Disa viruse mund të prishin sinjalizimin që mban nën kontroll rritjen dhe përhapjen e qelizave. Infeksionet mund të dobësojnë sistemin imunitar, gjë që dobëson aftësinë e trupit për të luftuar zhvillimin e kancerit. Disa nga faktorët infektues shkaktojnë inflamacion kronik i cili përfundimisht mund të çojë në kancer. Nga të gjithë faktorët infektues, viruset janë më të rëndësishmit për zhvillimin e kancerit. Shumica përhapen nga personi në person përmes gjakut dhe/ose lëngjeve të tjera të trupit, kështu që ju mund të mbroni veten duke u vaksinuar, duke shmangur mardhëniet e pambrojtura dhe duke mos përdorur gjilpëra të përbashkëta. Ja çfarë duhet të mbani mend:
PARAQITJA E LIMFOMËS
Virusi Epstein-Barr. Bëhet fjalë për një lloj herpes virusi, i cili përveç mononukleozës së njohur, mund të shkaktojë edhe limfomë dhe kancer të epifaringut (pjesa e sipërme e faringut/fytit). Kryesisht transmetohet përmes pështymës, për shembull duke puthur dhe duke përdorur furçat e dhëmbëve ose gotat. Mund të transmetohet edhe nëpërmjet gjakut, ndërsa infeksioni është i përjetshëm. Është vlerësuar se më shumë se 90% e njerëzve do të infektohen me këtë virus gjatë jetës së tyre, por shumica e njerëzve nuk kanë asnjë simptomë. Aktualisht nuk ka asnjë vaksinë, as ndonjë trajtim specifik.
KANCERI I MËLQISË
Viruset e hepatitit B dhe C (HBV dhe HCV). Këto viruse mund të çojnë në inflamacion kronik të mëlçisë dhe përfundimisht në kancer të mëlçisë. Të dy viruset transmetohen përmes gjakut (transfuzion gjaku, gjilpëra të përbashkëta), mardhënie të pambrojtura ose nga nëna tek fëmija gjatë lindjes. Vaksinimi kryhet në tre doza, pas së cilës më shumë se 95% e të vaksinuarve zhvillojnë antitrupa mbrojtëse dhe personat e tillë konsiderohen të mbrojtur për tërë jetën. Që nga prezantimi i vaksinimit, mund të vërehet ulje e ndjeshme e numrit të pacientëve. Aktualisht nuk ka vaksinë për hepatitin C, por me terapitë e reja ekziston mundësia e shërimit të sëmundjes.
KANCERI I QAFËS SË MITRËS, ANUSIT, MUSHKËRIVE, MËLÇISË SË ZEZË DHE FARINGUT
Virusi i imunodeficencës (HIV). HIV është virusi që shkakton SIDA-n, gjendje e imunitetit të dobësuar që është terren pjellor për zhvillimin e infeksioneve të tjera që mund të çojnë në kancer. Personat e infektuar me HIV kanë rrezik në rritje të zhvillimit të disa llojeve të tumoreve, si sarkoma e Kaposit, limfoma, kanceri i qafës së mitrës, anusit, mushkërive, mëlçisë dhe faringut. HIV transmetohet nëpërmjet gjakut dhe mardhënieve të pambrojtura, ndërsa rreziku më i madh është tek homoseksualët dhe përdoruesit e drogës intravenoze. Nuk ka vaksinë, por është bërë përparim i dukshëm në trajtimin e pacientëve.
TUMORET MALINJE TË QAFËS SË MITRËS DHE KANCERI I OROFARINGSIT
Human papillomavirusi (HPV). HPV është virus që ka shumë nëntipe, ndërsa infeksioni me nëntipe me rrezik të lartë është shkaku i pothuajse të gjitha tumoreve malinje të qafës së mitrës. Mund të shkaktojë gjithashtu kancer të orofaringut (pjesa e mesme e faringut), vaginës, vulvës dhe penisit. Llojet me rrezik të lartë përhapen përmes kontaktit të drejtpërdrejtë seksual, duke përfshirë seksin vaginal, oral dhe anal. Janë zhvilluar disa lloje vaksinash për të parandaluar infeksionin. Vaksinat bivalente, tetravalente dhe nëntëvalente mbrojnë kundër infeksionit me tipet 16 dhe 18, të cilët shkaktojnë më shumë se 70 për qind të kancereve të qafës së mitrës. Vaksina katërvalente përmban edhe llojet 6 dhe 11, të cilat më së shpeshti shkaktojnë lytha gjenitale, ndërsa vaksina nëntëvalente, përveç llojeve 16, 18, 6 dhe 11, përmban edhe llojet 31, 33, 45, 52, 58. Ajo rekomandohet që vaksinimi të bëhet para fillimit të aktivitetit seksual (para kontaktit me virusin). Megjithatë, vaksinimi rekomandohet edhe për ata që janë seksualisht aktivë, sepse njerëzit, nëse tashmë janë të infektuar, përgjithësisht nuk janë të infektuar me të gjitha llojet e parandalueshme nga vaksina.
KARCINOMA E LUKTHIT
Helicobacter pylori. Është bakter që njihet si shkaktar i ulçerës në lukth, por mund të çojë në kancer ose të ashtuquajtur limfoma MALT e lukthit. Mendohet se transmetohet përmes ushqimit ose ujit të kontaminuar dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me gojë. Sipas disa vlerësimeve, dy të tretat e popullsisë së botës janë bartës të këtij bakteri dhe shkalla e infeksionit është veçanërisht e lartë në vendet më pak të zhvilluara. Infeksioni me Helicobacter pylori trajtohet me sukses me antibiotikë.