DITA BOTËRORE E MENOPAUZËS: Çfarë ndodh më tej me trupin e gruas dhe cilat janë shenjat e menopauzës së hershme

Menopauza është proces i natyrshëm që ndodh kur grave u ndërpriten menstruacionet dhe nuk mund të mbeten shtatzënë në mënyrë natyrale. Procesi i menopauzës ndodh kur niveli i hormoneve në trupin e një gruaje ndryshon, thekson Shoqata britanike e menopauzës.

Sot, 18 tetor, shënohet Dita Botërore e Menopauzës në mbarë botën për të rritur ndërgjegjësimin për ndikimin që mund të ketë menopauza në jetën e përditshme të grave.

ÇFARË ËSHTË MENOPAUZA DHE ÇFARË E SHKAKTON ATË?

Menopauza është proces i natyrshëm që ndodh kur grave u ndërpriten menstruacionet dhe nuk mund të mbeten shtatzënë në mënyrë natyrale. Procesi i menopauzës ndodh kur niveli i hormoneve në trupin e një gruaje ndryshon, thekson Shoqata britanike e menopauzës.

“Gjatë viteve pjellore të një gruaje, aftësia e saj për të prodhuar vezë çdo muaj është e lidhur me lirimin e tre hormoneve riprodhuese (estradiol, estrone dhe estriol) të cilat së bashku quhen estrogjen”, shpjegojnë mjekët.

“Derisa femrat rriten, depozitimi i vezëve në vezore bëhet më i dobët dhe mundësia e ngjizjes zvogëlohet. Në këtë moment prodhohet më pak estrogjen, prandaj organizmi sillet ndryshe”, theksojnë ata.

Mjekët shtojnë se nuk ka një “arsye të qartë” pse disa gra përjetojnë menopauzë shumë herët.

Menopauza mund të ndodhë gjithashtu pas një sërë trajtimesh mjekësore, duke përfshirë heqjen kirurgjikale të një ose të dy vezoreve, kimioterapinë, radioterapinë dhe trajtimin e kancerit të gjirit.

NË ÇFARË MOSHË GRATË PËRJETOJNË MENOPAUZËN?

Menopauza zakonisht shfaqet tek gratë midis moshës 45 dhe 55 vjeç.

Nëse një grua nën 40 vjeç përjeton menopauzë, ajo quhet menopauzë e parakohshme, thonë ekspertët nga King’s College për obstetër dhe gjinekologë.

Menopauza e parakohshme ndodh në afërsisht një në 100 gra.

CILAT JANË SIMPTOMAT E MENOPAUZËS?

Edhe pse simptomat e menopauzës mund të shfaqen gjatë disa muajve, një grua është në menopauzë pasi nuk ka pasur menstruacione për 12 muaj. Edhe pse jo të gjitha gratë do të përjetojnë të njëjtat simptoma, më të zakonshmet janë:

  • Valët e të nxehtit
  • Pagjumësia
  • Thatësi vaginale
  • Ulja e dëshirës seksuale
  • Humor i keq
  • Ankthi
  • Djersitje natën
  • Siklet gjatë mardhënieve
  • Vështirësi në përqendrim
  • Probleme me memorien

Para menopauzës, gratë mund të përjetojnë një fazë të hershme të quajtur perimenopauzë dhe simptomat mund të jenë të ngjashme.

Mjekët theksojnë se simptomat e menopauzës mund të zgjasin rreth katër vjet pas periudhës së fundit, ndërsa disa simptoma zgjasin më shumë.

SHENJAT E MENOPAUZËS SË HERSHME

Këto janë vetëm disa simptoma tipike që tregojnë një fillim të hershëm të menopauzës. Nëse jeni të shqetësuar, është mirë të flisni me një gjinekolog.

  • Parregullsi në ardhjen e ciklit mujor
  • Valët e të nxehtit
  • Thatësi vaginale
  • Luhatje humori