Akupunktura përfshin futjen e gjilpërave shumë të holla përmes lëkurës tuaj në disa pika të veçanta në trupin tuaj. Një komponent kyç i mjekësisë tradicionale kineze, akupunktura përdoret zakonisht për të trajtuar dhimbjen. Përdoret gjithnjë e më shumë për shëndetin e përgjithshëm, duke përfshirë menaxhimin e stresit.
Mjekësia tradicionale kineze shpjegon akupunkturën si një teknikë për balancimin e rrjedhës së energjisë ose forcës jetësore – e njohur si chi ose chee – e cila besohet se rrjedh nëpër rrugë (meridiane) në trupin tuaj. Duke futur gjilpëra në pika specifike përgjatë këtyre meridianëve, akupunkturistët besojnë se presioni juaj i energjisë do të ribalancohet.
Në të kundërt, shumë praktikues perëndimorë i shohin pikat e akupunkturës si vende për stimulimin e nervave, muskujve dhe indit lidhës. Disa besojnë se ky stimulim rrit qetësuesit natyralë të trupit tuaj.
Akupunktura e veshit përfshin vendosjen e gjilpërave të akupunkturës në pika të veçanta rreth veshit. Këto pika besohet se korrespondojnë me organe të caktuara, emocione ose ndjenja.
Përse bëhet
Akupunktura përdoret kryesisht për të lehtësuar shqetësimet e lidhura me një sërë sëmundjesh dhe kushtesh, duke përfshirë:
Të vjella të shkaktuara nga kimioterapia dhe pas operacionit
Dhimbje dhëmbi
Fibromialgjia
Dhimbje koke, duke përfshirë dhimbje koke tensioni dhe migrenë
Dhimbjet e lindjes
Dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës
Dhimbje qafe
Osteoartriti
Dhimbje menstruale
Çrregullime të frymëmarrjes, të tilla si riniti alergjik
Bërryl tenisi
Rreziqet
Rreziqet e akupunkturës janë të ulëta nëse keni një akupunkturist kompetent dhe të licencuar që përdor gjilpëra sterile. Efektet anësore të zakonshme përfshijnë dhimbje dhe gjakderdhje të lehtë ose mavijosje në vendin ku janë futur gjilpërat. Gjilpërat me përdorim të vetëm janë tashmë standardi i praktikës, kështu që rreziku i infeksionit është minimal. Jo të gjithë janë kandidatë të mirë për akupunkturë.
Para se të filloni trajtimin me akupunkturë, sigurohuni që t’i tregoni mjekut tuaj nëse:
Keni një çrregullim të gjakderdhjes. Shanset tuaja për gjakderdhje ose mavijosje nga gjilpërat mund të rriten nëse keni çrregullime të gjakderdhjes ose merrni hollues gjaku.
Keni një pejsmeker (simulues kardiak). Akupunktura, e cila përfshin aplikimin e impulseve të lehta elektrike në gjilpëra, mund të ndërhyjë potencialisht në funksionimin e një stimuluesi kardiak.
Jeni shtatzënë. Disa pika akupunkture mendohet se stimulojnë lindjen, e cila mund të rezultojë në lindje të parakohshme.
Si të përgatiteni për akupunkturë?
Nuk kërkohet përgatitje e veçantë përpara trajtimit me akupunkturë.
Përzgjedhja e një mjeku
Nëse po mendoni për akupunkturë, ndërmerrni të njëjtat hapa si zgjedhja e një mjeku:
Pyesni njerëzit që ju u besoni më së shumti për rekomandimin e tyre
Kontrolloni trajnimin dhe kredencialet e mjekut. Shumica e shteteve kërkojnë që akupunkturistët jo-mjekë të kalojnë një provim të administruar nga Komisioni Kombëtar i Certifikimit për Akupunkturën dhe Mjekësinë Orientale.
Intervistoni mjekun. Pyesni se çfarë përfshin trajtimi, sa gjasa ka të ndihmojë gjendjen tuaj dhe sa do të kushtojë.
Zbuloni nëse sigurimi juaj mbulon trajtimin.
Tregoni mjekut tuaj se po planifikoni të bëni akupunkturën. Ai ose ajo mund të jetë në gjendje t’ju tregojë për shkallën e suksesit të përdorimit të akupunkturës për gjendjen tuaj ose të rekomandojë një akupunkturist tjetër.
Çdo akupunkturist ka një stil unik, duke përzier shpesh herë aspekte të qasjeve dhe traditave lindore dhe perëndimore ndaj mjekësisë. Për të përcaktuar llojin e trajtimit të akupunkturës që do t’ju ndihmojë më shumë, mjeku juaj mund t’ju pyesë për simptomat, sjelljen dhe mënyrën e jetesës. Ai ose ajo mund të shqyrtojë gjithashtu:
Pjesët e trupit tuaj që janë të dhimbshme
Forma, veshja dhe ngjyra e gjuhës suaj
Ngjyra e fytyrës suaj
Forca, ritmi dhe cilësia e pulsit në kyçin tuaj
Një seancë akupunkture mund të zgjasë deri në 60 minuta, megjithëse disa takime mund të jenë shumë më të shkurtra. Një plan i zakonshëm trajtimi zakonisht përfshin një ose dy trajtime në javë. Numri i trajtimeve do të varet nga gjendja që trajtohet dhe ashpërsia e saj. Në përgjithësi, është e zakonshme të merren gjashtë deri në tetë trajtime.
Gjatë procedurës
Pikat e akupunkturës gjenden në të gjitha zonat e trupit. Ndonjëherë pikat e duhura janë larg zonës së dhimbjes suaj. Akupunkturisti juaj do t’ju tregojë vendndodhjen e përgjithshme të trajtimit të planifikuar dhe nëse keni nevojë të hiqni ndonjë veshje. Do të sigurohet një mantel, peshqir ose çarçaf. Shtriheni në një tavolinë enkas për këtë lloj masazhe e cila përfshin:
Futja e gjilpërave. Gjilpërat e akupunkturës futen në thellësi të ndryshme në pika të veçanta të trupit tuaj. Gjilpërat janë shumë të holla, kështu që futja zakonisht shkakton pak shqetësim. Njerëzit shpesh nuk i ndiejnë fare. Në një trajtim tipik përdoren 5 deri në 20 gjilpëra. Ju mund të ndjeni një dhimbje të lehtë kur gjilpëra arrin thellësinë e duhur.
Manipulime me gjilpërë. Mjeku juaj mund t’i lëvizë ose rrotullojë butësisht gjilpërat pas vendosjes ose të aplikojë nxehtësi ose impulse të lehta elektrike në gjilpëra.
Heqja e gjilpërës. Në shumicën e rasteve, gjilpërat qëndrojnë në vend për 10 deri në 15 minuta ndërsa jeni shtrirë dhe relaksoheni. Zakonisht nuk ka shqetësime kur hiqen gjilpërat.
Pas procedurës
Disa njerëz ndihen të relaksuar dhe disa të tjerë ndihen të mbushur me energji pas një trajtimi me akupunkturë. Por jo të gjithë i përgjigjen akupunkturës. Nëse simptomat tuaja nuk fillojnë të përmirësohen brenda disa javësh, akupunktura mund të mos jetë e duhura për ju.
Rezultatet
Përfitimet e akupunkturës ndonjëherë janë të vështira për t’u matur, por shumë njerëz e shohin atë të dobishme si një mjet për të kontrolluar një sërë kushtesh që shkaktojnë dhimbje.
Megjithatë, disa studime tregojnë se disa lloje të akupunkturës së simuluar funksionojnë po aq mirë sa akupunktura e vërtetë. Ekzistojnë gjithashtu prova që akupunktura funksionon më mirë tek njerëzit që kanë pritshmërinë e tyre pozitive, se akupunktura tek ta do të funksionojë.
Akupunktura ka pak efekte anësore, kështu që ia vlen të provoni nëse keni probleme me kontrollin e dhimbjes me metoda më konvencionale.