Në valën e parë të pandemisë, kolla, gulçimi dhe humbja e ndjenjës së nuhatjes dhe shijes ishin simptomat kryesore të sëmundjes COVID-19. Gjërat kanë ndryshuar me variantin delta.
“Kollitja dhe humbja e ndjenjës së nuhatjes dhe shijes janë më pak të zakonshme, ndërsa dhimbjet e kokës, fytit, rrjedhja e hundëve dhe temperatura e lartë janë më të zakonshme”, tha doktor Inci Yildirim, specialiste e sëmundjeve infektive.
Studimet e zhvilluara në Britaninë e Madhe kanë treguar se dhimbja e kokës është simptoma numër një e raportuar nga njerëzit me variantin delta të koronavirusit.
Simptomat e ftohjes si rrjedhja e hundëve dhe teshtitja, të cilat më parë nuk konsideroheshin si simptoma të COVID-19 në pandemi, raportohen gjithnjë e më shumë të jenë dominuese gjatë infeksionit. Rrjedhja e hundëve është simptoma e dytë më e zakonshme e raportuar tek individët e vaksinuar plotësisht dhe pjesërisht në studim, por simptoma e tretë më e shpeshtë e raportuar tek ata të pavaksinuarit.
Teshtitja është simptoma e tretë më e shpeshtë e raportuar e COVID-19 tek individët e rivaksinuar, ndërsa e katërta më e zakonshme në mesin e pacientëve të vaksinuar pjesërisht.
“Nëse jeni të vaksinuar edhe nëse filloni të teshtitni shumë pa asnjë shpjegim, duhet të bëni një test, veçanërisht nëse jetoni me njerëz që janë në rrezik të lartë ndaj sëmundjes”, theksojnë ekspertët.