Sëmundja e varësisë së opioideve në fakt paraqet sëmundje kronike, e cila mund të shkaktojë probleme të mëdha shëndetësore, sociale dhe ekonomike. Opioidet janë substanca psikotrope të cilat veprojnë në sistemin nervor dhe krijojnë ndjesinë e kënaqësisë dhe lehtësimin nga dhimbja.
Disa opioide përshkruhen në mënyrë ligjore për trajtimin e dhimbjeve kronike dhe të rënda (oksikodoni, buprenorfini, tramadoli, metadoni, morfina…). Disa të tjerë si heroina janë të ndaluara.
Në raportin e fundit të “World Drug Report” të vitit 2018, UNODC (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën), thekson se rreth 275 milionë njerëz në mbarë botën (5.6% e popullsisë globale), të moshës 15-64 vjeçare, kanë përdorur drogë të paktën një herë gjatë vitit 2016. Opioidet vazhdojnë të jenë shkaku më i madh i vdekjes (76% e vdekshmërisë lidhet me abuzimin e drogës). Më shumë se gjysma jetojnë me hepatitin C, ndërsa një në tetë veta jeton me virusin HIV. Sipas OBSH, në vitin 2015 rreth 450 000 njerëz vdiqën si pasojë e përdorimit të drogës, nga të cilët 167 750 si rezultat i “overdose“. Të tjerët vdiqën si rezultat i HIV-it dhe hepatitit C.
Rekomandimet që kanë të bëjnë me trajtimin e këtij problemi
Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet programeve parandaluese, të cilat duhet të jenë aktive në terren përmes edukimit nëpër shkolla, zënia më shumë hapësirave në media dhe edukimi jo vetëm për popullsinë e re, por edhe për popullatën në përgjithësi për pasojat e dëmshme të abuzimit me substancat psikotrope. Personat të cilët tashmë kanë sëmundje të varësisë nuk duhet të margjinalizohen, përkundrazi, gjendja e tyre duhet të pranohet si sëmundje kronike që duhet trajtuar, është e nevojshme që të risocializohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Të mos harrojmë se kryesisht bëhet fjalë për popullsi të re (në fazën riprodhuese), popullsi që ka krijuar pasardhës pas vetes.
Trajtimi
Trajtimi duhet të jetë një qasje multidisiplinare dhe individuale për secilin pacient. Puna jonë e përditshme është e lidhur ngushtë me kolegët psikiatër, psikologë, të cilët kanë rol shumë të rëndësishëm në trajtimin e këtyre pacientëve. Megjithatë, duhet të theksohet se në trajtimin e përditshëm përfshihen edhe specialistë të tjerë, varësisht nga gjendja shëndetësore e pacientit dhe efektet e mundshme të dëmshme që janë shfaqur si pasojë e përdorimit të substancave psikoaktive. Zëvendësuesit që përdoren në vendin tonë për trajtimin e këtyre pacientëve janë metadoni dhe buprenorfina. Shumica e pacientëve trajtohen në Qendrat për Trajtimin dhe Mjekimin e Sëmundjeve të Varësisë. Në kuadër të Klinikës Universitare të Toksikologjisë është edhe departamenti i detoksifikimit i cili merr pjesë në trajtimin e pacientëve me sëmundje të varësisë. Që nga korriku i vitit 2010, zhvillohet programi qeveritar për trajtimin e varësisë opioide me zëvendësuesin buprenorfinë.
Puna e Toksikologjisë në trajtimin e pacientëve që përdorin substanca psikoaktive
Stafi mjekësor në Klinikë punon 24 orë. Gjatë punës së përditshme i pranon pacientë që kanë përjetuar efekte anësore nga përdorimi i substancave psikoaktive, mundëson hulumtime klinike dhe trajtim të pacientëve me çrregullime somatike si rezultat i aplikimit afatgjatë të drogës, kryen detoksifikim të shpejtë, merr pjesë në trajtimin e varësisë opioide me buprenorfinë, në kuadër të departamentit të detoksifikimit funksionon edhe qendra informative, ku pacient ose ndonjë anëtar i familjes mund të marrë këshilla. Por, theksoj se puna jonë është e lidhur ngushtë me Laboratorin e Toksikologjisë në të cilin realizohet zbulimi i substancave psikoaktive, ka bashkëpunim të mirë dhe të ngushtë me psikiatrit, psikologët dhe specialistët e tjerë, të cilët janë të nevojshme në trajtimin e plotë të këtyre pacientëve.
Sfida në botë është edhe sfida jonë, e kjo është shfaqja e drogave të reja dhe trajtimi adekuat i gjendjeve të reja, monitorimin vigjilent i arritjeve shkencore në vendet e zhvilluara për një qasje të re të mundshme, trajtimi, zhvillimi i laboratorit toksikologjik i cili do të ndihmojë në sqarimin e gjendjeve të paqarta, pasurimi i paletës së barnave të cilat mund të ndihmojnë në trajtimin e pacientëve që përdorin substanca psikotrope. Qëllimi është që të ruhet çdo jetë e re dhe të krijohet një shoqëri e shëndetshme me më pak probleme sociale dhe ekonomike.