Një studim i vogël, por vendimtar i kryer në Britaninë e Madhe tregoi se imuniteti qelizor ndaj virusit pandemik SARS-CoV-2 tek njerëzit që janë rikuperuar nga forma e lehtë ose asimptomatike e COVID-19 vazhdon edhe për gjashtë muaj pas sëmundjes. Studimi u krye në 100 pacientë me COVID-19 të cilët nuk ishin shtruar në spital.
Shkencëtarët që paraqitën rezultatet e hulumtimit thonë se ato janë qetësuese, por nuk do të thotë që njerëzit, në raste të rralla, nuk mund të infektohen përsëri me këtë sëmundje.
“Megjithëse këto rezultate ngjallin optimizëm të kujdesshëm tek ne për forcën dhe kohëzgjatjen e imunitetit të fituar pas infektimit me virusin SARS-CoV-2, ato janë vetëm një pjesë e vogël e enigmës. Ne akoma duhet të zbulojmë shumë gjëra para se të kuptojmë plotësisht se si funksionon imuniteti i COVID-19”, tha prof. Paul Moss nga Universiteti i Birmingham-it, një nga autorët e studimit.
Studimi analizoi mostrat e gjakut nga 100 pacientë, gjashtë muaj pasi u rikuperuan nga një formë e lehtë ose asimptomatike e sëmundjes. Rezultatet tregojnë se nivelet e antitrupave zvogëlohen, por përgjigja e qelizave T – pjesa e dytë kryesore e sistemit imunitar – mbetet e fuqishme.
Për më tepër, përgjigja e qelizave T u tregua e ndryshme dhe dukshëm më e fortë tek njerëzit që zhvilluan simptoma të sëmundjes sesa tek ata që nuk kishin simptoma kur u infektuan.
Sipas studiuesve, kjo mund të interpretohet në dy mënyra: është e mundur që imuniteti më i fortë qelizor ofron mbrojtje më të mirë kundër ri-infeksionit tek njerëzit që kanë zhvilluar simptoma, dmth që pacientët asimptomatikë luftojnë virusin më lehtë dhe pa imunoreagim të fuqishëm.