India, me një popullsi prej 1.3 miliardë, deri më tani ka raportuar 6.3 milion të infektuar – menjëherë pas Shteteve të Bashkuara, e cila është në krye të botës për sa i përket numrit të rasteve të infektuara dhe mbi 98.000 vdekjeve nga COVID-19.
Ramann Laksminarayan, studiuesi kryesor që punoi në studim, tha se ekipi i tij zbuloi se 70 përqind e të infektuarve nuk e transmetuan sëmundjen tek askush.
Një grup më i vogël me 8 përqind të infektuar, ishte shkaku i 60 përqind të rasteve të reja.
Studiuesit në gusht studiuan mënyra të transmetimit midis më shumë se gjysmë milioni kontakteve të ekspozuara ndaj 85.000 rasteve të konfirmuara në dy vende në Indi, ku jetojnë 118 milion njerëz.
“Rezultatet tregojnë se me çdo masë të marrë, duhet patur kujdes që jo të gjithë njerëzit të transmetojnë virusin në të njëjtën mënyrë dhe që fëmijët mund të jenë të rëndësishëm në zinxhirin e transmetimit,” tha Laksminarayan.
Studimi përfshiu dhjetëra mijëra punonjës shëndetësorë të cilët kanë monitoruar kontaktet për gjashtë muajt e fundit, shtoi Laksminarayan, drejtor i Qendrës për dinamikën e sëmundjeve në Uashington.