Dr. Bianka Çaçev-Spançevska: Përse na dhemb koka?

Dhimbjet e kokës mund të tregojnë për çrregullime shëndetësore prandaj edhe nuk duhet të neglizhohen, por duhet të hetohen dhe trajtohen në mënyrën e përshtatshme terapeutike

Shkruan: Dr. Bianka Çaçev-Spançevska

neuropsikiatre


Dhimbja si nocion në mjekësi është shenjë se diçka po ndodh në organizëm. Kjo mund të nënkuptojë simptomë të një sëmundjeje ose vuajtjeje, por, për fat të mirë, shpesh nuk është sinjal i ndonjë gjendjeje të rëndë. Kokëdhimbja është një nga shkaqet më të zakonshme të kërkimit të ndihmës mjekësore.

GRATË VUAJNË MË SHPESH NGA DHIMBJET E KOKËS

Nuk ka pothuajse njeri që të paktën nuk ka pasur dhimbje koke një herë në jetë. Fatmirësisht, shumica e dhimbjeve të kokës nuk janë shenjë e çrregullimeve të rënda shëndetësore. Nëntëdhjetë përqind e dhimbjeve të kokës janë shenjë e çrregullimeve të lehta, të cilat zgjidhen lehtësisht.

Statistikisht dihet se nga dhimbja e kokës shumë më shpesh vuajnë femrat sesa meshkujt (20-30 përqind më shumë), se ndodhin në moshë të re dhe të mesme, por jo rrallë herë haset edhe tek fëmijët. Më e zakonshme është tek njerëzit me punë stresuese, në ambiente të mbyllura me pak lëvizje, lodhje psikologjike dhe përqendrim. Çdo dhimbje koke kur trajtohet për herë të parë duhet të merret seriozisht. Mjeku është i detyruar që t’i bëjë të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe të japë terapi të përshtatshme.

Dhimbja e kokës mund të ndodhë vetëm në ato inde ose struktura që kanë receptorë të ndjeshmërisë së dhimbjeve. Ato janë lëkura, indet nënlëkurore, muskujt, aponeurët, sytë, dhëmbët, mukoza e hundës, zgavra e gojës, arteriet e mëdha, venat e mëdha dhe sinuset venoze, pjesë të mbështjellësit të fortë të trurit, nervat shqisore të trurit, rrënjët dhe ganglinat. Kockat, mbështjellësit e butë të trurit, nervat motorikë dhe shumica e indeve të trurit nuk reagojnë me paraqitjen e dhimbjes.

Nëntëdhjetë përqind e dhimbjeve të kokës janë shenjë e çrregullimeve të lehta, të cilat zgjidhen lehtësisht.

LLOJET E DHIMBJEVE TË KOKËS

Ekzistojnë disa klasifikime të dhimbjeve të kokës sipas karakterit dhe kohëzgjatjes.

Dhimbja e kokës mund të jetë pulsuese kur burimi i saj janë enët e gjakut, sidomos arteriet. Intensiteti i saj është nga i moderuar deri në të fortë. Ekziston edhe e rrufeshme si rryma, dhimbje nevralgjike (ndjesi), e cila është shumë e fortë, zgjat për disa sekonda dhe ndalon në mënyrë spontane, por pas njëfarë kohe mund të përsëritet. Burimi i saj zakonisht është nervi i ndjeshëm. Dhimbje koke si presion dhe shtrëngim – është dhimbje me intenzitet të moderuar, të lokalizuar keq, zgjat më shumë, pothuajse nuk ndalet dhe ndryshon në intensitet. Shpesh shkaku i dhimbjes së tillë është tek muskujt, mukoza ose tek mbështjellësi. Dhimbja e kokës në formën e djegies është e fortë dhe e shprehur si e pakëndshme. Zakonisht ndodh  për shkak të reagimi të nervave simpatike ose parasimpatike.

Sa i përket kohëzgjatjes, dhimbjet e kokës mund të jenë të përhershme me luhatje të herëpashershme të intensiteti, periodike me shfaqje më pak të rregullta ose shfaqje të sulmeve sipas rregullit të një tipi të vetëm. Gjithashtu mund të jetë progresive – kur me kalimin e kohës bëhet më keq dhe intensifikohet, si dhe e herëpashershme kur shfaqet në seri, pasuar nga periudha të qeta më të gjata.

Ka mbi 50 shkaktarë të dhimbjeve të kokës dhe ato mund të jenë fizike (presion mekanik, tendosje, ndryshim i temperaturës, rryma elektrike) dhe kimike (faktorët ekzogjen ose endogjen). Dihet se kushtet atmosferike, llojet e caktuara të ushqimit, zakonet, përdorimi dhe keqpërdorimi i substancave psikoaktive, mënyra e jetesës, menaxhimi i stresit, prirja gjenetike ndikojnë në dhimbjet e kokës.

Dhimbjet e kokës mund të jenë edhe si pasojë ose reagim ndaj problemeve dhe sëmundjeve që lidhen me organet e kokës – problemet me sytë, dobësimi i shikimit, tensioni i lartë i syve, problemet me veshët, inflamacioni i sinuseve, problemet me dhëmbët, qafën, çrregullimet metabolike, inflamacione virusale, reaksioni dehës, reaksioni si pasojë e lëndimit ose traumës së kokës.

Dhimbja e kokës mund të tregojë gjithashtu edhe prezencën e problemeve më serioze të kokës siç janë presioni intrakranial, prania e tumorit, ndryshimet inflamatore në tru dhe mbështjellësit të tij, hemorragji të trurit ose trombozë të enëve të gjakut.

Këto gjendje nuk duhet të anashkalohen dhe çdo dhimbje koke duhet të hetohet në detale. Shpesh, ndodh që t’i bëjmë të gjitha hetimet e nevojshme, por shkaktarin e vërtetë nuk mund ta zbulojmë. Trajtimi dhe terapia e dhimbjeve të kokës i përkasin fushës së neurologjisë.