Evropa po regjistron një rritje të numrit të rasteve të infeksionit me Escherichia coli (E. coli) rezistente ndaj barnave antimikrobiale ekzistuese, tregojnë të dhënat nga Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC), duke paralajmëruar njëkohësisht se ky infeksion është “duke u përhapur me shpejtësi”.
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe Zonës Ekonomike Evropiane (EEA) raportuan “një numër të shtuar të izolimeve të E. coli që mbartin gjenin blaNDM-5, i cili i bën ato rezistente ndaj karbapenemeve”, njoftoi ECDC në mes të muajit maj.
“Karbapenemët janë antibiotikë me spektër të gjerë “të përdorur si mjeti i fundit për t’i trajtuar infeksionet më të rënda të Escherichia coli”, thuhet në gjetjet e ECDC, duke paralajmëruar se shtamet e baktereve që mbartin blaNDM-5 janë “tashmë të krijuara” dhe “përfaqësonin një kërcënim të ri” ndaj tyre duke marrë parasysh faktin se mund të jetë rezistent ndaj antibiotikëve të tjerë, duke përfshirë aminoglikozidet, fluorokinolonet dhe trimethoprim-sulfametoksazol.
E. coli është shkaktari më i zakonshëm i infeksioneve të qarkullimit të gjakut dhe traktit urinar (UTI) në Evropë, njoftoi ECDC.
Një studim i muajit mars nga shkencëtarët në Shtetet e Bashkuara tregoi se E. coli zoonotike e shkaktuar nga ushqimi shkakton gjysmë milioni infeksione të traktit urinar çdo vit.
ECDC, agjencia e BE-së, qëllimi i së cilës është ta forcojë mbrojtjen e popullatës së Evropës kundër sëmundjeve infektive, pohon se lloji rezistent ndaj barnave antimikrobiale është ndoshta i lidhur me vendet në Afrikë dhe Azi.
ECDC e mbështet këtë pretendimin e tij në informacionin për udhëtimet dhe hospitalizimet e individëve. Ata tregojnë se më shumë se 80 për qind e rasteve të infeksionit mund të vijnë nga zona jashtë Evropës.
Agjencia rekomandon forcimin e mëtejshëm të masave për zbulimin e hershëm të infeksionit dhe kontrollin e tij, dhe paralajmëron se përhapja e një lloji rezistent brenda dhe midis institucioneve të kujdesit shëndetësor mund ta rrisë gjithashtu barrën që e ndjejnë sistemet e kujdesit shëndetësor në të gjithë Evropën.
Më shumë se 35,000 njerëz vdesin çdo vit në vendet evropiane si rezultat i infeksioneve rezistente ndaj antibiotikëve.
Lloji E. coli që mbart gjenin blaNDM-5 po përhapet me shpejtësi dhe në një shkallë më të madhe gjeografike. Prandaj ekziston rreziku që numri i infeksioneve rezistente ndaj karbapenemit E. coli të rritet në BE/EEA brenda pak viteve, paralajmëron ECDC.
Përktheu dhe përshtati:S.N