Simptomat e COVID ndryshojnë sipas natyrës dhe kohëzgjatjes me çdo variant të ri. Në valën e rasteve të shkaktuara nga nënvarianti i omicron BA.5, simptoma të caktuara mund të zgjasin më shumë se të tjerat.
Ekspertët vërejnë se këtë herë vërehen më shumë simptoma të sistemit të sipërm respirator, si dhimbje të fytit, lodhje, temperaturë dhe rrjedhje hundësh. Mjekët shtojnë se ashpërsia dhe lloji i simptomave mund të ndryshojnë shumë nga një njeri tek tjetri.
KOLLITJA
Dr. Alison Arvadi, nga Departamenti i Shëndetit Publik të Çikagos, thotë se kolla ka të ngjarë të jetë simptoma që zgjat më shumë.
“Kolla ka tendencë të jetë simptoma më e qëndrueshme. Kur shëroheni, mund të ndiheni më mirë, por mund të keni akoma acarim dhe kollë, që nuk do të thotë se jeni infektiv, por zakonisht kjo është simptoma e fundit që do të përjetoni”, shpjegon doktor Arvadi.
Ajo shton se lodhja është një tjetër simptomë që mund të zgjasë edhe pak. Prandaj, këshillohet që pas rikuperimit t’u ktheheni ngadalë aktiviteteve rutinë dhe vetëm kur të ndiheni gati.
SA ZGJATIN SIMPTOMAT E KOVID-it AFATGJATË?
Shumica e njerëzve me COVID shërohen brenda disa ditësh deri në disa javë pas infektimit. Por për disa, simptomat mund të zgjasin shumë më gjatë. Simptomat e Covid-it të zgjatur mund të përfshijnë një gamë të gjerë problemesh shëndetësore që mund të zgjasin me javë, muaj ose vite.
Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), “Simptomat në shumicën e pacientëve përmirësohen ngadalë me kalimin e kohës. Megjithatë, për disa njerëz, gjendjet pas shërimit nga COVID mund të zgjasin me muaj por edhe me vite.”
SIMPTOMA TJERA AFATGJATA
Një studim i kohëve të fundit i botuar në revistën Northwestern Medicine zbuloi se shumë simptoma tek të sëmurët me COVID afatgjatë përjetohen ende deri në 15 muaj pas fillimit të koronavirusit. Këto përfshijnë ndjesi shpimi gjilpërash, dhimbje koke, marramendje, shikim të turbull dhe lodhje.
- Simptoma më të shkurtra
Dr. Arvadi thekson se temperatura është një nga treguesit kryesorë të infeksionit dhe gjithashtu një nga simptomat e para që zhduket. Ne i kushtojmë shumë rëndësi temperaturës, sepse përderisa temperatura zgjat, ka shumë inflamacion në trupin tuaj, ndërsa shpesh jeni shumë infektiv.
Temperatura e lartë është gjithashtu një nga simptomat e para që mund të përjetojnë njerëzit e infektuar me COVID-19.
- Simptomat e hershme
Temperatura, dhimbja e kokës, dhimbja e fytit ose lodhja janë disa nga simptomat më të hershme që një person i infektuar zakonisht mund të përjetojë, shpjegojnë mjekët nga Johns Hopkins Medicine.
Disa pacientë gjithashtu përjetojnë humbje të shijes ose nuhatjes si simptomë e hershme, por kjo nuk është aq e zakonshme me variantet e fundit të virusit.
Një studim nga studiuesit në Universitetin e Kalifornisë Jugore zbuloi se ethet mund të jenë simptoma e parë, e ndjekur nga kolla dhe dhimbjet e muskujve. Më pas, personi i infektuar ka të ngjarë të përjetojë nauze, të vjella ose diarre.
Për disa njerëz, simptomat e tretjes mund të jenë gjithashtu shenja e parë e infeksionit me COVID. Ato zhvillohen fillimisht, pasuar nga simptomat e frymëmarrjes, ndoshta një ditë më vonë.