Arritje domethënëse në mjekësi – Testi i ri zbulon kancerin para se të zhvillohet

Besohet se ky test do të bëhet i disponueshëm ndërkombëtarisht në pesë vitet e ardhshme

Testi i ri i gjakut mund të zbulojë një lloj të caktuar të kancerit disa vjet para se personi të sëmuret dhe që tani shihet si një përparim domethënës në mjekësi, shkruan Daily Telegraph.

“Ky zbulim tregon se studiuesit janë në pragun e një epoke të re në mjekësi”, tha Simon Stevens, drejtor ekzekutiv i Shërbimit Kombëtar të Shëndetit në Angli (NHS).

Në kuadër të hulumtimit u testuan 1 400 pacientë dhe u vërtetua saktësia prej 90% për procedurën që identifikon markerët e ADN-së. Besohet se ky test do të bëhet i disponueshëm ndërkombëtarisht në pesë vitet e ardhshme.

“Me teknologjinë e re të diagnostifikimit të hershëm dhe të saktë, ka më shumë gjasa që të mposhtim këtë sëmundje”, theksoi Stevens, i cili gjithashtu shtoi se Anglia është lider në aplikimin e teknologjisë mjekësore dhe të ashtuquajturës mjekësi të personalizuar e cila do të transformojë mjekimin e kancerit.