjera, pastaj epilepsia, çrregullime të tjera neurologjike, infeksionet neurologjike, çrregullimet shqisore. Gjithashtu edhe çrregullimet atipike të zhvillimit si për shembull: spektri i autizmit, frika, trauma të mëdha, abuzimi i fëmijëve, keqtrajtimi nga prindërit, çrregullime të tjera psikiatrike mund të jenë rrezik faktorë kur është fjala për të folurit tek fëmijët. Por, disa faktorë të tjerë që janë parë kohëve të fundit si “fëmija të flas pa nevojë”, kur prindërit i përmbushin fëmijës çdo dëshirë dhe nuk i lënë asnjë hapsirë për të komunikuar.
Përdorimi i tepruar i teknologjisë moderne çon në mbylljen e fëmijëve në botën e tyre virtuale nën ndikimin e gjuhës, gjë që çon në vështirësi në komunikimin me fëmijën.
Çfarë është dislalia dhe çfarë lloj dislalie ekziston?
Besimi: Dislalia është çrregullimi i artikulimit të fjalëve e cila shfaqet si pasojë e problemeve strukturore të organeve të të folurit tek fëmijët. Problemi lind në shqiptimin e fonemave të caktuara, ndërsa në rastet më të vështira të folurit e fëmijës është është aq i çrregulluar sa që askush nuk mund ta kuptojë atë. Është normale që fëmijët nganjëherë të mos mund të shqiptojnë ndonjë shkronjë, por me kalimin e kohës kjo gjë përmirësohet. Patologjike është kur problemi shfaqet me më shumë shkronja dhe nuk korrigjohet edhe pas pesë viteve.
Llojet e dislalisë janë:
Dislalia evolutiva shfaqet atëherë kur fëmija nuk është në gjendje të imitojë tinguj siç duhet dhe e ndryshon atë.
Dislalia funksionale shfaqet si çrregullim në zhvillimin e artikulimit të të folurit si rezultat i zhvillimit joadekuat dhe mosfunksionimit të organeve periferike të të folurit. Çrregullimi mund të shfaqet tek çdo shkronjë, por më të zakonshmet janë ndryshimet e shkrojnjës s në th ose z, etj, ndryshime të shkronjës r në l ose j, shkronja l në j ose ndryshimi i shkronjës ç.
Dislalia audiologjike shfaqet tek fëmijët me probleme dëgjimi ose të shurdhër, të cilët të folurit e dëgjojnë mekanikisht nga pamundësia e dëgjimit, prandaj për këtë arsye vjen deri te çrregullim i shqiptimit të fonemeve dhe artikulimi joadekuat.
Dislalia organike shfaqet si rezultat i dëmtimit të sistemit nervor qendror ose organeve të të folurit si gjuha, buzët etj.
Sa kohë është e nevojshme dhe si mund të bëhet aftësimi i këtyre fëmijëve?
Besimi: Nuk mund të thuhet se ekziston një kornizë kohore e caktuar për të arritur efektet e dëshiruara në çrregullimet e të folurit tek fëmijët. E gjitha varet nga aftësia e fëmijës, si dhe nga lloji dhe shtrirja e dëmit. Puna individuale intensive me fëmijën me një logoped ose defektolog mund të zgjasë me muaj, madje edhe me vite. Puna që duhet bërë duhet të jetë individuale, duhet të përgatitet në mënyrë të përshtatshme në përputhje me nevojat, aftësitë dhe dëmtimet e fëmijës, në mënyrë që të krijohet komunikim i duhur dhe cilësor me të.
Pas çrregullimit të të folurit a ka edhe ndonjë problem tjetër, si për shembull problemi me vëmendjen?
Besimi: Ekzistojnë edhe shumë dëmtime të tjera që mund të ndjekin dëmtimin e të folurit. Duke filluar nga dëmtimi i dëgjimit dhe mungesa e kësaj shqise, fëmija nuk mund të imitojë dhe të artikulojë zëra (duhet të kemi parasysh se fëmijët me dëmtime dëgjimi mund të flasin). Gjithashtu, edhe çrregullimet e spektrit të autizmit mund të përkojnë me çrregullimet e të folurit dhe mungesën së të folurit, si dhe të folurit ekolalit (përsëritja e fjalëve), që është një nga simptomat më dominante. Gjithashtu, edhe fëmijët me deficit në intelekt mund të kenë çrregullim tek të folurit, si dhe lidhjen e fjalieve. Fëmijët me çrregullime të sjelljes dhe fëmijët hiperaktiv mund të zhvillojnë dislalia. Fëmijët me çrregullime psikologjike: si frika, abuzimi, keqtrajtimi ose trauma mund të zhvillojnë çrregullime te të folurit siç është belbëzimi ose ndërprerja selektive e të folurit deri te ndërprerja përfundimtare në një kohë të caktuar.
Përse është i rëndësishëm parandalimi logopedik (defektologjik) për zhvillimin e duhur të të folurit të fëmijës? Çfarë do të thotë kjo?
Besimi: Ndërhyrja e defektologut ose e logopedit është i rëndësishëm për fëmijët me çrregullime tek të folurit për të zhvilluar komunikimin me shoqërinë dhe për të ditur se si të shprehin nevojat dhe dëshirat e tyre. Tek një fëmijë që nuk flet ose flet shumë pak, duhet të punohet në zhvillimin e të paktën një fjalim bazë, me të cilën do të jetë në gjendje të kërkojë ndonjë nevojë, në mënyrë që të parandalohet frustrimi i mëtejshëm. Kjo gjë vlen edhe për fëmijët me çrregullime të artikulimit të tingujve dhe rrokjeve, në mënyrë që në një të ardhme të afërt, të jenë të pavarur në komunikimin e tyre dhe zhvillimin e mëtejshëm, pasiqë në shoqëri komunikimi dhe shkëmbimi i informacionit kryesisht bëhet përmes të folurit. Ndërsa fëmijët që zakonisht flasin një gjuhë të huaj kryesisht gjuhën angleze, por jo edhe gjuhën amtare, fillimisht është e domosdoshme që të vendosen themelet gjuhësore të gjuhës amtare, sepse në këtë mënyrë do të vazhdojë komunikimi me shoqërinë dhe edukimin me qëllim të parandalimit të problemeve të mëtejshme të fëmijës.