Agjencitë shëndetësore të Bashkimit Evropian kanë rekomanduar dozën e dytë përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 për të gjithë njerëzit mbi moshën 60 vjeç për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve dhe të shtruarve në spital në të gjithë Evropën.
Megjithëse vaksinat ekzistuese vazhdojnë të ofrojnë mbrojtje të mirë kundër shtrimit në spital dhe vdekjes, efikasiteti është ulur ndërsa virusi ka evoluar.
“Është thelbësore që të gjithë mbi moshën 60 vjeçe dhe të gjithë njerëzit e ndjeshëm të vijnë për një dozë të dytë përforcuese sa më shpejt të jetë e mundur”, tha komisionerja evropiane për shëndetësinë, Stella Kyriakides.
Që nga prilli, agjencitë shëndetësore të BE-së kanë rekomanduar një dozë të dytë përforcuese vetëm për ata mbi 80 vjeç dhe më të rrezikuarit.
Rekomandimi i ri pritet të lehtësojë vendimet kombëtare për të përshpejtuar fushatat e vaksinimit, të cilat u ngadalësuan pothuajse deri në ndalesë në muajt e fundit.
“Aktualisht po shohim rritje të rasteve të raportuara me COVID-19 dhe një tendencë në rritje të pranimeve dhe mbushjes së spitaleve dhe njësi të kujdesit intensiv në disa vende, të nxitura kryesisht nga nënvarianti omicron BA.5”, tha Dr. Andrea Amon, drejtor i qendrës evropiane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve.
Prodhuesit e vaksinave si Moderna dhe Pfizer kanë testuar versione të vaksinave të tyre të modifikuara për të luftuar variantin BA.1 të omicron.
Megjithëse ata thanë se ato vaksina gjeneruan një përgjigje të mirë imune kundër BA.1 dhe varianteve që qarkullojnë së fundmi, ata vunë re përgjigje më të ulët kundër BA.4 dhe BA.5.
Agjencia evropiane e barnave, EMA, e cila aktualisht po shqyrton dy vaksina të përshtatura me variantet, pret që vaksinat e para të gjeneratës së ardhshme të miratohen deri në shtator.
“Ndërkohë, është e rëndësishme të merret në konsideratë përdorimi i vaksinave të miratuara aktualisht si një buster i dytë tek njerëzit që janë më të ndjeshëm”, tha Emir Kuk, drejtor ekzekutiv i Agjencisë evropiane të barnave.
Në vend që nga java e kaluar, me vendim të Komisionit të sëmundjeve infektive dhe Komisionit Kombëtar të Imunizimit, ka nisur vaksinimi me dozën e katërt të vaksinës kundër COVID-19.
Dozën e katërt mund ta marrin personat mbi 18 vjeç, të cilët kanë marrë tre doza të vaksinës kundër COVID-19. Për të marrë dozën e dytë përforcuese ose dozën e katërt të vaksinës kundër COVID-19, nuk kërkohet termin, por duhet të shkoni vetëm në ndonjë nga pikat e vaksinimit në qytetin ku jetoni.
“Vaksinimi me dozën e katërt është planifikuar të kryhet me vaksinën mARN të “Pfizer” apo “Moderna”. Intervali i rekomanduar ndërmjet dozës së tretë dhe të katërt, pra dozave përforcuese, është të paktën katër muaj”, thekson Ministria e Shëndetësisë.
Vaksinimi me dozën e katërt rekomandohet veçanërisht për pacientët me sëmundje kronike, pacientët me dializë, pacientët me transplante, pacientët onkologjikë, pacientët me imunitet të kompromentuar dhe pacientët që marrin terapi imunosupresive dhe imunomoduluese për çdo indikacion dhe te personat mbi 60 vjeç.
Në vend, sipas informacioneve nga ministria, ka sasi të mjaftueshme vaksinash, të cilat janë të sigurta dhe efektive.