Të gjithë kemi dëgjuar për depresionin pas lindjes me të cilin përballen nënat, por a e dini se edhe baballarët mund të përballen me këtë gjendje? Rezultatet e hulumtimit, të publikuara në revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane, tregojnë se rreth 10% të baballarëve të ardhshëm, simptomat e depresionit shfaqen që në tremujorin e parë të shtatzënisë së grave të tyre dhe zgjasin gjashtë muaj pas lindjes së foshnjës.
Dihet se depresioni pas lindjes tek nënat mund të lidhet me çekuilibrin hormonal gjatë dhe pas shtatzënisë. Hulumtimet tregojnë se baballarët e ardhshëm, për arsye ende të panjohura, kalojnë ndryshime hormonale gjatë kësaj periudhe. Niveli i hormonit seksual mashkullor testosteron zvogëlohet, ndërsa niveli i hormoneve “femërore” – estrogjenit dhe prolaktinës, si dhe i “hormonit të stresit” (kortizolit) rritet.
Disa burra veçanërisht të ndjeshëm, gratë e të cilëve janë shtatzënë mund të shfaqin simptoma të tilla si të përziera dhe mbipeshë. “Biologët dyshojnë se me ndihmën e luhatjeve hormonale te meshkujt shtohen mundësitë që babai të mos largohet nga familja, sepse mes tij dhe fëmijës krijohen lidhje emocionale”, shpjegon specialisti amerikan i shëndetit të meshkujve, Villiam Kortni. Kur këto luhatje hormonale kombinohen me disa ndryshime në tru të shkaktuara nga mungesa kronike e gjumit, mund të shkaktojë depresion pas lindjes, shpjegojnë ekspertët.
Përskaj mungesës së gjumit, shkaku kryesor i depresionit pas lindjes tek baballarët, mund të luajnë një roltë rëndësishëm edhe disa faktorë të tjerë, kryesisht prirja natyrore ndaj depresionit dhe stresit. Burimet e stresit mund të jenë një marrëdhënie e ftohur me nënën e fëmijës, problemet financiare, përgjegjësitë rreth foshnjës, prania e ndonjë llojit të sëmundjes. “Të gjithë prindërit përjetojnë trazira emocionale dhe sociale që lidhen me lindjen e një fëmije”, shpjegon psikoterapistja Sara Rozenkvist.
Nëse depresioni pas lindjes është i pranishëm tek nëna, kjo mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të tij edhe tek babai, thonë ekspertët. “Kur meshkujt fillojnë të përjetojnë ankth të vazhdueshëm, frikë, mall, ndjenjën e zbrazëtisë shpirtërore, ose kur mendojnë se gjithçka është jashtë kontrollit, ata mund të kuptojnë se diçka nuk shkon me ta, por i shtypin emocionet e tyre thellë dhe nuk kërkojnë ndihmë. “, thotë Dr. Villiam Kortni.
Cilat janë simptomat e depresionit pas lindjes tek baballarët?
Tek disa meshkuj, depresioni pas lindjes mund të shfaqet me një humor të vazhdueshëm depresiv, ndërsa disa bëhen nervoz, të emocionuar dhe madje edhe agresivë. Baballarët mund të vuajnë nga ngulçimi madje edhe sulme paniku. Ata mund të humbasin interesin për seksin ose aktivitetet që më parë i kanë sjell gëzim. Një nga simptomat e shpeshta është dëshira për të punuar më shumë – një burrë zhytet gjithnjë e më shumë në punë sepse nuk di si të përballet me stresin.
Nëse simptomat zgjasin më shumë se dy javë dhe ndikojnë në cilësinë e jetës tuaj ose mendoni se keni nevojë për ndihmë, është e rëndësishme të konsultoheni me një specialist ose të këshilloni partnerin tuaj për ta bërë këtë. Përveç kësaj, duhet të përpiqeni të flini më shumë, të ushtroni, të qëndroni në natyrë ose të takoni miq. Bisedat mes partnerëve për mënyrën se si ndihen janë vendimtare.
Ekspertët theksojnë se me këtë situatë përballen edhe baballarët që i vendosin kërkesa të larta vetes dhe shpesh pyesin veten nëse janë mjaftueshëm të mirë si baballarë. “Është e rëndësishme të mbani mend se të gjitha efektet negative të depresionit pas lindjes mund të shmangen. Me trajtimin dhe mbështetjen e duhur, një mashkull mund të shërohet plotësisht. Terapia mund të shpëtojë jetën e një burri ose martesën e tij. Nëse një baba nuk arrin të shkojë te një specialist për vete, është e rëndësishme që ai ta bëjë këtë për fëmijën e tij. Burrat duhet të kuptojnë se depresioni është një sëmundje, jo një dobësi e karakterit. Të pranosh se je në depresion nuk do të thotë të jesh frikacak dhe të heqësh dorë. Do të thotë të marrësh përgjegjësi për jetën e dikujt”. – shpjegon doktoresha Kortni.
Përktheu dhe përshtati:S.N