DITA BOTËRORE E HEPATITIT: 9 nga 10 persona të infektuar nuk e dinë se janë të sëmurë, ndërsa ka vetëm një mënyrë për të zbuluar hepatitin

Qëllimi i shënimit të Ditës Botërore të Hepatitit - 28 korriku është të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e shëndetit publik të hepatitit viral, kryesisht hepatitit B dhe C.

Hepatiti viral është sëmundje inflamatore infektive akute ose kronike e mëlçisë e shkaktuar nga viruset A, B, C, D dhe E. Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH, 2020), ka rreth 325 milionë njerëz që vuajnë nga hepatiti kronik B ose C në botë (257 milionë njerëz që vuajnë nga hepatiti kronik B dhe rreth 71 milionë njerëz që vuajnë nga hepatiti kronik C).

Hepatiti kronik C dhe B janë shkaku kryesor i cirrozës dhe kancerit të mëlçisë dhe shkaku më i zakonshëm i transplantimit të mëlçisë në Evropë. Komplikimet nga hepatiti viral B dhe C shkaktojnë çdo vit vdekjen e më shumë se 1.1 milion njerëzve në mbarë botën, gjë që është më shumë se numri i vdekjeve të shkaktuara nga virusi HIV/AIDS (afërsisht një milion).

OBSH synon të eliminojë hepatitin viral si një kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030 dhe të ulë numrin e infeksioneve të reja me 90%, ndërsa vdekshmërinë me 65%.

Parandalimi i hepatitit viral në vend përfshin edukimin për rreziqet dhe metodat e mbrojtjes, vaksinimin kundër hepatitit B dhe A, sigurimin e cilësisë së gjakut dhe produkteve të gjakut në sistemin e kujdesit shëndetësor, parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve spitalore, mbikëqyrjen e procedurave të kozmetikës invazive (piercing, tatuazhe), parandalimi në popullatën e përdoruesve të drogës.

Dita Botërore e Hepatitit festohet në ditëlindjen e Baruch S. Bloomberg, shkencëtarit amerikan i cili mban meritat për zbulimin e virusit të hepatitit B dhe zhvillimin e vaksinës kundër këtij virusi, për të cilën ai mori çmimin Nobel në vitin 1976.

Këtë vit, fushata “Hepatiti nuk mund të presë” me mesazhin “Doktor, a mund të më shërosh?, dëshiron të kujtojë rëndësinë e fillimit të trajtimit për njerëzit që janë diagnostikuar me hepatit viral B ose C dhe që për arsye të ndryshme nuk kanë filluar trajtimin. 

Hepatiti është ende një sfidë globale e shëndetit publik pasi çdo 30 sekonda një person në mbarë botën humb jetën si pasojë e sëmundjeve të lidhura me hepatitin. Më shumë se 1.1 milion jetë humbasin çdo vit për shkak të pasojave të infeksionit të hepatitit B dhe C. Vëmendje e veçantë i kushtohet hepatitit viral B dhe C, sepse i përkasin të ashtuquajturave “sëmundje të heshtura”, pra sëmundje që zgjasin për një kohë të gjatë pa simptoma të njohura.

Infeksioni afatgjatë dhe i patrajtuar mund të shkaktojë dëme të rënda në mëlçi dhe shëndet. Karcinoma hepatocelulare si pasojë e sëmundjes së patrajtuar është vazhdimisht në rritje dhe shumica e tyre zbulohen në një fazë shumë vonë për trajtim të suksesshëm. Testimi për hepatitin B dhe C është e vetmja mënyrë për të zbuluar në kohë sëmundjen. Vlerësohet se në mbarë botën 9 nga 10 persona të infektuar nuk janë të vetëdijshëm për statusin e tyre, gjë që ndikon ndjeshëm negativisht në arritjen e objektivave globale të OBSH-së për eliminimin e hepatitit deri në vitin 2030.

OBJEKTIVAT E FUSHATËS

Fushata lidh sistemin shëndetësor dhe njerëzit që kanë qenë të ekspozuar ndaj rreziqeve të kontraktimit të hepatitit viral ose që jetojnë me hepatit pa qenë në dijeni për të.

Në përputhje me rekomandimet globale dhe kombëtare për të eliminuar ose zvogëluar mundësinë e ekspozimit ndaj viruseve të hepatitit, qëllimi i fushatës “Hepatiti nuk mund të presë!” është të kontribuojë në parandalimin, diagnostikimin në kohë dhe lidhjen me kujdesin shëndetësor dhe trajtimin e viruseve të hepatitit.

Hepatiti C është i shërueshëm, ndërsa ekziston vaksina dhe trajtimi efektiv për hepatitin B.

  • Njerëzit që jetojnë me hepatit viral që nuk janë në dijeni të tij nuk duhet të vonojnë testimin. Pa testim, nuk ka trajtim.
  • Njerëzit e diagnostikuar me hepatit viral nuk mund të presin për një trajtim që shpëton jetën.
  • Njerëzit që jetojnë me hepatit viral nuk mund të presin që të eliminohet stigma dhe diskriminimi që lidhet me këto sëmundje.