Zyrtarët shëndetësorë në fillim të pandemisë përjashtuan mundësinë që koronavirusi të përhapet përmes frymëmarrjes së zakonshme, por me zbulimin e provave të reja, ata ndryshuan mendje.
Një artikull i botuar dje në revistën JAMA Internal Medicine shpjegon infeksionin midis pasagjerëve që udhëtuan 50 minuta me autobus në një ngjarje në janar të këtij viti, para se maskat të bëheshin mjet rutinë për të luftuar virusin.
Shkencëtarët besojnë se pasagjeri i paidentifikuar ishte ndoshta një pacient zero sepse ai ishte në kontakt të ngushtë me njerëzit në Wuhan, shpërthimi i parë i infeksionit që nga fundi i vitit të kaluar.
Ekspertët ishin në gjendje të hartonin se ku ishin ulur udhëtarët e tjerë dhe t’i testonin për virusin. Doli që 23 nga 68 pasagjerë në të njëjtin autobus ishin të infektuar me koronavirus.
E rëndësishme është të theksohet se pasagjerët e infektuar ishin ulur në pjesën e përparme dhe të pasme të autobusit, që do të thotë një distancë prej dy metrash, një distancë që konsiderohet të jetë kufiri për përhapjen e virusit nëpërmjet pikave. Për më tepër, pacienti zero nuk shfaqi simptoma të sëmundjes si kollë gjatë udhëtimit. Shkencëtarët vunë re se pajisja ftohëse në autobus qarkullonte të njëjtin ajër, gjë që ndoshta kontribuoi në përhapjen e virusit.
“Hulumtimi sugjeron që në ambiente të mbyllura me qarkullim të ajrit, SARS-CoV-2 është një patogjen shumë ngjitës”, shkruajnë shkencëtarët.
Studimi i tyre është dëshmi e re e përhapjes së virusit përmes aerosoleve, si dhe hulumtimi për përhapjen e virusit midis tavolinave në një restorant në qytetin kinez të Gunagzhou.