Sipas psikologëve, fëmijët që janë rritur me prindër që u kanë dhënë dashuri të pakushtëzuar kanë disa karakteristika që nuk i kanë bashkëmoshatarët. Nëse fëmija ka marrë shumë pak dashuri në fëmijërinë e tij, kjo lë pasoja të shumta për të në vitet e mëvonshme. Ekspertët thonë se ekzistojnë disa shenja që tregojnë se prindërit tanë nuk na kanë dhënë mjaftueshëm dashuri kur ishim fëmijë.
Njëra nga shenjat se ne kemi marrë shumë pak vëmendje ose dashuri nga prindërit tanë në fëmijëri është nëse vazhdimisht kemi frikë të themi mendimin tonë. Psikologët e quajnë këtë nevojë për të kënaqur vazhdimisht të tjerët. Gjegjësisht, personat që luftojnë me këtë problem, në fëmijëri shpeshherë dënoheshin duke u neglizhuar apo injoruar kur bënin diçka të keqe, për këtë arsye ata e konsiderojnë të keqe çdo mosmarrëveshje me të tjerët.
Përveç kësaj, njerëzit që nuk janë dashur mjaftueshëm si fëmijë janë shpesh të prirur ndaj perfeksionimit. Ata ndiejnë gjithmonë nevojën për të treguar veten, të njëjtën gjë që duhet të bënin si fëmijë për t’u vlerësuar apo lavdëruar nga prindërit e tyre. Ata mendojnë se do të jenë të dashur vetëm nëse janë të suksesshëm, të pasur apo të njohur, shpjegojnë psikologët.
Dhe shenja e fundit që tregon se një person nuk ka marrë mjaftueshëm dashuri prindërore në vitet e tij të para lidhet me vendosjen e kufijve. Domethënë, këta persona shpesh nuk dinë të vendosin kufij në marrëdhëniet e tyre me njerëzit e tjerë, më së shpeshti me partnerët e tyre apo kolegët në punë. Frika e tyre e fëmijërisë nga mosmarrëveshjet ose konfliktet e mundshme manifestohet në moshën e rritur.