Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Klasifikimit të sëmundjeve në Maqedoni, sindroma e varësisë paraqet grup të dukurive të sjelljes, njohurisë dhe fiziologjisë në të cilën përdorimi i një substance apo klasë të substancave, zë prioritet shumë më të lartë për individ të caktuar se sa sjelljet tjera që dikur kishin më shumë vlerë. Tipari përshkrues i Sindromës së varësisë është dëshira (shpesh e fuqishme, nganjëherë mbizotëruese) për të marrë substancat psikoaktive, të cilat janë ose nuk janë të përshkruara nga ana mjekësore, alkooli ose duhani.
Diagnoza e sindromës së varësisë vendoset vetëm nëse tre ose më shumë nga kriteret e mëposhtme janë paraqitur së bashku në një kohë, nga viti i kaluar:
- Dëshira e fortë për të marrë një substancë të caktuar psikoaktive;
- Vështirësi në kontrollimin e përdorimit të substancave psikoaktive;
- Krizë abstinence gjatë ndëprerjes ose zvogëlimit të futjes së substancave psikoaktive;
- Zhvillimi i tolerancës, gjatë së cilës nevojiten doza më të mëdha të substancave psikoaktive për të arritur efektet e njëjta, të prodhuara fillimisht në doza më të vogla;
- Neglizhimi i nevojave dhe interesave të tjera për shkak të përdorimit të substancave psikoaktive;
- Përdorimi i përhershëm i substancave psikoaktive pavarësisht dëshmive mbi efektet e tyre të dëmshme.
Çfarë janë substancat psikoaktive (psikotrope)?
Substancat psikoaktive (psikotrope) janë substanca kimike të cilat japin ndryshim në funksionimine e trurit, siç është sjellja, njohuria, vetëdija… Disa nga këto substanca janë të ligjshme (alkooli, duhani…), disa merren në mënyrë të paligjshme (amfetamina, opioidet…). Disa prej tyre mund të përshkruhen nga mjeku (benzodiazepinat…), por përdorimi i pakontrolluar dhe mospërfillja e rekomandimeve të mjekut, mund të çojë në sindromën e varësisë. Në literaturë, mund të hasen më shumë ndarje të substancave psikoaktive në varësi të efektit të tyre farmakologjik. Ndarja më e përdorur është si në vijim:
- Stimulesit (“uppers”) – shembull: amfetamina, kafeina, kokaina, nikotini…
- Depresantët (“downers”) – shembull: opioidet, qetësuesit, hipnotikët…
- Substancat psikoaktive halucinogjenike përfshijnë: psychedelic, substanca disociuese dhe substanca delirante.
Llojet e varësisë
Sipas klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve (ICD) substancat psikoaktive të cilat krijojnë varësi janë: alkooli, opoidët, kokaina, kanabisi, amfetamina, substancat halucionogjenike, tretësit e paqëndrueshëm, duhani, varësia nga qetësuesit, hipnotikët ose anksiolitikët (përfshirë varësinë nga benzodiazepina). Ndonjëherë në të njëjtën kohë mund të zhvillohet varësia nga më shumë substanca psikoaktive. Varësia e cila mund të zhvillohet nga këto substanca mund të jetë psiqike dhe fizike, ndërsa tek disa vetëm psiqike. Ekzistojnë edhe forma të varësisë, si për shembull varësi nga lojërat e fatit, varësi nga video lojrat etj.
Pamja klinike e pacientëve të Klinikës së Toksikologjisë
Pacientët të cilët kërkojnë ndihmë në Klinikën Universitare të Toksikologjisë vijnë me manifestime të ndryshme klinike, zhvillimi i të cilave shoqërohet me përdorimin e një ose më shumë substancave psikoaktive, të cilat janë ose jo, të përshkruara në mënyrë mjekësore.
Pacientët mund të shfaqen si rezultat i:
- helmimi akut me një ose më shumë substanca psikoaktive;
- efekte të dëmshme si rezultat i përdorimit paraprak të substancave psikoaktive (çrregullime somatike dhe psikiatrike);
- zhvillimi i një krizë abstinence për shkak të marrjes jo të mjaftueshme të substancave psikoaktive, e cila me kalimin e kohës, ka krijuar varësi.
Simptomat e marrjes së tepruar të substancave psikotrope
Simptomat klinike me të cilat shfaqen pacientët janë të ndryshme dhe në fakt mund të flitet shumë. Do të përpiqem që shkurtimisht të numëroj disa nga simptomat të cilat mund të shfaqen si rezultat i përdorimit të tepruar të disa prej këtyre substancave. Pamja klinike me të cilën pacientët kërkojnë ndihmë mund të jetë nga më e lehta deri tek pamja klinike e cila mund të jetë kërcënuese për jetën.
Toksiciteti nga nikotina: neveri, të vjella, djersitje, zbehje, dridhje, marramendje, rrahje zemre, rritja e tensionit të gjakut, kolaps kardiovaskular…
Helmimi nga alkooli: mund të fillojë me eufori dhe të vazhdojë me përgjumje, të folur të paqartë, paaftësi për arsyetim racional, të vjella, rrahje zemre, rënie të tensionit të gjakut, çrregullim të vetëdijes, çrregullim të frymëmarrjes.
Toksicitet kanabinoid (marihuana): mund të fillojë me eufori të lehtë, të vazhdojë me relaksim të shtuar, përgjumje, skuqje të syve, gojë të thatë, rrahje zemre, çrregullime të memories, të folur të paqartë, depresion…
Amfetamina: bebëza të zgjeruara, dridhje, rrahje të zemrës, neveri, shqetësim, halucinacione, frymëmarrje të përshpejtuar, ngushtësi në gjoks… Pamje të ngjajshme klinike jep edhe abuzimi me ekstazat (MDMA).
Kokaina: bebëza të zgjeruara, eufori, ndryshimi i statusit mendor, rrahje të zemrës, rritja e tensionit të gjakut, halucinacione, çrregullimi i ritmit të zemrës, ngërçe.
Benzodiazepinat: bebëza të zvogëluara, të folur të paqartë, rënia e tensionit të gjakut, çrregullimi i vetëdijes nga përgjumja deri te shfaqja e komës.
Opioidet: bebëza të zvogëluara, të folor të paqartë, çrregullimi i vetëdijes… Në mënyrë të veçantë do të theksoja gjendjen e “mbidozës”, pamje mjaft e rëndë klinike, ku, nëse pacientët nuk kërkojnë ndihmë mjekësore në kohën e duhur, mund të humbasin jetën. Kjo gjendje manifestohet me komën, ndërprerjen e frymëmarrjes, rënien e tensionit të gjakut.
Shpesh simptomat klinike nuk janë aq të qarta dhe precize duke pasur parasysh se shumica e rasteve paraqiten si pasojë e marrjes së më sumë së një substancë psikotrope. Abuzimi i pakontrolluar shpie në shfaqjen e sindromës së varësisë.
(Vazhdon)