ÇFARË DUHET TË DINI PËR VARIANTET MË TË REJA TË KORONAVIRUSIT: Sa kohë duhet që të shfaqen simptomat e para pasi jeni infektuar me omicron

Koronavirusi që u shfaq në vitin 2020 dhe ai që u shfaq më 2022 vazhdojnë të mbeten të njëjtat viruse, por janë të ndryshëm për sa i përket simptomave, ashpërsisë së sëmundjes dhe komplikimeve afatgjata.

Variantet si alfa, beta dhe delta kanë dëmtuar seriozisht shëndetin tonë dhe kanë rritur rrezikun e sëmundjeve të tjera shëndetësore, por pasardhësit e tyre – omicron, edhe pse më ngjitës, duket se shkaktojnë infeksione më të lehta. Përveç kësaj, të dy nënvariantet e omicron BA.4 dhe BA.5 janë bërë dominante në shumë pjesë të botës.

ÇFARË DUHET TË DINI PËR NËVARIANTET E OMIKRON BA.4 Dhe BA.5?

Nënvariantet e omicron BA.4 dhe BA.5 u zbuluan për herë të parë në Afrikën e Jugut në janar, gjegjësisht shkurt 2022. Ata janë aktualisht versioni më i fundit dhe më dominues i omicron, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka raportuar se BA.5 përbën më shumë se gjysmën e infeksioneve në botë, ndërsa nënvarianti BA.4 përbën pak më shumë se një në dhjetë.

Nga ana tjetër, ekspertët thonë se këto janë variantet më infektive, të cilat shmangin imunitetin e fituar më parë, por që zakonisht shkaktojnë një formë më të lehtë infeksioni.

A ËSHTË MË E SHKURTË PERIUDHA E INKUBACIONIT ME VARIANTET E REJA?

Përsa i përket nënvarianteve të omicron BA.4 dhe BA.5, periudha e inkubacionit është një tjetër gjë që doli në pah me to. Pra, sa kohë duhet që simptomat të shfaqen pas ekspozimit ndaj nënvarianteve të reja?

Dr. Alison Arvadi, nga Departamenti i Shëndetit Publik të Çikagos, thotë se studimet e fundit kanë treguar se periudha e inkubacionit për COVID-19 është shkurtuar me rritjen e varianteve të reja dhe tani është rreth tre ditë.

Një studim, i botuar në revistën JAMA Network Open, studioi dhe analizoi 141 studime për të zbuluar se si periudha e inkubacionit për koronën, që është koha nga kur infektoheni deri në momentin kur fillojnë të shfaqen simptomat e para, ka ndryshuar që nga fillimi i 2020 .

Studiuesit e Pekinit zbuluan se me çdo variant të ri, periudha e inkubacionit zvogëlohej ndjeshëm. Varianti omicron thuhet se ka afatin më të shkurtër kohor midis infeksionit dhe fillimit të simptomave. “Periudhat e inkubacionit për COVID-19 të shkaktuara nga alfa, beta, delta dhe omicron ishin përkatësisht 5.00, 4.50, 4.41 dhe 3.42 ditë,” thanë studiuesit.

PSE DISA EKSPERTË MENDOJNË SE KY ËSHTË “LAJM I MIRE”?

Dr. Arvadi beson se ky është “lajm i mrekullueshëm”.

“Ky është një lajm i mrekullueshëm nga pikëpamja e kontrollit të sëmundjes dhe sepse një nga sfidat më të mëdha me Covid është se, kur periudha e inkubacionit është e gjatë, ju mund të merrni Covid dhe potencialisht do të duhet një kohë e gjatë para se të shihni simptoma të rëndësishme, ndërsa ju do të përhapni virusin. Pra, lajmi i mirë është se periudha e inkubacionit po shkurtohet”, thotë ajo.

Megjithatë, sipas udhëzimeve të OBSH-së, periudha e inkubacionit për COVID-19 mbetet mesatarisht 5 deri në 6 ditë dhe mund të zgjatet deri në 14 ditë.

ÇFARË SIMPTOMA JANË TË PRANISHME TANI?

“Duket se kanë ndryshuar pak tani që nënvarianti omicron BA.5 është me të vërtetë dominues. Duket se shkakton më pak simptoma dhe mund të jetë më e butë në shumicën e njerëzve. Sigurisht, ka përjashtime dhe disa njerëz ende marrin forma shumë të rënda të sëmundjes. Është e mundur që BA.5 të shkaktojë simptoma me një sasi më të vogël të virusit dhe kjo mund të shpjegojë simptomat pak më të lehta”, thotë Prof. Tim Spector.

Si simptoma dominuese, ai vë në pah dhimbjen e fytit dhe dhimbjen e kokës, të ndjekura nga hundët e zëna dhe kolla e thatë. Simptoma të tjera përfshijnë rrjedhjen e hundës, zërin e ngjirur, teshtitjen, lodhjen, dhimbjet e muskujve dhe marramendjen.