Denga është një infeksion viral që transmetohet nga mushkonjat dhe është më i zakonshëm në klimat e ngrohta dhe tropikale. Infeksioni shkaktohet nga cilido prej katër viruseve të dengës të lidhura ngushtë (të quajtur serotipe) dhe këto mund të çojnë në një gamë të gjerë simptomash, duke përfshirë disa që janë jashtëzakonisht të buta (jo të dukshme) deri tek ato që mund të kërkojnë ndërhyrje mjekësore dhe shtrimin në spital. Në raste të rënda, mund të ndodhin vdekje. Nuk ka trajtim për vetë infeksionin, por simptomat që përjeton pacienti mund të kontrollohen.
Në fillim të këtij viti, OBSH e renditi dengën si një kërcënim potencial dhe shpërthimet aktuale në shumë vende e konfirmojnë këtë. Shpërthimet e dengës priren të kenë modele sezonale, me transmetimin që shpesh arrin kulmin gjatë dhe pas stinëve me shi. Ka disa faktorë që kontribuojnë në këtë rritje dhe këta përfshijnë nivelet e larta të popullatës së mushkonjave, ndjeshmërinë ndaj serotipeve qarkulluese, temperaturat e favorshme të ajrit, reshjet dhe lagështia, të cilat të gjitha ndikojnë në riprodhimin dhe mënyrën e të ushqyerit të popullatës së mushkonjave, si dhe periudha e inkubacionit.
“Ethet e dengës” është sëmundje tropikale që shkaktohet nga mushkonjat. Simptomat zakonisht fillojnë tre deri në katërmbëdhjetë ditë pas infektimit. Përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje koke, të vjella, dhimbje muskujsh dhe kyçesh dhe kruajtja është karakteristikë e këtij infeksioni. Rikuperimi zakonisht zgjat dy deri në shtatë ditë. Tek një numër i vogël rastesh, sëmundja zhvillohet me ethe hemorragjike, që rezulton në gjakderdhje, nivele të ulëta të trombociteve në gjak dhe rrjedhje të plazmës së gjakut, ose sindromën e shokut, ku shfaqet presioni i ulët i gjakut në mënyrë të rrezikshme.
Dy lloje të vaksinave të dengës janë miratuar dhe janë të disponueshme në treg. Më 5 dhjetor 2022, Agjencia Evropiane e Barnave miratoi “Qdenga”, një vaksinë katërvalente për të rriturit, adoleshentët dhe fëmijët nga mosha katër vjeçare. Vaksina Dengvaxia e vitit 2016 rekomandohet vetëm për njerëzit që kanë qenë të infektuar më parë ose në popullata me një shkallë të lartë të infeksionit të mëparshëm në moshën nëntë vjeçare. Metoda të tjera parandaluese përfshijnë reduktimin e habitatit të mushkonjave dhe kufizimin e ekspozimit ndaj pickimeve. Kjo mund të bëhet veshur rroba që mbulojnë një pjesë të madhe të trupit. Trajtimi i dengës akute përfshin dhënien e lëngjeve nga goja ose intravenoz për sëmundje të lehta ose të moderuara. Për rastet më të rënda, mund të kërkohet një transfuzion gjaku Paracetamoli (acetaminophen) rekomandohet në vend të barnave anti-inflamatore jo-steroide, për të ulur temperaturën dhe për të lehtësuar dhimbjen e dengës për shkak të rritjes së rrezikut të gjakderdhjes nga përdorimi i ilaçeve anti-inflamatore.
Përshkrimet më të hershme të kësaj epidemie datojnë që nga viti 1779. Shkaqet dhe përhapja e tij virale nuk u hetua deri në fillim të shekullit të 20-të. Denga është bërë një problem global që nga Lufta e Dytë Botërore dhe është e zakonshme në më shumë se 120 vende, kryesisht në Azinë Juglindore, Azinë Jugore dhe Amerikën e Jugut. Rreth 390 milion njerëz infektohen çdo vit, rreth gjysmë milioni kërkojnë shtrimin në spital dhe rreth 40 mijë vdesin. Në vitin 2019 është vërejtur një rritje e ndjeshme e numrit të rasteve. Ajo klasifikohet si një sëmundje tropikale e lënë pas dore.