ÇFARË DIHET DERI TANI: A është deltacron më i rrezikshëm se variantet e mëparshme të koronavirusit?

Një kombinim i delta dhe omicron është zbuluar në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. A është ky mutacion hibrid më i rrezikshëm se ai ekzistues? Një numër relativisht i vogël rastesh janë zbuluar deri më tani.

Kur një shkencëtar qipriot foli për herë të parë në fillim të janarit për një kombinim të varianteve delta dhe omicron të koronavirusit, pati një shqetësim të madh në botë, por shpejt u shua: Gabim! Bëhej fjalë për një kontaminim në në laborator.

Dy muaj më vonë, infeksionet me kombinimin e delta dhe omicron u zbuluan në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Nuk janë raportuar shumë raste deri më tani, por forma hibride deltacron na kujton se pandemia nuk është as afër fundit – megjithëse disa vende ndërkohë kanë hequr kryesisht kufizimet.

DËSHMI PËR VARIANTIN HIBRID

“Tani është mjaft e qartë se ky është me të vërtetë varianti deltacron,” thekson Luka Chichin-Schein, kreu i departamentit të imunologjisë virale në Qendrën kërkimore të infeksioneve Helmholtz.

Organizata Botërore e Shëndetësisë po përgatitej gjithashtu për shfaqjen e një varianti të ri hibrid. “Edhe ne e njohim këtë variant. Është një kombinim i delta AY.4 dhe omicron BA.1,” tha Maria van Kerhove, eksperte e OBSH-së përgjegjëse për koronavirusin. Ajo shtoi se kjo pritet në kushtet kur dy variante të koronavirusit (delta dhe omicron) po qarkullojnë në mbarë botën.

A ËSHTË DELTACRON NJË VARIANT MË I RREZIKSHËM?

Delta është një variant që ka shkaktuar formë më të rëndë të sëmundjes tek shumë njerëz ndërsa omicron është një variant akoma më ngjitës. Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se kombinimi i tyre është më i rrezikshëm.

Një analizë e sekuencave gjenomike e kryer nga Instituti francez Pasteur tregon se deltacron përmban mutacione karakteristike në të dy linjat, sipas bazës së të dhënave gjenetike Gissaid.

Nga varianti omicron BA.1, deltakroni mori pothuajse të gjithë proteinën spike dhe e kombinoi atë me pjesë të variantit AY.4.

Ekziston shqetësimi se ky variant hibrid më infektiv mund të përhapet tani, veçanërisht në vendet ku kufizimet janë lehtësuar. Kështu, pandemia mund të vazhdojë dhe, falë përqindjes së infeksioneve delta, mund të fillojë të shkaktojë sërish sëmundje më të rënda COVID-19.

NUK KA ARSYE PËR PANIK!

Por shumica e ekspertëve reagojnë relativisht të qetë ndaj deltacronit. Deri më tani vetëm raste të izoluara janë raportuar në Gjermani, Francë, Holandë, Danimarkë, Britani dhe Shtetet e Bashkuara. Kjo sugjeron që varianti i ri hibrid mund të mos jetë aq i rrezikshëm.

“Nëse do të ishte një variant që përhapet shumë më shpejt dhe shkakton sëmundje të rralla, atëherë do të kishim shumë më tepër raste”, shpjegon imunologu Chichin-Shain.

Mendim të njejt ka edhe Etienne Simon-Lorier i Institutit Pasteur, i cili thotë se varianti i ri hibrid është ende jashtëzakonisht i rrallë dhe nuk tregon shenja të zgjerimit eksponencial. Në përkthim: varianti i ri nuk po përhapet me ritme shqetësuese. Edhe mjeku amerikan Pierre Corey thotë se nuk ka arsye për t’u shqetësuar.

SI U KRIJUA DELTACRON?

Fakti që ekspertët reagojnë kaq të qetë ndaj shfaqjes së deltacron mund të justifikohet me faktin se variante të ngjashme – si SARS-CoV-2 i rekombinuar, janë shfaqur tashmë në disa raste.

“Kjo ndodh kur jemi në një fazë kalimtare nga një variant dominues në tjetrin, përndryshe është thjesht një kuriozitet shkencor, asgjë më shumë se kaq”, shpjegon shkencëtari Jeffrey Barrett.

Hibride të tilla, të ashtuquajturat rekombinantë, formohen kur njerëzit infektohen me dy variante të koronavirusit në të njëjtën kohë. Kjo, natyrisht, ndodh mjaft rrallë, por në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, omicron “përmbysi” deltën nga froni i variantit dominues. Është e mundur që njerëzit që kanë qenë në kontakt me të dy variantet në të njëjtën kohë janë infektuar si me delta ashtu edhe me omikron.