Cilat simptoma mund t’i përjetoni përpara se të shfaqen shenjat e njohura të koronavirusit të ri?

Para shfaqjes së simptomave të koronavirusit të ri si ethe, probleme me frymëmarrjen, kollë... mund të ketë të tjera që nuk do t'i shoqëronin kurrë me këtë virus.

Gjithnjë e më shumë hulumtime mbi koronavirusin e ri, po sjellin njohuri të rëndësishme për sëmundjen COVID-19. Hulumtimi i ri ka zbuluar se virusi mund të ndikojë në të gjithë sistemin nervor, përfshirë trurin dhe palcën kurrizore.

Gati se gjysma e pacientëve të shtruar në spital me COVID-19 gjithashtu kanë probleme neurologjike, duke përfshirë dhimbje koke, marramendje, vigjilencë të zvogëluar, vështirësi në përqëndrim, çrregullim të ndjenjës së nuhatjes dhe shijes, rraskapitje dhe dhimbje të muskujve.

“Fillimisht mendohej se ndikonte vetëm në sistemin e frymëmarrjes, por tani e kuptojmë se koronavirusi prek edhe shumë organe të tjera në sistemin nervor qendror dhe periferik”, shkruajnë studiuesit në revistën Annals of Neurology.

Përveç mushkërive, COVID-19 prek pothuajse të gjithë trupin e njeriut.

Ata gjithashtu theksojnë se këto simptoma neurologjike mund të ndodhin para fillimit të etheve dhe simptomave të tjera, tani të njohura të COVID-19. Përveç kësaj, shkencëtarët shtojnë se koronavirusi mund të ndikojë në të gjithë sistemin nervor, duke përfshirë trurin, nervat, palcën kurrizore, muskujt, ndërsa theksojnë se truri mund të ndjejë pasojat për shkak të mungesës së oksigjenit.