Shkruan: Dr. Bjanka Çaçev Spançeska
Neuropsikiatër
A mendoni se muajt e errët dhe të ftohtë të vitit ju bëjnë që të mos jeni në qejf? Nëse është kështu, atëherë ndosht jeni njëri ose njëra nga aq shumë persona që vuajnë nga depresioni sezonal, i njohur edhe si çrregullim afektiv sezonal.
Çdo dimër, gati një e treta e popullsisë së Evropës vuan nga depresioni dimëror. Profesionalisht, kjo nuk quhet depresion dimëror, por çrregullim afektiv sezonal. Më së voni në pranverë, kur dielli shfaqet, nuk ka më asnjë gjurmë të këtij çrregullimi. Simptomat e depresionit të dimrit kanë ngjashmëri me depresionin e zakonshëm: mungesa e vullnetit, shqetësimi, nervozizmi, ndjenja e pashpjegueshme e trishtimit, mungesa e aftësisë për të marrë përsipër çfarëdo gjëje, deri në neglizhencën e pamjes dhe kontaktit shoqëror. Por, derisa forma patologjike e depresionit është tipike për mungesën e oreksit dhe pagjumësisë, tek depresioni dimëror është krejtësisht e kundërta: këtu është e pranishme ndjenja e lodhjes dhe dëshira për të ngrënë ndonjë gjë të ëmbël.
Ky çrregullim është i pranishëm çdo vit, me fillimin e vjeshtës, dhe shoqërohet nga të gjitha simptomat e depresionit. Ekziston edhe forma e depresionit veror që fillon në fillim të pranverës dhe përfundon në vjeshtë, por është shumë më pak e zakonshme. Zakonisht çrregullimi afektiv sezonal është ai që fillon në vjeshtë dhe shpesh quhet depresioni dimëror.
SIMPTOMAT E DEPRESIONIT SEZONAL
- Niveli i ulët i energjisë
- Vështirësi në përqendrim
- Lodhje
- Oreks i shtuar
- Nevoja e shtuar për të qëndruar vetëm
- Nevoja e shtuar për gjumë
- Shtimi i peshës trupore
MË PAK DIELL, MË SHUMË LODHJE DHE DEPRESION
Hormonet që prodhohen në tru automatikisht shkaktojnë lëkundje të caktuara të humorit në çdo stinë të vitit. Shkaqet e çrregullimit afektiv sezonal qëndrojnë në këto ndryshime. Një nga teoritë është se sasia e zvogëluar e dritës së diellit në dimër çon në ulje të sekretimit të serotoninës në tru, i cili është neurotransmetues me efekt qetësues. Sekretimi i saj i zvogëluar shkakton depresion, lodhje, rritje të konsumit të karbohidrateve dhe shtim në peshë.
Ushqimet e pasura me karbohidrate, të tilla si patatet e skuqura, biskota, pastat dhe të ngjashme, rrisin sekretimin e serotoninës dhe kanë efekt qetësues në trup dhe tru.
Depresioni sezonal zakonisht ndodh në rini dhe është më i zakonshëm te femrat. Disa shfaqin simptoma të lehta, siç është acarimi i lehtë, por te dikush mund të shfaqen edhe shqëtësime më të rënda, që mund të ndikojë në aktivitetet e përditshme dhe jetën shoqërore.
TERAPIA PËRMES DRITËS
Për shkak se depresioni sezonal shoqërohet me mungesën e energjisë diellore, rrallë herë shfaqet në vendet afër ekuatorit, ku dielli është i pranishëm gjatë gjithë vitit. Shumë mjekë rekomandojnë që pacientët me depresion sezonal të dalin sa më shumë që të jetë e mundur në mëngjes për tu ekspozuar ndaj rrezeve të diellit. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë mund të provohet terapi antidepresive ose foto (light) terapia.
Me fototerapi përdoret një spektër i gjërë i dritës së ndritshme, e cila ndrit direkt në sy.
Kur përdoret fotostimulimi, pacienti ulet rreth 40 centimetra larg nga burimi i dritës, e cila është rreth 20 herë më e fortë se drita e dhomës. Terapia fillon me seanca nga 15 deri në 20 minuta çdo ditë. Pastaj ekspozimi rritet nga 30 në 45 minuta, në varësi të përgjigjes. Disa shërohen shumë shpejt, por të tjerëve u duhet më shumë kohë. Nëse nuk ka përgjigje të mirë, trajtimi mund të administrohet dy herë në ditë. Ata që reagojnë mirë ndaj terapisë inkurajohen ta vazhdojnë atë deri në pranverë, kur ata mund të kalojnë shumë kohë përsëri në diell.
MELATONINA – HORMONI I PËRGJUMJES DHE DEPRESIONIT
Hormoni natyror melatonin, i cili është përgjegjës për përgjumjen, më së shpeshti shoqërohet me depresionin sezonal. Kur drita vepron në retinën e njeriut, zhvillohet një proces në tru ku sekretimi i melatoninës zvogëlohet.
Drita shërben si rregullator i sekretimit të melatoninës dhe rrit sekretimin e serotoninës. Prandaj, light terapia ka efekt antidepresiv. Mund të përdoret në kombinim me antidepresantët dhe llojet e tjera të depresionit, si dhe në çrregullimet e të ngrënit, pagjumësisë dhe çrregullimin bipolar.
VETËNDIHMA
Nëse vuani nga depresioni sezonal, mund të përpiqeni të ndihmoni veten. Këshillat e mia janë që pacientët me depresion sezonal të dalin sa më shpesh, në diell, ose të fillojnë të përdorin light terapinë, edhe atë para se të shfaqen simptomat. Ushqimi duhet të jetë i ekuilibruar, me vitamina dhe minerale, për më shumë energji. Nevojiten edhe ushtrime, të paktën tre herë në javë, nga tridhjetë minuta. Dhe, natyrisht, të mos lihen pas dore aktivitetet e jetës shoqërore dhe të mos prishen marrëdhëniet dhe kontaktet me miqtë.
- Kërkoni ndihmë mjekësore
Është shumë e rëndësishme që diagnostikimin e depresionit t’ju lini mjekëve. Nëse dyshoni se vuani nga depresioni, këshillohuni me një mjek. Ndonjëherë problemet fizike mund të shkaktojnë depresion, por ndonjëherë simptomat mund të jenë pjesë e ndonjë problemi më kompleks psikiatrik. Depresioni sezonal mund të trajtohet në disa mënyra, në varësi të ashpërsisë së simptomave tuaja. Trajtimi është gjithashtu i ndryshëm kur vuani nga një lloj tjetër depresioni ose çrregullimi bipolar.