Virologët po shikojnë disa variante të COVID të detektuar tek i njëjti grup i mutacioneve. Ja çfarë do të thotë.
Në fund të marsit, varianti KP.2 shkaktoi rreth 4% të infeksioneve në SHBA, sipas CDC, ndërsa lloji i tij am, JN.1, shkaktonte mbi 50% të infeksioneve në atë kohë. Në fillim të majit, KP.2 përbënte rreth 28% të infeksioneve, duke tejkaluar JN.1 si variantin dominues.
KP.2 është një nga disa variantet e quajtur “Variantet FliRT”, të emërtuara sipas emrave teknikë për mutacionet e tyre. Prevalenca e këtyre varianteve vjen në një kohë kritike, kur ekspertët po vendosin se si të formulojnë vaksinën e vjeshtës kundër Covid.
Në këtë drejtim, Dr. Endi Pekosh, profesor i mikrobiologjisë molekulare dhe imunologjisë, shpjegon se çfarë vërejnë virologët si ai, nëse këto variante mund të shkaktojnë një valë verore infeksionesh dhe si njerëzit mund të mbrohen.
Çfarë janë “Variantet Flirt”?
Ky është termi i përdorur për të përshkruar një familje të tërë variantesh të ndryshme—përfshirë KP.2, JN.1.7 dhe të gjitha variantet e tjera që fillojnë me KP ose JN—që duket se kanë fituar në mënyrë të pavarur të njëjtin grup mutacionesh. Ky quhet evolucioni konvergjent. Ata janë të gjithë pasardhës të variantit JN.1 që ka qenë dominues në SHBA gjatë muajve të fundit.
Mutacionet e veçanta që njerëzit i quajnë “FLiRT” ose “FLip” i referohen pozicioneve specifike – në këtë rast, pozicionet 456, 346 dhe 572.
Viruset si SARS-CoV-2 kanë mutacione të shpeshta dhe kur ato ndryshojnë për të shmangur njohjen nga antitrupat, shpesh dobësojnë aftësinë e tyre për t’u lidhur me qelizat që duan të infektojnë. Pastaj ne shohim se si lindin mutacione që përmirësojnë atë aftësi lidhëse. Ky është një cikël që e kemi parë shumë herë me SARS-CoV-2. Fakti që këto variante të ndryshme grumbullojnë të njëjtat mutacione u tregon virologëve se ky kombinim mutacionesh ndihmon që virusi të arrijë në mënyrë më efikase këto qëllime.
Sa këto mutacione ndihmojnë që virusi të lidhet me qelizat duke shmangur antitrupat?
Dy nga këto mutacione – 456 dhe 346 – eliminojnë vendet lidhëse për antitrupat që neutralizojnë SARS-CoV-2. Megjithatë, të njëjtat vende lidhëse të antitrupave janë gjithashtu të rëndësishme që virusi të lidhet dhe të hyjë në qeliza. Kështu, me shmangien e antitrupave, këto variante FLiRT mund të kenë humbur njëfarë aftësie për t’u lidhur me receptorin e tyre. Në të njëjtën kohë, mutacioni 572 duket se lejon që virusi të lidhet më fort me qelizat dhe në fund të shkaktojë infeksion.
Personat që kanë pasur së fundmi COVID-in a kanë ndonjë mbrojtje kundër infeksionit nga variantet e FLiRT?
Infeksioni JN.1 duhet të sigurojë mbrojtje mjaft të fortë kundër të gjitha varianteve FLiRT. Dallimi midis JN.1 dhe këtyre varianteve është vetëm një ose dy ndryshime aminoacide, kështu që ka ende shumë vende të tjera ku antitrupat duhet të lidhen. Infeksioni me një variant më të vjetër se JN.1 ka më pak gjasa të ofrojë një mbrojtje të tillë.
Sa mirë funksionojnë vaksinat aktuale të COVID-19 kundër varianteve të FLiRT?
Kundër JN.1, një vaksinë e krijuar rreth XBB.1.5 gjeneroi disa antitrupa ndër-reaktivë. Studimet nuk janë bërë ende tek disa nga këto variante më të reja, por ato ka të ngjarë të jenë më pak ndër-reaktive. Kanë kaluar gjithashtu disa muaj që kur shumë njerëz morën dozën e fundit të vaksinës dhe imuniteti ulet me kalimin e kohës.
Në shkurt, CDC rekomandoi një dozë shtesë të vaksinës aktuale Covid për të rriturit 65 vjeç e lart që e morën në vjeshtë. Tani shtrohet një pyetje se cilat do të jenë drejtimet gjatë verës. Ne kemi parë marrje mjaft të ulët të këtyre përforcuesve shtesë kur rekomandohet, madje edhe në popullatat me rrezik të lartë, kështu që është e paqartë nëse do të rekomandohej një dozë e tretë e vaksinës aktuale. Nëse numri i rasteve mbetet relativisht i ulët, kjo mund të mos jetë e nevojshme.
A duhet të parashikojmë se këto variante do të shkaktojnë rritje të rasteve këtë verë?
Sigurisht që është e mundur. Variantet e FLiRT do të ishin të larta në listën time të viruseve që mund të shkaktojnë një valë tjetër infeksionesh në SHBA. Megjithatë, përkufizimi ynë për një valë ka ndryshuar; ndërsa ne ende shohim që normat e rasteve rriten dhe bien gjatë gjithë vitit, ne po shohim shumë më pak shtrime në spital ose vdekje sesa kemi parë në vitet e para të pandemisë.
E megjithatë, ndërsa këto valë po bëhen më të vogla, ato ende kanë ndikimin më të madh në popullatat tona më të cenueshme: të moshuarit, ata me imunitet të ulët dhe ata me gjendje të tjera mjekësore. Të gjithë mund të luajnë një rol në mbrojtjen tek popullata me rrezik kur variantet e reja shkaktojnë rritje të rasteve.
Sa mund të ndikojnë këto variante në të ardhmen kur edhe po planifikohet një përbërje e re e vaksinës COVID konkretisht në vjeshtë?
Kjo është koha e vitit kur organet qeverisëse si OBSH dhe FDA rekomandojnë formulimin për vaksinat e përditësuara Covid që do të dalin në fillim të vjeshtës. Vitin e kaluar, vaksinat u bazuan në variantin XBB.1.5 dhe vetëm pak muaj më vonë, varianti JN.1 u bë varianti dominues në Shtetet e Bashkuara.
Në fund të prillit, OBSH njoftoi se grupi i tyre këshillues për vaksinën Covid rekomandoi përdorimin e llojit JN.1 si një antigjen për formulimet e ardhshme të vaksinave. Të gjitha këto variante FLiRT janë në familjen e varianteve JN.1.
Këtu në Shtetet e Bashkuara, FDA ka shtyrë takimin e saj të përcaktimit të vaksinës Covid të vjeshtës 2024 nga mesi i majit deri në fillim të qershorit. Kjo u jep atyre më shumë kohë për të parë se cili nga variantet e FLiRT bëhet dominues, në mënyrë që ata të mund të përshtatin rekomandimin e OBSH-së me atë që ata presin që do të jetë më i spikatur në vjeshtë.
Variantet e reja të COVID ka të ngjarë të shfaqen pasi të merret një vendim – ashtu siç ishte verën e kaluar – por synimi mbetet për të zgjedhur një formulim që, në vjeshtë, do të përputhet sa më shumë me variantet në qarkullim.
Shënim i redaktorit: Në qershor 2024, Komiteti Këshillues i Vaksinave dhe Biologjive të Përafërta të FDA-së këshilloi që vaksinat e COVID-19 për përdorim në Shtetet e Bashkuara duke filluar nga vjeshta 2024 duhet të jenë vaksina monovalente të linjës JN.1, me një preferencë KP. 2 nëse është e mundur.
Cilat janë simptomat e zakonshme dhe afati kohor i transmetimit për variantet e FLiRT?
Kur bëhet fjalë për simptomat, ne nuk shohim asgjë të re apo ndryshime të këtyre varianteve. Ne vazhdojmë të shohim sëmundje më të lehta, por kjo ndoshta nuk është për shkak se virusi është më i butë, por sepse imuniteti ynë tani është shumë më i fortë. Pas disa vite të vaksinimi dhe infeksioneve, shumica e popullsisë është më e aftë të luftojë infeksionin pa u shqetësuar për sëmundje të rënda.
Periudha infektive për këto variante “FLiRT” mbetet e njëjtë si për JN.1 dhe variantet e mëparshme të omicron: pas ekspozimit, mund të duhen pesë ose më shumë ditë para se të zhvilloni simptoma, megjithëse simptomat mund të shfaqen më herët. Ju jeni ngjitës një deri në dy ditë para se të përjetoni simptoma dhe disa ditë pasi simptomat të zhduken. Dhe si me variantet e mëparshme, disa njerëz mund të kenë virus deri në një javë pas fillimit të simptomave të tyre, dhe disa mund të përjetojnë simptoma të rikthimit.
Testimi në shtëpi mbetet një mjet vërtet i rëndësishëm për të ditur nëse mund të infektoni potencialisht të tjerët.
Si mund të mbrojnë njerëzit veten dhe të dashurit e tyre për rreth?
Ashtu si me çdo virus respirator, edhe kur nivelet kombëtare të rasteve janë të ulëta, është e zakonshme të shihet një rritje e infeksioneve në një zonë të vendit, por jo në një tjetër. Mbani një sy në shifrat e rasteve në rajonin tuaj ose kudo që planifikoni të udhëtoni për të ditur nëse keni nevojë të merrni masa paraprake shtesë, si mbajtja e një maske ose grumbullimi në zona të ajrosura mirë. Disa departamente lokale sinjalizojnë një rritje të afërt të rasteve. Kjo është veçanërisht e dobishme pasi njerëzit përjetojnë sëmundje më të lehta; ato raste mund të mos kërkojnë shtrimin në spital, por gjithsesi do të zbulohen në të dhënat e tyre.
Është gjithmonë një ide e mirë të mbani disa teste për COVID në shtëpi në rast se filloni të ndiheni të sëmurë. Testimi – qoftë në shtëpi apo në kujdesin shëndetësor – do të sigurojë që ju të dini se me çfarë jeni infektuar, gjë që mund të informojë planin më të mirë të trajtimit nëse jeni në një grup me rrezik të lartë ose nëse simptomat tuaja përparojnë në një sëmundje më serioze.
Nëse ndiheni të sëmurë, ndiqni udhëzimet e CDC-së për sëmundjet e frymëmarrjes. Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse planifikoni të kaloni kohë me miqtë ose familjen që janë në rrezik më të lartë të sëmundjes serioze.
Alisa Rosen është një strateg i përmbajtjes dixhitale në Shkollën e Shëndetit Publik Xhons Hopkins Bloomberg.