Ass. Dr. Hristijan Duma: Pse është i rëndësishëm ekzaminimi i rregullt i syve te pacientët diabetikë

Pothuajse se 65% e pacientëve për herë të parë shkojnë te okulisti kur ata tashmë kanë probleme me shikimin, ndërsa rreth 6% shkojnë te okulisti në një fazë kaq të vonshme të dëmtimit të shikimit, kur pothuajse nuk mund të bëhet asgjë për të përmirësuar shikimin.

Shkruan: Ass. Dr. Hristijan Duma

Oftalmolog, drejtor i Klinikës së sëmundjeve të syve në Shkup


Diabeti po bëhet epidemi globale dhe është shkaktari i katërt më i zakonshëm i morbiditetit nga sëmundjet jo ngjitëse në botë, menjëherë pas sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit dhe sëmundjeve të frymëmarrjes. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në vitin 2014 ka pasur 422 milion njerëz me diabet (8.5% e popullsisë së rritur në botë) krahasuar me 108 milion në vitin 1980. Urbanizimi i shtuar, rritja e konsumit të ushqimit jo të shëndetshëm, kryesisht mënyra e jetesës së qëndruarit ulur pa aktivitet fizik, çojnë në shtimin në peshë dhe si rezultat i mbipeshës çojnë në rritjen dramatike të prevalencës globale së diabetit, sidomos në vendet e varfëra.

Diabeti është sëmundje kronike metabolike, që karakterizohet nga hiperglikemia kronike e cila në një afat të gjatë shkakton komplikime kryesisht për shkak të ndikimit në enët e gjakut.

Si rezultat i komplikimeve makrovaskulare, pacientët me diabet vuajnë nga sëmundjet kardiake dhe cerebrovaskulare si sulmi në zemër ose sulmi në tru, ndërsa kur ndryshimet prekin enët e gjakut të gjymtyrëve, shkaktojnë sëmundje vaskulare periferike që mund të rezultojë me amputimin e ekstremiteteve. Më të rëndësishmet nga ndërlikimet mikrovaskulare janë retinopatia, nefropatia dhe neuropatia.

Ekzaminimi i rregullt i syve është i një rëndësie të veçantë për diagnostikimin e hershëm të retinopatisë diabetike.

Retinopatia është shkaktari më i zakonshëm i verbërisë te popullata e aftë për punë. 1 në 3 pacientë me diabet do të zhvillojnë retinopati gjatë jetës.

Në një studim online me 652 të rritur me diabet, humbja e shikimit ishte ndërlikimi që kishte efekt më të madh në aftësinë e tyre për të kryer detyrat e përditshme.

Në një studim tjetër me 2 044 diabetikë të rritur në Shtetet e Bashkuara, humbja e shikimit u përshkrua si ndërlikim, që potencialisht kishte ndikimin më të madh ndaj aktiviteteve të përditshme (˃ 45% e të anketuarve), probleme me zemrën (21%) dhe ndërlikime të veshkave (11%).

Përkundër kësaj frike nga humbja e shikimit, jemi dëshmitar se më pak se 30% e pacientëve me diabet vizitojnë okulistin për ekzaminim të rregullt. Pothuajse se 65% e pacientëve për herë të parë shkojnë te okulisti kur ata tashmë kanë probleme me shikimin, ndërsa rreth 6% shkojnë te okulisti në një fazë kaq të vonshme të dëmtimit të shikimit, kur pothuajse nuk mund të bëhet asgjë për të përmirësuar shikimin.

Studimi DR Barometër, përfshiu 41 vende në të gjithë botën, dhe u zhvillua si në mesin e pacientëve me diabet (4 340), ashtu edhe në mesin e punonjësve të shëndetësisë (2 329) dhe ofroi informacione shtesë se si është të jetohet me diabet, si të trajtohen pacientët, informacione mbi retinopatinë diabetike dhe edemën makulare diabetike. 79% e diabetikëve që tashmë kishin shikim të dëmtuar për shkak të retinopatisë diabetike ose edemës makulare diabetike, u raportua që gjendja e tyre u përbënte problem në kryerjen e aktiviteteve të përditshme si vozitja, shkuarja në punë, përfundimi i obligimeve të shtëpisë, madje 20% e tyre kishin vështirësi në trajtimin e sëmundjes themelore, shikimi i dëmtuara u pengonte në matjen e rregullt të nivelit të sheqerit në gjak dhe marjes së insulinës.

Shikimi normal

Shikimi i dëmtuar

Çfarë duhet të bëni për të shmangur këtë situatë?

  • Pacientët me diabet të tipit 1 – duhet të bëjnë ekzaminim të syve jo më vonë se 5 vjet pas diagnostikimit dhe më pas të vazhdojnë të shkojnë rregullisht për kontroll te okulisti.
  • Pacientët me diabet të tipit 2 – kontrolli i syve duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur pas caktimit të diagnozës (shpesh herë pacientët në kohën e diagnostikimit tashmë kanë ndryshime në retinë) dhe përsëriten çdo vit ose çdo të dytin vit.

Ekzaminimi i rregullt i syve është veçanërisht i rëndësishëm për diagnostikimin e hershëm të retinopatisë diabetike!

Si të parandaloni retinopatinë diabetike?

Kontroll të rregullt të syve Të paktën një herë në vit – do të ndihmojë në diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin në kohë
Kontroll të rregullt të glikemisë Ruani vlerën optimale të sheqerit në gjak, vlerat e rritura çojnë në shumë komplikime, përfshirë edhe retinopatinë
Matje të rregullt të tensionit të gjakut Ruajtja e vlerave normale të tensionit të gjakut zvogëlon ndërlikimet mikrovaskulare për 33%
Matje të rregullt të yndyrave në gjak Ruajtja e vlerave normale të kolesterolit dhe triglicerideve e ulin rrezikun e edemës makulare diabetike për 2-3 herë